Aftësi të kufizuara, por jo të drejta të kufizuara

Personat me aftësi të kufizuara, veçanërisht ata që nuk dëgjojnë ose kanë vështirësi në dëgjim, përballen me sfida të mëdha në sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Nga mungesa e interpretëve në gjykata deri te vonesat në procedura, të drejtat e tyre shpesh neglizhohen, duke i lënë të cenueshëm. Rastet e fundit theksojnë nevojën për reforma sistemike për të siguruar trajtim të drejtë për të gjithë, pavarësisht aftësive fizike.

Autore: Jona Cenameri

Personat me aftësi të kufizuar shpeshherë përballen me sfida të mëdha në sistemin e drejtësisë, nga mungesa e interpretëve në polici dhe në gjykata deri te zvarritjet e gjata të proceseve. Të drejtat e tyre shpesh neglizhohen, duke i lënë në pozita të vështira gjatë trajtimit të çështjeve ligjore.

Pasditen e 10 majit 2024 një qytetar telefonoi 129 për të kërkuar ndihmë, sepse, sipas tij, një i panjohur e kishte vjedhur me dhunë. Në orën 1740 të asaj pasditeje policia njofton arrestimin në flagrancë të 34-vjeçarit, M. A., banues në Tiranë.

Prokurori i çështjes pas shqyrtimit të dëshmive, procesverbaleve dhe raportit të mbajtur nga policia kërkoi masën e sigurimit “Arrest me burg”, bazuar në rrezikshmërinë e veprës penale dhe në faktin se i dyshuari kishte disa precedentë penalë për vjedhje.

Ditën e tretë nga arrestimi në flagrancë 34-vjeçari del para gjykatës për vlerësimin e masës së sigurimit. Seanca shtyhet me një ditë nga gjyqtari i çështjes, Gerd Hoxha, sepse personi nuk fliste dhe nuk dëgjonte. Për një proces të rregullt ishte e domosdoshme prania e një interpreti të gjuhës së shenjave.

Në datën 14.05.2024, me ndihmën e interpretes, gjyqtari ka rrëzuar kërkesën e prokurorisë për vendosjen e masës së sigurisë “Arrest me burg”, si dhe e ka shpallur të paligjshëm arrestimin në flagrancë të 34-vjeçarit.

Sipas censusit të vitit 2011 të INSTAT, në Republikën e Shqipërisë ka rreth 39.000 njerëz. që nuk dëgjojnë (të dhënat e CENS2023 ende nuk janë publike). Vetëm në 2 vitet e fundit personat që nuk dëgjojnë kanë fituar disa të drejta, si pajisja me kemp dhe njohja e interpretëve të gjuhës së shenjave nga Ministria e Drejtësisë si përkthyes zyrtarë. Në këto kushte, gjykatësve dhe administratorëve të drejtësisë iu duhet që të ngrenë vigjilencën për të marrë masat përkatëse në respekt të të drejtave të njeriut.

Kodi i Procedurës Penale në nenin 8, pika 2 dhe 3, shprehet qartë se “… personat, që nuk dëgjojnë dhe nuk flasin, kanë të drejtë të përdorin gjuhën e shenjave. Shpenzimet e përkthimit dhe të interpretimit paguhen nga shteti.”

Personat, që nuk dëgjojnë, përballë gjykatës

Interpretja, Rovena Rojba, kujton një rast, që e ka bërë të mendojë për vulnerabilitetin e njerëzve që nuk dëgjojnë përballë sistemit të drejtësisë.

“Para disa vitesh më thirrën në polici që të përktheja një djalë, që kishte vjedhur një monopatinë. Unë isha në punë atë ditë dhe shkova shumë vonë. Kur shkova në rajon, ishte ora 10 e darkës. Ai më shihte nga dritarja e paraburgimit, totalisht i hutuar. Nuk dinte, as pse ishte aty, sepse nuk ishte marrë vesh me policët. Më tha se s’kishte ngrënë asgjë gjithë ditën. Pas komunikimit të ndërmjetësuar nga unë, e trajtuan më mirë dhe mendova me vete, sa keq është një njeri, që nuk ka pikë informacioni se çfarë po i ndodh, i izoluar nga bota!”.

