Denada Jushi
Më 11 maj 2025, zhvillohen zgjedhjet e përgjithshme. Sipas Kodit Zgjedhor, katër muaj para kësaj date, qeveria dhe bashkitë ndalohen të promovojnë investime publike, projekte infrastrukturore apo plane rindërtimi. Ky kufizim ka për qëllim të garantojë një garë të ndershme mes partive dhe të parandalojë përdorimin e burimeve shtetërore për përfitime politike.
Neni 91, pika 4, i ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008, i ndryshuar, dhe vendimi nr. 9, datë 24.12.2020, i Komisionit Rregullator pranë KQZ-së, e përcaktojnë qartë këtë kufizim. Përjashtimet e vetme janë për:
i) akte ligjore e nënligjore;
ii) që synojnë kategori të caktuara të popullsisë;
iii) dhe që parashikojnë rritje pagash, pensionesh, apo ulje taksash.
Gjithashtu, ndalohet promovimi i aktiviteteve publike për të cilat janë vënë rishtazi ose posaçërisht në dispozicion fonde publike.
Pavarësisht kësaj, praktika e zbatimit të ligjit lë shumë për të dëshiruar. Kodi zgjedhor, i hartuar dhe miratuar nga vetë politika, shpesh injorohet dhe shkeljet janë të dukshme.
Rastet flagrante të shkeljeve
Organizatat e shoqërisë civile kanë dokumentuar disa raste konkrete. Ndër më të rëndat është përdorimi i administratës publike për qëllime elektorale. Një shembull është takimi i Kryeministrit Rama me punonjës të Bashkisë së Tiranës, të cilët, sipas dëshmive, u detyruan të merrnin pjesë.
A.M., luleshtare në Bashkinë e Tiranës, tregon për “Sinjalizo” se më 20 shkurt 2025 ajo dhe koleget u thirrën për një takim politik:
“Na thanë të vinim me uniformë pune, në orën 15:00 në shesh. Ishim në listë dhe duhej të raportonim pjesëmarrjen. Askush s’do të rrijë në të ftohtë pas turnit, por më duhet vendi i punës, sepse me të mbaj familjen.”
Shkeljet nuk ndalen me kaq. Ministria e Infrastrukturës vazhdon të publikojë njoftime për projekte rrugore dhe të transportit. Gjithashtu, miratimi i bonuseve për pensionistët dhe kalimi i ligjit për pronat në zonat malore janë shembuj të tjerë të ndërhyrjeve që cenojnë barazinë në zgjedhje. Pas 11 janarit, promovimi i investimeve nga Kryeministri dhe ministrat në rrjete sociale ka vijuar, në kundërshtim të hapur me ligjin.
Juristi Marash Logu e sheh këtë si ndërhyrje direkte në procesin zgjedhor:
“Promovimi i investimeve në këtë periudhë synon të manipulojë dhe të tjetërsojë vullnetin e zgjedhësve. Për këtë arsye, KQZ ka parashikuar rregulla të qarta.”
“Sinjalizo” kërkoi koment nga Agjencia për Media dhe Informim (MIA), por nuk mori përgjigje.
Përdorimi politik i institucioneve
Qëndresa Qytetare, një organizatë e angazhuar në monitorimin e zgjedhjeve, ka evidentuar disa raste abuzimi. Sipas tyre, Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu rezulton një nga figurat më të promovuara përmes rrjeteve sociale të shkollave:
“Kemi dokumentuar që çdo shkollë ka një person përgjegjës për shpërndarjen e postimeve të ministres.”
Organizata ka dorëzuar tre kallëzime pranë KQZ-së, përfshirë:
– 36 drejtorë shkollash dhe ZVA
– 18 drejtorë spitalesh dhe qendrave shëndetësore
– 1 kryetar bashkie
Të gjithë janë akuzuar për përdorim të faqeve zyrtare për fushatë në favor të Partisë Socialiste.
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve ka nxjerrë një udhëzim për të ndalur këtë praktikë, por në realitet, ndikimi mbetet i kufizuar. Kryetari i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, ka shprehur shqetësimin në rrjetet sociale, duke përmendur miratimin e dy projektligjeve me ndikim fiskal që krijojnë perceptimin e përdorimit të ligjit për qëllime elektorale.
KQZ, në një përgjigje për “Sinjalizo”, deklaron se:
“Çdo rast po shqyrtohet individualisht. Nëse konstatohen shkelje, merren masa administrative përkatëse.”
Por në praktikë, gjobat janë simbolike. Në vitin 2023 u vendosën vetëm 20 gjoba, me vlerë totale 20,000 euro – një shumë që nuk i pengon shkelësit të përsërisin veprimin. Për më tepër, partitë politike nuk janë të gatshme të ashpërsojnë dënimet, duke forcuar kulturën e pandëshkueshmërisë.
Kush janë shkelësit kryesorë?
Sipas monitorimeve, shkelësit më të shpeshtë janë vetë zyrtarët më të lartë të qeverisë. Përveç Kryeministrit Rama dhe Ministres së Infrastrukturës Belinda Balluku, Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu është emri më i përmendur për promovime elektorale në rrjetet e institucioneve publike, veçanërisht në shkolla.
A ndikon kjo propagandë në zgjedhje?
Promovimi i investimeve publike në prag zgjedhjesh i jep një avantazh të padrejtë partise në pushtet. Përmes përdorimit të automjeteve zyrtare, karburantit, punonjësve të administratës dhe hapësirave publike, mazhoranca e kthen qeverisjen në instrument të fushatës.
Ky fenomen përsëritet në çdo palë zgjedhje dhe është kritikuar vazhdimisht nga vëzhguesit ndërkombëtarë. Megjithatë, KQZ dhe institucionet e tjera mbeten të pafuqishme përballë një pushteti që kontrollon të gjithë mekanizmat shtetërorë.
Qeveria ka treguar se është e gatshme të anashkalojë ligjin për përfitime elektorale. Nëse ky trend vijon, garancia për zgjedhje të lira dhe të ndershme mbetet vetëm në letër – ndërsa realiteti për qytetarët është një proces i shtrembëruar nga abuzimi dhe propaganda.