Denada Jushi
Vitet e fundit, fjala PPP është e dëgjuar thuajse në çdo seancë parlamentare, debat publik, media, por rreth kësaj fjale ka një mister, çfarë do të thotë realisht Partneriteti Publik-Privat (PPP)?
Edhe pse e kemi parë të bashkudhëtojë me fjalën “korrupsion”, PPP është një lloj shumë i veçantë kontrate, ku partneri publik (subjekti qeveritar) i delegon disa nga përgjegjësitë e veta një partneri privat.
Kjo në bazë të një kontrate afatgjatë që përcakton të drejtat dhe detyrimet e secilës palë.
Në letër duket një marrëveshje ku fitojnë të gjitha palët, por në të vërtetë PPP-të janë kthyer në diskutimin se janë “shtrati” ku korrupsioni lind.
Sipas iniciativës “Monitorimi Ballkanik i Financave Publike”, kostot e dështimit të projekteve me koncesion paguhen nga xhepat e qytetarëve.
Çdo projekt investimi në infrastrukturë është një mundësi për korrupsion, por projektet me koncesion/Partneritet Publik-Privat (PPP) krijojnë një hapësirë më të favorshme për shkak të mungesës së konkurrencës dhe kompleksitetit të projekteve, duke e bërë jashtëzakonisht të vështirë ndjekjen e përgjegjësive për shkak të sundimit të dobët të ligjit në shumicën e vendeve të Evropës Juglindore.
Aktualisht në Komisionin e Ekonomisë po diskutohet projektligji “Për koncesionet dhe partneritetin publik-privat”, i cili parashikon kufizime të reja për lidhjen e kontratave.
Me ligjin e ri do të detyrohen institucionet të bëjnë publike çmimin e ofertës, listën e çmimeve, katalogun, informacionin lidhur me kriteret e përzgjedhjes së ofertës, dokumentet publike.
Por ajo që bie në sy është ende mungesa e kapaciteteve për të monitoruar këto PPP.
FMN ngre alarmin se përvoja e Shqipërisë ka mungesë të kapacitetit teknik dhe burimeve të afta njerëzore si dhe qëllimet e programit nuk u përmbushën.
Në konferencën e mbajtur në datë 9 dhjetor nga Center for Legal Environment CLE dhe Albanian Institute for Research u diskutua për ngritjen e këtyre kapaciteteve me qëllim monitorimin e kontratave publike. Po cilat janë disa nga rreziqet e këtyre kontratave shtet–privat?
Raporti vjetor i SPAK për vitin 2024, i cili përfshin gjithashtu një matje të riskut të institucionit në fushën e kompetencës së tij (jo në nivel kombëtar), vë në dukje se korrupsioni i zyrtarëve të lartë zhvillohet brenda një mjedisi shumë kompleks.
Ky fenomen materializohet përmes manipulimit sistematik të procedurave publike dhe shfrytëzimit të funksioneve zyrtare për përfitime personale.
“Veprat penale më të shpeshta përfshijnë ushtrimin e ndikimit të paligjshëm, shkeljen e parimit të barazisë në tendera, falsifikimin e dokumenteve, korrupsionin aktiv dhe pasiv, pastrimin e produkteve të veprës penale, shpërdorimin e detyrës dhe falsifikimin e vulave e materialeve zyrtare,” thotë Juelda Lamçe
Duke e bërë të vështirë jo vetëm mbikëqyrjen e këtyre PPP-ve, por edhe hetimin nga organet e drejtësisë për shkak të kompleksitetit që këto kontrata kanë.
Sektorët që jepen me PPP janë tejet të rëndësishëm, projektet janë të mëdha, në zhvillim dhe lidhen me mirëfunksionimin së vendit, ndaj çdo PPP e dhënë duhet të jetë transparente dhe që çdo para e investuar të shkojë në vendin e duhur.
Që kjo të ndodhë, është me rëndesi, që se pari të ngrihen kapacitetet monitoruese për ti mbikqyrur keto kontrata./acqj.al