Autore: Entela Çapo
Autostrada Thumanë-Kashar, autostrada e parë e kategorisë A në Shqipëri, me një gjatësi prej 20.8 kilometrash, u hap më 30 qershor të këtij viti. Megjithatë, ndërsa qeveria dhe kontraktorët “festojnë” përfundimin e këtij projekti, një tjetër histori shpaloset në pas.
Që prej datës 30 qershor, kur u hap autostrada Thumanë – Kashar (20.8 km) rreth 85 mijë banorë të Bashkisë Krujë, veçanërisht ata që jetojnë në zonat pranë me autostradën, mbetën të bllokuar dhe pa hyrje dalje direkte në autostradë.
Për Andi Gjokën, biznesmen dhe banues në Thumanë, rruga e re jo vetëm që nuk ishte një investim i mirë për biznesin e tij të luleve, por përkundrazi, u kthye në një nga faktorët kryesor të shkatërrimit të pronave të tij.
“U bë gjashtë muaj që na kanë paralizuar të gjithë biznesin, na është bllokuar rruga, na është ndarë prona në tre pjesë, na kanë marrë pronat pa na dhënë asnjë dëmshpërblim, më kanë shkatërruar biznesin dhe lulet dhe s’ka mbajt askush asnjë përgjegjësi”, tha ai për Sinjalizo.
Gjoka thotë se me hapjen e autostradës u bllokuan hyrje-daljet për banorët e zonës dhe qytetarët e tjerë, dhe puna në biznesin e tij ra në 60%.
“Më parë ka pasur punë më shumë, sepse këtu lëviznin të gjithë, serb, malazezë, evropianë, kosovarë. Në bazë të rrugës kemi bërë edhe biznesin”, thotë ai.
Kjo situatë nuk ka qenë shqetësuesve vetëm për Andin, por edhe për banorët e tjerë të zonës, të cilët u bashkuan dhe protestuan për ditë me radhë duke kërkuar hapjen e një aksi për të lidhur Thumanën me autostradën.
“Ata që kanë biznese kanë pasur të njëjtin fat timin, pavarësisht se unë jam më i dëmtuari, por ka edhe shumë të tjerë që kanë lokale, hotele, mobileri që s’po lajnë dot më qiratë”, tregoi ai.
Urbanistja Doriana Musaj thotë se nuk ka ndodhur më parë në veprat që janë bërë në Shqipëri që të izolohen komunitete të tëra, duke e cilësuar këtë një akt të paprecedentë. Përveç se duhet të përshpejtojnë lëvizjen, rruga thotë Musaj duket të ketë prioritet edhe ata që ndikohen në mënyrë të drejtpërdrejtë.
“Përveç vështirësive të banorëve që nuk e aksesojnë dot, të gjithë problematikat që ka sjellë rruga në shpronësime, në spostime, në shembje, janë kosto. Kjo mos marrje parasysh e izolimit të banorëve nga kjo rrugë, është e pafalshme për autoritetin dhe ministrinë në veçanti”, thotë Musaj.
Rruga e re, dëmton të vjetrën
Një tjetër shqetësim i banorëve të Thumanës tashmë është edhe dëmtimi i rrugës së vjetër që vjen nga Fushë Kruja drejt zonës së tyre. Jashtë kamerave, banorët thanë për Sinjalizo, se për shkak të lëvizjeve të shpeshta gjatë gjithë ditës të automjeteve të tonazhit të rëndë, rruga është shkatërruar.
Dëmtimi, sipas tyre ka ardhur edhe për shkak të mospasjes së hyrje-daljeve në autostradë, një mënyrë e cila do të lehtësonte trafikun e këtyre automjeteve në zonën e tyre. Përveç rrugës, më shqetësuese për ta është siguria e fëmijëve, kjo pasi këto automjete përshkojnë këtë rrugë në çdo orar të ditës, edhe gjatë kohës kur fëmijët shkojnë apo kthehen nga shkolla.
“Kjo është rrugë lagjeje, tani kalojnë të gjithë mjetet për shkak të rrugës së re. Fëmijët kalojnë aty ikin në shkollë”, tha për Sinjalizo një nga qytetarët. “Afër rrugës është shkolla, fëmijët kalojnë rrugën për dyqane, frikë është.
Mjetet e tonazhit të lartë aksesojnë të njëjtat infrastrukturë rrugore si mjetet e tjera, por për urbanistët, lëvizja, koha, dhe segmentet si ato lëviznin, duhen planifikuar
“Nuk mund të lëvizin në të njëjtin orar që lëvizin fëmijët për në shkollë, dhe kjo fatkeqësisht ndodh kudo, edhe në Tiranë. Kjo është një nga hallkat kryesore që impakton direkt sigurinë, në të njëjtën orar që shkojnë fëmijët për shkollë nuk mund të kalojnë kamionët me dhe në të njëjtën rrugë”, thotë urbanistja Doriana Musaj, duke shtuar se situata duhet adresuar nga Policia Rrugore dhe autoritetet që më pas mbikëqyrin veprën, që në këtë rast është ARRSH-ja.
Protestat e vazhdueshme që prej nisjes së punimeve
Që prej fillimit të punimeve në këtë segment, qytetarët kanë shprehur shqetësimin për këtë situatë dhe nisën protestat. Fillimisht ishin banorët e Bërxullës ata të cilët bllokuan rrugët në shenjë proteste vitin e kaluar, pas fillimit të punimeve, pasi siç pretendonin ata, banesat e tyre në proces legalizimi rrezikonin t’ju shembeshin, pasi prekeshin nga plani i ndërtimit.