Shoqata Kombëtare Shqiptare e Njerëzve që nuk Dëgjojnë (qendra ANAD) tregon për ACQJ se, problematikat, që hasin personat që nuk dëgjojnë përballë sistemit të drejtësisë, janë të shumta.

“Ka raste, kur pyetjet e para (në rastet e kapjes në flagrancë) bëhen pa praninë e interpretit. Në disa raste interpreti njoftohet, vetëm kur komunikimi bëhet i vështirë dhe i pakuptueshëm për organet kompetente, gjë që ndodh shpesh me policinë. Në prokurori dhe në gjykatë situata është ndryshe; seancat gjyqësore nuk zhvillohen në rastin e mospranisë së interpretit”, – përmbledh qendra ANAD.

Interpretja e gjuhës së shenjave, Paola Basha, shpjegon se edhe natyra e krimeve, që bëjnë personat që nuk dëgjojnë, diktohet nga aftësia e tyre e kufizuar, nga mungesa e arsimimit dhe e informacionit.

“Personat që nuk dëgjojnë zakonisht akuzohen për vjedhje nga varfëria (vjedh makinën dhe e shet për skrap, lë dhe kartën e identitetit atje, jo ndonjë vjedhje mjeshtri); akuzohen për dhunë brenda familjes, sepse i trajtojnë si barrë, jo si të barabartë dhe vjen një moment që shpërthejnë, ose akuzohen për dhunë jashtë familjes si pasojë e diskriminimit”.

Interpretët e gjuhës së shenjave kanë nisur që të certifikohen si përkthyes zyrtarë nga Ministria e Drejtësisë vetëm në vitin 2022 dhe tani ata gëzojnë të njëjtin status me përkthyesit zyrtarë të gjuhëve të huaja, mbështetur kjo edhe me VKM dhe udhëzime të ministrisë. Më parë të drejtat e personave që nuk dëgjojnë dhe nuk flasin garantoheshin me anë të interpretimit nga familjarë apo interpretë, që delegoheshin nga qendra ANAD (Shoqata Kombëtare Shqiptare e Njerëzve që nuk Dëgjojnë).

Kjo e drejtë duhet të ishte garantuar prej kohësh nga shteti, sepse vetë Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë në nenin 31, pika c, shprehet: “Gjatë procesit penal kushdo ka të drejtë të ketë ndihmën pa pagesë të një përkthyesi, kur nuk flet ose nuk kupton gjuhën shqipe.”

Lista e përkthyesve të certifikuar nga Ministria e Drejtësisë aktualisht përmban 1.186 përkthyes për 30 gjuhë, përfshirë edhe gjuhën e shenjave. Anglishtja përbën shumicën, me 458 përkthyes; kurse gjuha e shenjave përfaqësohet me vetëm 4 përkthyes, prej të cilëve njëri jeton në Durrës, dhe 3 të tjerët, në Tiranë. Shoqata Kombëtare Shqiptare e Njerëzve që nuk Dëgjojnë e konsideron këtë numër të pamjaftueshëm, si nga sasia, por edhe nga shpërndarja gjeografike.

“Katër janë më mirë se asnjë, por është e pamundur që të mbulojnë të gjitha nevojat e komunitetit. Fushat e jetës janë të ndryshme dhe interpretët kanalizohen në drejtime të ndryshme. E vetmja zgjidhje është hartimi dhe miratimi i Ligjit të Shërbimeve, i cili do të hapte dyert për punësimin e interpretëve dhe ofrimin e shërbimeve të interpretimit në fusha të ndryshme. Gjithashtu, është i nevojshëm informimi i gjykatave të rrethit për situatën reale, ku në Shqipëri janë vetëm 4 interpretë, si dhe duhet bashkëpunuar për caktimin e seancave, për të shmangur mbivendosjet”, – arsyeton SHKSHNJD.

