Alarm për qumështin “Aptamil”: pas Kosovës, produkti tërhiqet edhe në Shqipëri

Një alarm ushqimor për qumështin për foshnja “Aptamil” ndezi fillimisht sinjalet në Kosovë dhe, një muaj më vonë, edhe në Shqipëri. Një toksinë e rrezikshme për foshnjat, një sistem paralajmërimi evropian dhe një reagim i vonuar që ngre pikëpyetje serioze për sigurinë ushqimore.

Redaksia ACQJ

Pas alarmit ushqimor të dhjetorit 2025 në Kosovë për qumështin për foshnja “Aptamil”, i njëjti produkt është tërhequr edhe nga tregu shqiptar, rreth një muaj më vonë, pas një njoftimi të ardhur përmes Sistemit të Alarmimit të Shpejtë për Ushqim dhe Ushqim për Kafshë (RASFF) të Bashkimit Evropian.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka njoftuar tërheqjen e menjëhershme nga tregu të produktit për foshnja “APTAMIL 1 PRONUTRA 800G ADVANCED”, pas konstatimit të pranisë së substancës cereulide, një toksinë e prodhuar nga bakteri Bacillus cereus, e njohur për rrezikun që paraqet për shëndetin e foshnjave dhe fëmijëve të vegjël.

Sipas njoftimit zyrtar të AKU-së, alarmi ka ardhur përmes RASFF me numër reference 2026.0663, pas kontrolleve zyrtare të kryera në Gjermani, ku është identifikuar prania e kësaj toksine në formulë për foshnja.

“Gjatë kontrolleve zyrtare të kryera në Gjermani, është konstatuar prani e substancës cereulide, një toksinë e prodhuar nga bakteri Bacillus cereus në formulë për infant”, thuhet në njoftimin e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit.

AKU bën të ditur se, menjëherë pas marrjes së njoftimit përmes RASFF, trupat inspektuese janë angazhuar në terren për verifikimin dhe tërheqjen e produktit nga tregu shqiptar, ndërsa konsumatorëve u është bërë thirrje që, nëse e kanë blerë këtë produkt, ta kthejnë në pikat e shitjes dhe të mos e përdorin.

“Trupat inspektuese në terren janë angazhuar në verifikimin dhe tërheqjen e menjëhershme të produktit nga tregu”, thekson AKU, duke apeluar që konsumatorët ta kthejnë produktin nëse e kanë ende në përdorim.

Sipas informacionit të publikuar nga AKU, produkti i tërhequr nga tregu ka këto të dhëna identifikuese:

  • Emri i produktit: APTAMIL 1 PRONUTRA 800G ADVANCED
  • Numri i artikullit: 172911
  • Data e skadencës: 10/11/2026

Autoriteti sqaron se masat e marra kanë për qëllim mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve, veçanërisht të foshnjave, për të cilat ushqimi artificial përbën një element jetik dhe jashtëzakonisht të ndjeshëm në zinxhirin ushqimor.

Cereulide është një toksinë e prodhuar nga disa lloje të bakterit Bacillus cereus. Ky bakter gjendet gjerësisht në mjedis, në tokë dhe në produkte ushqimore të ndryshme, por rreziku kryesor lidhet me aftësinë e tij për të prodhuar toksina që nuk shkatërrohen lehtësisht nga nxehtësia.

Në rastin e ushqimit për foshnja, standardet e sigurisë ushqimore janë veçanërisht të rrepta, pasi edhe sasi shumë të vogla të toksinave ose baktereve mund të përbëjnë rrezik serioz për shëndetin e fëmijëve të vegjël.

Kosova: alarmi i dhjetorit 2025

Ky nuk është rasti i parë që produktet “Aptamil” përfshihen në një alarm ushqimor në rajon. Më 16 dhjetor 2025, përmes RASFF, autoritetet në Kosovë u njoftuan zyrtarisht për praninë e bakterit Bacillus cereus në qumështin për foshnja “Aptamil”.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) e Kosovës konfirmoi se rreziku ishte vlerësuar si serioz, duke nisur procedurat për gjurmueshmëri dhe tërheqje të menjëhershme të produktit nga tregu. AUV u bëri thirrje konsumatorëve që të mos e përdorin produktin dhe ta kthejnë atë në pikat e shitjes.

Sipas të dhënave të publikuara në Kosovë, analizat laboratorike kishin konstatuar prani të Bacillus cereus në nivele që nuk lejohen në ushqimin për foshnja, duke ngritur shqetësime të forta për sigurinë ushqimore dhe shëndetin e fëmijëve.

Një muaj diferencë në reagim

Ndërkohë që alarmi në Kosovë u publikua në dhjetor 2025, në Shqipëri njoftimi zyrtar dhe veprimet për tërheqjen e produktit nga tregu vijnë vetëm në janar 2026, pas sinjalizimit të ardhur përmes RASFF nga kontrollet e kryera në Gjermani.

Sistemi RASFF funksionon si një mekanizëm i përbashkët evropian për shkëmbimin e shpejtë të informacionit mbi rreziqet që lidhen me ushqimin dhe ushqimin për kafshë, duke synuar parandalimin e ekspozimit të konsumatorëve ndaj produkteve të rrezikshme. Në këtë kuadër, njoftimet e publikuara në një shtet anëtar apo partner shërbejnë si sinjal paralajmërues edhe për vendet e tjera të përfshira në rrjet.

Duke pasur parasysh se rasti i “Aptamil” ishte bërë publik përmes RASFF që në dhjetor 2025 në Kosovë dhe se bëhet fjalë për ushqim për foshnja, një nga kategoritë më të ndjeshme të produkteve ushqimore, mbetet për t’u sqaruar pse autoritetet shqiptare reaguan vetëm pas një muaji.

Reagimi i vonuar, në krahasim me rastin e Kosovës, ngre pikëpyetje mbi mekanizmat e monitorimit, shkëmbimin e informacionit dhe funksionimin praktik të sistemit të alarmit të hershëm në Shqipëri, veçanërisht kur rreziku lidhet drejtpërdrejt me shëndetin e fëmijëve./acqj.al