Denada Jushi
Thirrja e fundit e Administratës Tatimore pak ditë më parë mbi tatimin e subjekteve të cilët operojnë në platformat online ka hapur një debat të ri mbi formalizimin e ekonomisë digjitale në Shqipëri.
Përmes njoftimit zyrtar, Tatimet u bënë thirrje të gjithë individëve që kanë realizuar të ardhura nga platformat online që t’i deklaronin ato brenda datës 31 mars përmes sistemit DIVA 2025. Në të kundërt, paralajmërohen penalitete sipas legjislacionit në fuqi. Në fokus janë veçanërisht influencerat dhe krijuesit e përmbajtjes që përfitojnë nga reklamimet në rrjetet sociale.
Sipas njoftimit, duhet të deklarohen të gjitha të ardhurat e realizuara gjatë vitit, qoftë përmes llogarive bankare apo çdo forme tjetër pagese, përfshirë pagesat elektronike apo fizike nga platforma si Meta (Facebook, Instagram, WhatsApp), Google, YouTube, Airbnb apo Booking. Administrata Tatimore thekson se disponon të dhëna mbi qarkullimet e realizuara në këto platforma, duke paralajmëruar se çdo mosdeklarim do të çojë në gjoba.
Shifrat tregojnë përmasën e fenomenit gjatë vitit të kaluar, rreth 33 milionë euro të ardhura nga rrjetet sociale duhej të deklaroheshin në DIVA 2024. Kjo tregon se tregu i reklamimit online dhe krijimit të përmbajtjes në Shqipëri nuk është më i vogel, por një sektor me rendësi në ekonomi.
Por çfarë kërkon konkretisht qeveria?
Baza ligjore është Ligji nr. 29/2023 “Për Tatimin mbi të Ardhurat”, i cili hyri në fuqi më 1 janar 2024 dhe zëvendësoi ligjin e vitit 1998. Ky ligj synon të unifikojë trajtimin fiskal të individëve dhe bizneseve, duke përfshirë edhe aktivitetet digjitale. Një influencer që konsiderohet rezident tatimor në Shqipëri (pra që jeton mbi 183 ditë në vit në vend) tatohet për të ardhurat e tij mbarëbotërore, përfshirë pagesat nga YouTube, TikTok apo bashkëpunimet me marka të huaja.
Një element i rëndësishëm është pragu prej 14 milionë lekësh xhiro vjetore. Deri në vitin 2029, personat fizikë të vetëpunësuar me qarkullim deri në këtë nivel përfitojnë tatim 0% mbi fitimin neto. Kjo do të thotë se pas zbritjes së shpenzimeve, nuk paguhet tatim mbi fitimin, por mbeten të detyrueshme kontributet shoqërore dhe shëndetësore.
Por gjerat ndryshuan kur një zhvillim i rëndësishëm ishte edhe vendimi nr. 52, datë 27.6.2024 i Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, e cila shfuqizoi tatimin 15% për profesionet e lira që ishte parashikuar fillimisht nga ligji 29/2023. Ky vendim riktheu influencerat e vetëpunësuar në skemën 0% deri në pragun 14 milionë lekë, duke ulur ndjeshëm barrën fiskale për sektorin.
Megjithatë, problematikat mbeten. Një nga çështjet më të ndërlikuara është ajo e pagesave. Shumë influencerë marrin produkte, pushime apo shërbime falas në këmbim të promovimit. Sipas ligjit, çdo përfitim ekonomik në këmbim të një shërbimi konsiderohet e ardhur e tatueshme dhe duhet deklaruar me vlerën e tregut. Mosdeklarimi mund të konsiderohet evazion fiskal.
Një tjetër pikë delikate është ndarja mes “shërbimit” dhe “honorarit”. Nëse influenceri krijon dhe publikon përmbajtje në kanalin e tij, trajtohet si shërbim biznesi. Por nëse ai i jep një marke të drejtën të përdorë materialin e tij për një periudhë të caktuar, kjo pagesë mund të klasifikohet si honorar dhe tatohet me 15% tatim në burim. Hartimi i kontratave bëhet thelbësor për të shmangur keqinterpretimet.
Nga ana tjetër, disa influencerë shprehin vështirësi praktike. Influencerja A.C.*(emri i influenceres është ndryshuar për efekt të anonimatit) thotë se paguan prej vitesh me NIPT kur lëshon faturë, por e sheh të vështirë standardizimin e tregut, pasi shumë bashkëpunime bëhen “në të zezë”, pa kontrata, ose përmes shkëmbimeve pa pagesë monetare. Sipas saj, kontratat afatgjata formalizohen më lehtë, por bashkëpunimet sporadike janë më problematike për t’u strukturuar fiskalisht.
Një element tjetër është TVSH-ja. Nëse qarkullimi vjetor kalon 10 milionë lekë, lind detyrimi për t’u regjistruar për TVSH dhe për të aplikuar 20% mbi shërbimet brenda vendit. Megjithatë, për shërbimet e ofruara ndaj klientëve të huaj zbatohet parimi i “eksportit të shërbimeve”, që tatohet me shkallë 0% TVSH. Kjo u jep mundësi influencerave shqiptarë të konkurrojnë në tregun ndërkombëtar pa ngarkesë shtesë.
Si vepron Bashkimi Evropian? Në shumicën e vendeve të BE-së, influencerat trajtohen si të vetëpunësuar ose biznese të vogla. Ata duhet të regjistrohen, të deklarojnë të ardhurat dhe, nëse kalojnë pragjet përkatëse, të aplikojnë TVSH. Një risi e rëndësishme është direktiva DAC7, që detyron platformat digjitale të raportojnë të ardhurat e krijuesve për autoritetet tatimore. Kjo e bën shumë më të vështirë fshehjen e të ardhurave, pasi administratat tatimore marrin informacion direkt nga platformat.
Në thelb, Shqipëria po ndjek të njëjtën logjikë formalizimi si BE, transparencë, raportim dhe tatim mbi fitimin. Për buxhetin e shtetit, përfitimi është i dyfishtë. Së pari, rriten të ardhurat nga një sektor në rritje. Së dyti, krijohet barazi fiskale mes atyre që operojnë në mënyrë të formalizuar dhe atyre që kanë funksionuar jashtë sistemit.
Debati për tatimin e influencerave nuk është vetëm teknik. Ai prek mënyrën se si shteti e sheh ekonominë digjitale, si një hapësirë informale që duhet toleruar, apo si një sektor profesional që duhet trajtuar me të njëjtat rregulla si çdo biznes tjetër. Me 33 milionë euro të ardhura të raportuara vetëm në një vit, mesazhi i qeverisë është i qartë: koha e “like”-ve pa taksa ka mbaruar./acqj.al