Vonesat dhe mospagesat e përkthyesve

M. A., ishte fatlum, por atij mund t’i ishte dashur të priste me muaj për të marrë të drejtën e tij. Gjyqtari i kësaj çështjeje, z. Gerd Hoxha, tregon se, mungesa e përkthyesit apo interpretit për 2 apo 3 seanca bën që procesi të shtyhet për më shumë se 6 muaj.

“Në dijeninë time pagesat vonohen dhe është pikërisht ky fakt që sjell vështirësi në procese, sepse një përkthyes, që vjen, bën punën e tij dhe pastaj i vonohet pagesa, nuk vjen më në procesin tjetër. Këtë problem e bisedon edhe me kolegët, të cilët tremben se mos pësojnë të njëjtin fat dhe refuzojnë apo nxjerrin arsye të tjera, të cilat ne nuk jemi në gjendje t’i vërtetojmë, nëse qëndrojnë apo jo”, – thotë z. Hoxha.

ACQJ iu drejtua Ministrisë së Drejtësisë me një kërkesë për informacion, e cila pohoi problemet me pagesat e përkthyesve zyrtarë, madje edhe rastet kur ata nuk paguhen fare. Problem ky që rezulton në refuzime nga përkthyesit, qofshin të gjuhëve të huaja apo të gjuhës së shenjave dhe si rezultat ka zvarritje në proceset gjyqësore.

“Refuzime ka pasur dhe kryesisht për procese penale larg vendit të banimit të përkthyesit, për shkak të vonesave në pagesa nga gjykatat apo mospagesa, shtyrje të seancave, jo për shkak të përkthyesit etj.”, – thotë Ministria e Drejtësisë, duke ia lënë gjykatave përgjegjësinë për këto parregullsi.

Interpretja e gjuhës së shenjave, Rovena Rojba, pranon se i janë dashur edhe 5 apo 6 muaj për të marrë pagesën e angazhimit të saj në seancat gjyqësore ose s`e ka marrë fare atë.

“Unë këtë punë e bëj, sepse e ndjej që t’i ndihmoj personat që nuk dëgjojnë, por edhe humanizmi e ka një kufi dhe është e drejta ime që të paguhem”.

Ku çalon procedura?

Interpretët nuk janë të vetmit që kanë probleme me pagesat. Michaela Kubíčková, një nga dy përkthyeset zyrtare të gjuhës çeke, tregon për ACQJ se gjatë dy viteve punë si përkthyese zyrtare është paguar vetëm 1 herë nga Gjykata e Lezhës, sepse njihte një nga sekretaret e gjykatës.

“Organet e legjislativit të kërkojnë të bësh një sërë dokumentesh, burokracirash, të cilat i kam bërë dhe prapë s’kam marrë asnjë përgjigje apo pagesë”, – thotë përkthyesja e gjuhës çeke, teksa akoma pret një pagesë për një gjyq të realizuar në Gjykatën e Kukësit, më shumë se gjysmë viti më parë.

Kjo moskorrektësi e gjyqësorit i vendos në një pozitë të papërshtatshme gjyqtarët përballë përkthyesve apo interpretëve dhe e anasjella. Nga njëra anë, gjyqtarët kanë nevojë për prezencën e përkthyesve në gjyq, siç e përcakton ligji dhe, nga ana tjetër, përkthyesit nuk iu përgjigjen për shkak të problemeve me pagesat. Në këto kushte gjyqtarët gjenden përballë dilemës morale për t’iu bërë kallëzim penal apo për t’i justifikuar, gjë që nuk e zgjidh aspak problemin dhe lë pezull drejtësinë…

“Kam pasur raste, kur më është dashur t’iu kujtoj përkthyesve zyrtarë kallëzimin penal dhe penalitetet ligjore, që mund t`iu vijnë nga refuzimi për të marrë pjesë në një çështje, – rrëfen gjyqtari, Gerd Hoxha, i keqardhur që detyrohet të bëjë rolin e policit, duke shtuar se, – nuk mund t`iu kërkoj as shumë llogari, sepse përgjegjësia fillimisht është e organit procedues, e gjykatës apo e prokurorisë, që nuk realizon pagesat në kohë”.

