Vlora “feston” pa ujë! 

Pa ujë në prag festash, Vlora përballet me dështimin e infrastrukturës dhe heshtjen institucionale. Një defekt në ujësjellësin e vetëm të qytetit është kthyer në krizë sanitare, ndërsa qytetarët protestojnë për shërbimet bazike.

Denada Jushi

“Pa ujë nuk ka jetë” na është mësuar prej kur kemi qenë fëmijë, por mesa duket institucionet e Vlorës kanë munguar gjatë atij mësimi.

Prej katër ditësh, qyteti i Vlorës po përballet me një situatë të rëndë në furnizimin me ujë të pijshëm. Kjo ka bërë që banorët të revoltohen dhe të protestojnë.

Ditën e djeshme zgjodhën teatrin “Petro Marko” gjatë një shfaqeje, ku me pankarta “Ju gala, ne pa la” u përpoqën të ngrenë shqetesimin e tyre. 

Edhe pse Kryetari i Bashkisë është ndërruar së fundmi, apo Kryeministri përsërit urdhërin që deputetët të dalin të shohin shqetësimiet e banorëve, kjo gjë në Vlorë mesa duket nuk ka ndodhur.

Ndërprerja e ujit duket se ka nisur pas një defekti të ndodhur në tubacionin kryesor që furnizon depot e qytetit. Qindra familje kanë mbetur pa ujë në prag të festave ndërsa pamjet e shpërthimit të tubit  pas një ndërhyrjeje të dështuar janë bërë virale duke ekspozuar një problem më të thellë sesa një defekt teknik të përkohshëm.

Sipas informacioneve nga terreni, defekti ndodhi në linjën kryesore të transmetimit, pjesë e një projekti të realizuar në vitet 2009–2010, dhe jo në rrjetin e ri të ujësjellësit që aktualisht është në ndërtim.

Edhe pse prej dy vjetësh është trumbetuar se problematika e ujit në Vlorë do të zhdukej me ndertimin e ujësjellësit të ri, kjo ngjarje e pazakontë tregoi se problematika kryesore është infrastruktura e vjetër dhe reagimi i vonuar.

Kriza e ujit nuk qëndron vetëm tek çarja e një tubi, por tek gjendja e amortizuar e infrastrukturës  dhe mungesa e një reagimi të shpejtë institucional. 

Bashkia Vlorë ka reaguar duke thene se çarja e tubacionit erdhi si pasojë e rrëshqitjes së dherave.

Më shqetësues është fakti se Bashkisë së Vlorës dhe strukturave përgjegjëse iu deshën katër ditë për të gjetur një zgjidhje, si shpërndarja e ujit përmes autoçisternave të bashkisë. Por kjo nuk ka mjaftuar. Kryetarja e Bashkisë shprehet se situata është vetëm e përkohshme, ndërkohë që pjesët e nevojshme për riparimin e tubacionit po transportohen me avion nga Turqia.

“Vijmë nga puna nuk lahemi dot”,

“Po mbushim ujë në det, jemi të paralizuar, pa ujë nuk bëjmë dot asgjë,” thonë disa nga bonorët që zgjodhen të protestojnë edhe sot para Bashkisë.

Mungesa e ujit ka nxitur reagime dhe protesta nga qytetarët, nga ana tjetër Kryebashkiakja Mersini deklaroi se problemi është drejt zgjidhjes. Sipas saj, mbi 15 bote uji kanë operuar në qytet gjatë ditëve të fundit, me prioritet furnizimin e institucioneve.

Por përpara se të sigurohej zgjidhja për qytetarët, sherrnaja politike si gjithnjë merr më tëpër vëmendje se nevoja e qytetarëve.

Mersini akuzoi opozitën dhe anëtarët demokratë të Këshillit Bashkiak për organizimin e protestave, duke theksuar se “nuk është momenti për të bërë opozitë me një fatkeqësi”. 

Gjithsesi sipas autoriteteve, një pjesë e qytetit,  zona e Lungomares, ka nisur të furnizohet me ujë me presion minimal, furnizimi do të vijojë në mënyrë graduale.

Paradoksalisht, paralelisht me këtë krizë, vijon projekti i ri i ujësjellësit të Vlorës, me një investim prej rreth 17 milionë eurosh. I premtuar ai zgjidhja përfundimtare, Vlonjatët do t’iu duhet të festojnë pa ujë këtë fundvit. /acqj.al