Pavarësisht protestave të shumta të këtyre familjeve, banesat e tyre u shembën. Edhe inaugurimi i rrugës së re më 30 qershor 2024, u pasua me protesta të shumta të qytetarëve të Krujës, Fushë-Krujës dhe Thumanës, të cilët e gjetën veten të bllokuar pa hyrje dhe dalje në autostradë, të pamundur të lëvizin lirshëm për në punë, shkollë apo destinacione të tjera thelbësore.
Rruga e re nuk ka sjellë asnjë zhvillim për ta, por në të kundërt, ka sjellë një ndërprerje të menjëhershme të lëvizjes së përditshme të tyre. Por protestat e banorëve vunë qeverinë në lëvizje.
Ministria e Infrastrukturës, Belinda Balluku, bëri më dije pak ditë më parë se nyja që do të zgjidhë përfundimisht problemin e Thumanës, Fushë-Krujës dhe Krujës, është nyja e Thumanës, e cila sipas saj, është pjesë e projektit që do të vazhdojë ende, nga Thumana në Milot.
“Ajo nyje që të zgjidhë përfundimisht problemin e Thumanës, Fushë-Krujës dhe Krujës, është nyja e Thumanës që ndodhet si pjesë e projektit që do të vazhdojë nga Thumana në Milot. Është vetëm 4 kilometra larg mbikalimit ekzistues sot në Grazmës”, tha Balluku.
Ministrja e Infrastrukturës tha se në një bashkëbisedim me banorët është rënë dakord që mbikalimi ekzistues i Grazmës do të jetë një zgjidhje provizore për ta.
“Me banorët kemi sqaruar se në mënyrë provizore ato do të aksesojnë mbikalimin e Gramzës me një rrambë të dedikuar, duke zgjidhur kështu deri ditën kur të kemi rrethrrotullimin dhe mbikalimin e plotë në zonë e hyrjes së Thumanës. Kemi rënë dakord që në rast se ata do ta shohin të arsyeshme duhet marrëveshje me komunitetin, pasi ka edhe shtëpi që mund të konsiderojmë se edhe mbikalimin e Gramzës në të ardhmen ta kthejmë në një nyje permanente”, tha Balluku më 12 shtator, në një interpelancë me deputetët e opozitës.
Edhe për Andi Gjokën, krijimi i një mbikalimi provizor në Gramëz tanimë, do u shërbej vetë banorëve, bizneseve dhe qarkullimit në zonë.
Por për urbanisten Doriana Musaj, gabimet kur korrigjohen nuk është se zgjidhin në mënyrë permanente. Për të, zgjidhjet provizore mund të bëhen shkak edhe për problemet që munden më pas të amplifikohen, pasi nuk janë zgjidhje të projektuara.
“Kemi nevojë për zgjidhjet permanente që banorët të jenë të sigurt në aksesimin e rrugës pa ndërhyrje të sajuara, deri sa t’i jepet një zgjidhe afatgjatë”, thotë ajo.
Ndërsa qeveria thotë se po adreson shqetësimet e banorëve të Thumanës, ndikimet afatgjata të Autostradës Thumanë-Kashar mbeten të paadresuara. Ndërsa zgjidhjet e përkohshme, si mbikalimi i Gramëzës, ofrojnë pak lehtësim dhe shpresë, kërkesa për infrastrukturë të mirëplanifikuar vazhdon.
Me zgjidhje provizore që erdhi nga protestat dhe bizneset në vështirësi, suksesi i autostradës do të varet jo vetëm nga ulja e trafikut, por edhe nga adresimi shqetesimeve që kanë komunitetet që preken nga autostrada e re.
Planifikimi i projektit
Ndërtimi i këtij aksi, sipas projektit parashikon që pjesë përbërëse e saj janë 14 nënkalime, 12 ura, korsi emergjencash dhe 3 mbikalime/kryqëzime, përkatësisht kryqëzimi i Aeroportit të Rinasit, kryqëzimi në autostradën Tiranë-Durrës, dhe ai i Thumanës, i cili nuk është ndërtuar ende, e që ka shkatuar problemin për të gjithë qytetarët.
Mungesa e ndërtimit të kryqëzimit të Thumanës, që synonte të lehtësonte aksesin në zonat përreth, ka nxjerr në pah mangësitë në planifikimin dhe zbatimin e projektit të autostradës, ku fokusi në infrastrukturën e re rrugore la në hije nevojat praktike të komuniteteve që duhej t’i shërbente.
Rasti i autostradës Thumanë-Kashar nënvizon rëndësinë e planifikimit të plotë urban që i jep prioritet nevojave të të gjithë aktorëve, përfshirë edhe komunitetet lokale. Ai gjithashtu shërben si një rast i veçantë paralajmërues për pasojat e mundshme të mbikëqyrjes jo të duhur të projekteve të mëdha infrastrukturore.

Ky artikull u krijua bazuar në të dhëna të siguruara nga individë që kanë zgjedhur të ngrenë zërin. Ndani historinë tuaj, fuqizojini të tjerët dhe bëhuni faktor për ndryshim. Vizitoni faqen: www.acqj.al/sinjalizo-dhe-ti/