Një faktor tjetër, pengues për pagesat e përkthyesve dhe të interpretëve është edhe pajisja me NIPT. Përkthyesit dhe veçanërisht ata që janë të një-punësuar e shohin këtë si një barrë të papërballueshme, ekonomike, që i ngarkon me siguracione dhe taksa shtesë, të cilat puna si përkthyes në gjykatë nuk ua mbulon dot. Për këtë disa e “refuzojnë gjykatën”, edhe pse e kanë emrin në listën e përkthyesve zyrtarë, ndërsa disa të tjerë operojnë me 15% e mbajtjes së tatimeve në burim.

Për rastin e qytetarit M. A., interpretja, që e ndoqi çështjen nga policia, në prokurori e deri në gjykatë, akoma s’ka marrë asnjë pagesë për punën e kryer.

“Sorollatje nga Gjykata e Juridiksionit të Përgjithshëm Penal, te Gjykata e Juridiksionit të Përgjithshëm Civil, në Tiranë; sa te Prokuroria, te Financa, marrje vërtetimesh nga gjykatësi dhe, si përfundim, pasi e mora dhe e dorëzova edhe atë dorazi, akoma nuk e kam marrë 5 mijë lekëshin tim. Tri orët e prokurorisë nuk i kërkova fare, për t’i kursyer vetes një kalvar vërdallisjesh, që rezultojnë edhe të papaguara në fund”, – rrëfen e zhgënjyer znj. Rojba.

Policia, prokuroria, gjykata dhe pingpongu i përgjegjësive

ACQJ iu drejtua Këshillit të Lartë Gjyqësor me një kërkesë për informacion, të cilin ky organ në 3 shtator 2024 ia delegoi të gjitha gjykatave të vendit. Deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi vetëm 9 nga 17 gjykata kanë kthyer përgjigje. Nga informacioni i grumbulluar nga përgjigjet e gjykatave vihet re se zëri në buxhet për pagesën e interpretëve dhe të përkthyesve ekziston. Në gjykatat e rretheve është i përfshirë në një zë të përbashkët për të gjithë ekspertët e gjykatës ose s’ka një planifikim fiks në lekë. Madje, në shumicën e rasteve këto buxhete nuk janë konsumuar plotësisht.

Gjykata e Elbasanit ka shpenzuar 80.600 lekë për pagesën e përkthyesve dhe të interpretëve gjatë viteve 2020-2024, ndërkohë që ajo e Fierit ka shpenzuar 76.430 gjatë viteve 2020-2024 dhe ka pasur të planifikuar një buxhet prej 350.000 lekësh për këto vite.

Gjykata e Kukësit ka shpenzuar pothuajse vetëm gjysmën e fondeve të parashikuara prej 420.000 lekësh për këto vite, ndërsa Gjykata e Gjirokastrës ka shpenzuar 527.757 lekë për pagesën e përkthyesve dhe të interpretëve gjatë viteve 2020-2024, por nuk është prononcuar se sa ka qenë buxheti i planifikuar për këto vite.

Gjykata e Dibrës ka shpenzuar 468.000 lekë për pagesën e përkthyesve dhe të interpretëve gjatë viteve 2020-2024 dhe ka pasur të planifikuar për të gjithë ekspertët një buxhet prej 640.000 lekësh për këto vite dhe ky trend i mospërdorimit të fondeve në dispozicion shihet edhe në gjykatat e tjera, si ato të Shkodrës, të Korçës, të Sarandës dhe të Beratit.

Gjykata e Lartë ka shpenzuar 0 lekë për pagesën e përkthyesve dhe të interpretëve gjatë viteve 2020-2024 dhe ka pasur të planifikuar një buxhet prej 700.000 lekësh për këto vite.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka shpenzuar 262.870 lekë për pagesën e përkthyesve dhe të interpretëve gjatë viteve 2020-2024 dhe ka pasur të planifikuar një buxhet prej 529.800 lekësh për këto vite.

Në të njëjtën kohë, përkthyesit ankohen për disa çështje, që duhet të merren parasysh. Së pari, pagesa është e ulët, 4.200 lekë për çdo orë përkthimi, pa përfshirë TVSH. Së dyti, për procedurat e zgjatura, burokratike e të ngadalta për ta marrë atë pagesë. Së treti, vonesat ose shtyrjet gjatë seancave gjyqësore, për mungesa të avokatëve etj. Së katërti, transporti dhe orët e pritjes në rastet e thirrjes në gjykata, që nuk iu përkojnë me qytetin e banimit. Në rast vonesash koha e angazhimit është shumë e madhe në raport me pagesën; ndërsa në rastin e shtyrjeve të seancave përkthyesi nuk paguhet fare.

Megjithatë, problemet nuk mbarojnë me gjykatat. Përkthyesit dhe interpretët, kur vjen puna te pagesat, janë në një mendje se gjykatat janë më korrekte krahasuar me policinë apo prokurorinë, institucione ku ata pothuajse nuk paguhen kurrë.

Përkthyesi i gjuhës norvegjeze/suedeze/daneze, Genti Myderizi, tregon se sot e kësaj dite policia nuk i paguan, sepse ata nuk kanë një zë në buxhet për përkthyes, kurse ministria jo-zyrtarisht iu sugjeron të kenë kujdes apo mos t’ia marrin përsipër përkthimet.

“Policia është në stres. Të kontaktojnë edhe në 2 të natë: “Të lutem, na ndihmo. Të jap një darkë nesër”, – rrëfen z. Myderizi.

Policia e Shtetit në një përgjigje zyrtare për ACQJ duket se nuk ka statistika në lidhje me arrestimin e personave që kanë probleme me dëgjimin apo të folurin.

“Gjatë 5 viteve të fundit nuk ka patur asnjë rast arrestimi të personave që nuk dëgjojnë, ku ka qenë nevoja për një interpret të gjuhës së shenjave”, – përgjigjet policia.

Ndërkohë që rasti që sollëm në krye të artikullit ka kaluar pikërisht nga Policia e Shtetit.

Interpretja e çështjes, Rovena Rojba, dhe kolegia e saj, Paola Basha, konfirmojnë se janë thirrur nga policia disa herë në këto 5 vitet e fundit.

Policia e Shtetit pranon që nuk ka të parashikuar zë në buxhet për përkthyes, pasi është organi i akuzës përgjegjës për sigurimin dhe pagesën e përkthyesve. Ndërkohë, sipas avokatëve, policia është e para që kontakton me këtë kategori dhe kryen seancën e parë të pyetjeve, sidomos për arrestimet në flagrancë.

Përgjegjësia për këto pagesa i takon prokurorisë dhe në sorollatjen sa nga një organ te tjetri përkthyesit dhe interpretët ngelen pa paguar.

Prokuroria e Përgjithshme ka një buxhet të përcaktuar për interpretët. Sipas kësaj strukture, pagesat për përkthyesit e gjuhës së huaj dhe interpretët e gjuhës së shenjave përfshihet në buxhet, te zëri Shpenzime operative, artikulli 602.

Vetëm për përkthyesit, në 5 vitet e fundit, ky zë ka qenë në shumën 13.250.000 lekë, nga ky zë është shpenzuar shuma 12.929.637 lekë.

Prokuroria pranon se ka pasur edhe raste mospagimi për shërbimin e kryer, por shton se mospagimi ka ndodhur për shkak të përkthyesve të palicencuar.

“Izolimi” në burg, jo thjesht fizik

Sipas të dhënave të mundësuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, aktualisht në sistemin e burgjeve janë të akomoduar të burgosur me aftësi të kufizuara fizike dhe mendore, nga të cilët rreth 450 të burgosur me probleme të shëndetit mendor, 6 të burgosur me aftësi të kufizuara, fizike, që kanë nevojë për shërbim kujdestarie dhe 74 të burgosur, që nuk e flasin gjuhën shqipe: shtetas gjermanë, italianë, rusë, anglezë, ukrainas, turq, izraelitë etj.

Shoqata Kombëtare Shqiptare e Njerëzve që nuk Dëgjojnë e sheh të nevojshme dhe thelbësore nxjerrjen e statistikave mbi numrin e personave që nuk dëgjojnë dhe që janë të dënuar, si dhe identifikimin e burgjeve ku ata ndodhen. Gjithashtu, një emergjencë e rëndësishme për ta është takimi me psikologun në prani të interpretit, për të parë se si po e përballojnë burgimin këta individë dhe shqetësimet që mund të kenë.

E pyetur nga ACQJ se si realizohet komunikimi në burgje me shtetasit që nuk dinë shqip apo edhe me ata që nuk mund të flasin dhe nuk dëgjojnë, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve përgjigjet shkurt: “Një nga kriteret e rekrutimit të stafit, që ka kontakt të drejtpërdrejtë me të burgosurit në sistemin e burgjeve (stafi shëndetësor, psikosocial etj.,) është njohja e gjuhës angleze apo e një gjuhe tjetër të BE. Aktet procedurale trajtohen nga përkthyes të licencuar, – duke shtuar se, – në sistemin e burgjeve ka staf të dedikuar për t`i asistuar personat e burgosur me aftësi të kufizuara, fizike dhe mendore, që kanë nevojë për shërbim sanitar apo kujdestari.”

Burgimi është i vështirë për këdo, për shtetasit e huaj pak më shumë, por akoma më i vështirë është për personat që nuk dëgjojnë. Për ta, në mungesë të mjeteve të të shprehurit, ai kthehet në një sfidë psikosociale shumë më të rëndë.

Interpretja e gjuhës së shenjave, Paola Basha, tregon pak mbi situatën e tyre.

“Burgimi për personat që nuk dëgjojnë është diskriminim dhe izolim total. Nuk kanë asnjë mënyrë komunikimi për të shprehur kërkesat apo nevojat e tyre. Presin vizitat e familjarëve, me të cilët mund të kenë komunikimin e tyre, të brendshëm, familjar, se jo gjithmonë e dinë gjuhën e shenjave”, – tregon ajo.

Qendra ANAD iu bën thirrje institucioneve përgjegjëse, që të shmangim izolimin e personave që nuk dëgjojnë, duke krijuar një komunitet, ku ata të mos ndihen të vetmuar dhe të paqartë; gjë që, sipas tyre, mund të realizohet edhe përmes një manuali se si të komunikosh me njerëzit që nuk dëgjojnë.

E drejta për komunikim dhe përfaqësim të drejtë në gjykatë nuk duhet të jetë një privilegj, por një standard i garantuar për çdo qytetar, pavarësisht aftësive të tyre, fizike. Është përgjegjësia e sistemit gjyqësor, e policisë dhe e interpretëve që të sigurojnë që këta individë të mos përjashtohen më tej në proceset ligjore. Injorimi i kësaj nevoje kritike komprometon, jo vetëm të drejtat e personave që nuk dëgjojnë, por edhe integritetin e gjithë sistemit të drejtësisë.

Ky shkrim është pjesë e projektit Laboratori i Gazetarisë Investigative, që mbështetet financiarisht nga Zyra e Mardhënieve me Publikun e Ambasadës së SH.B.A. në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë te autor-it/ve dhe nuk përfaqesojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.