Redaksia ACQJ
Në ditën kur Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare për Shoqërinë e Informacionit u vu nën arrest si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal dhe SPAK kërkoi heqjen e imunitetit të Zëvendëskryeministres dhe Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, për tetë procedura prokurimi me vlerë mbi 600 milionë euro, Kryeministri Edi Rama zgjodhi të fliste për transparencën.
Jo për përgjegjësinë. Jo për dështimet institucionale. Jo për mënyrën se si informacioni publik administrohet, filtrohet apo refuzohet çdo ditë. Por për “arritjet”.
Në Konferencën e Përvitshme për të Drejtën e Informimit, Kryeministri ndërtoi një narrativë optimiste për gjendjen e transparencës në Shqipëri, duke e përshkruar realitetin si një “gotë gjysmë plot”. Ishte një metaforë e rehatshme. Por për këdo që ka tentuar të ushtrojë të drejtën për informim, gazetarë, qytetarë, organizata, ajo gotë rrallëherë mbushet edhe deri në mes. Shpeshherë është bosh. Dhe jo rastësisht.
Problemi i transparencës në Shqipëri nuk është mungesa e ligjit. Kuadri ligjor ekziston. Problemi është mënyra se si ai zbatohet: në mënyrë selektive, me vonesa, me arrogancë, dhe shpeshherë me refuzime të maskuara si përgjigje.
Arroganca institucionale, mospërfillja e kërkesave, mungesa e kthimit të përgjigjeve brenda afateve ligjore, si dhe praktika e dhënies së përgjigjeve që nuk kanë asnjë lidhje me pyetjet e parashtruara, janë kthyer prej kohësh në standard komunikimi për institucionet shtetërore, qendrore dhe vendore, entet e pavarura, por edhe shoqëritë tregtare nën varësi të Këshillit të Ministrave.
Kryeministri tentoi ta zhvendosë përgjegjësinë drejt ministrive apo administratës së mesme. Por problemi nuk nis aty. Ai nis nga lart. Aksesi mungon që në krye. Sot është thuajse e pamundur të përfitosh një përgjigje të plotë dhe substanciale nga institucionet qendrore brenda afateve ligjore. Edhe në rastet e pakta kur përgjigjja vjen, ajo shpesh është e pjesshme, e zbrazët nga përmbajtja, formale, sa për të plotësuar procedurën, duke e kthyer një proces që ligjërisht duhet të zgjasë dy javë, në një kalvar administrativ që shtrihet për muaj të tërë.
Eksperienca jonë si redaksi e konfirmon këtë realitet në mënyrë të vazhdueshme. Bashkia e Tiranës kryeson listën e institucioneve problematike: edhe kur kthen përgjigje, ato shpesh nuk korrespondojnë me pyetjet e drejtuara, duke e futur qëllimisht në ngërç temën apo shkrimin hulumtues. Të dhëna që sipas ligjit duhet të jenë publike dhe të aksesueshme, “nuk gjenden”, nuk jepen përmes kërkesave për informacion, ose zhduken nga databazat shtetërore pak javë pas publikimit. Databaza përditësohen, mbivendosen, arkivohen pa gjurmë, ose fshihen pa shpjegim dhe pa përgjegjësi.
Një shembull konkret e bën këtë praktikë edhe më të qartë.
Në një kërkesë me shkrim drejtuar Bashkisë Tiranë, ne parashtruam tre pyetje të drejtpërdrejta dhe legjitime:
- Sa ka kushtuar ndërtimi i rrjetit të korsive të biçikletave në Tiranë deri më sot, me ndarje sipas fazave?
- Sa shpenzohet çdo vit për mirëmbajtjen e korsive dhe sinjalistikës së tyre?
- Çfarë ndikimi ka pasur ndërtimi i këtyre korsive në rrjedhshmërinë e trafikut?
Përgjigjja që morëm nuk përmbante asnjë shifër. Asnjë ndarje buxhetore. Asnjë të dhënë konkrete. Në vend të tyre, u dërgua një tekst i gjatë teorik mbi analizën kosto-përfitim, vështirësitë e monetizimit të ndikimeve mjedisore dhe supozime abstrakte mbi mirëqenien shoqërore. Një përgjigje që nuk i shërben transparencës, por e zëvendëson atë me gjuhë teknike për të shmangur llogaridhënien. Një përgjigje që ekziston vetëm për të justifikuar mungesën e informacionit.
Institucione të tjera si Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë kanë ndërtuar një rekord të ngjashëm mos-përgjigjesh. Aksesi është i cunguar, përgjigjet selektive, dhe në raste të veçanta, informacioni i marrë përmes kërkesave ligjore është konsideruar “i tepruar” nga përfaqësues të këtyre institucioneve, deri në pikën e “qortimit” të redaksisë apo kërcënimit të gazetarëve që kanë përdorur të dhënat për shkrime apo produkte të tjera hulumtuese.
Kjo kulturë u vu në pah publikisht edhe nga gazetarja Eglantina Bardhi gjatë takimit me Kryeministrin, kur theksoi se informacioni shpesh nuk jepet brenda afateve ligjore apo në mënyrën e kërkuar. Kryeministri foli qartë duke “urdhëruar” Komisionerin për të ndërmarrë sanksione ndaj institucioneve që nuk përgjigjen në kohë.
Por problemi nuk është vetëm koha. Problemi është përmbajtja. Problemi është transparenca reale. Problemi është mungesa e një fryme llogaridhënieje që duhet të nisë nga vetë Kryeministri dhe të zbresë në të gjithë zinxhirin administrativ.
Në praktikë, informacioni publik trajtohet si pronë private e drejtuesve të institucioneve, si diçka që mund të rrezikojë pozicionin e tyre në detyrë. Qytetarëve dhe gazetarëve u kërkohet të justifikojnë pse u duhet informacioni, për kë punojnë, si do ta përdorin, pyetje që bien ndesh drejtpërdrejt me ligjin për të drejtën e informimit. Edhe aty ku ekziston vullnet nga stafi, mungon njohja bazë e procedurave administrative për dhënien e informacionit.
Paradoksi thellohet kur Kryeministri i referohet vlerësimeve të SIGMA-s, duke theksuar pikëzime të larta për kuadrin strategjik dhe institucional. Por ai anashkalon progresraportet e Bashkimit Evropian për Shqipërinë. Raporti i vitit 2024 flet për rreth 1 000 ankesa në vit për mungesë transparence, shpesh të zgjidhura vetëm pas ndërhyrjes së Komisionerit. Raporti i vitit 2025 shton një tjetër shifër domethënëse, 365 ankesa nga gazetarët për refuzim informacioni, ku 283 raste u zgjidhën vetëm gjatë shqyrtimit administrativ.
Në të dy raportet, togfjalëshi “nevojë për transparencë më të lartë” përdoret dhjetëra herë. Kjo nuk është retorikë. Është realiteti. Dhe ky realitet është lehtësisht i vërtetueshëm edhe nga raportet vjetore të vetë Komisionerit për të Drejtën e Informimit apo raportet ndërkombëtare si i ai i Transparency International, që Kryeministri zgjedh të mos ti përmendë pasi nuk i përshtaten retorikës së tij.
Po aq paradoksal ishte edhe zotimi i Kryeministrit për dekriminalizimin e shpifjes për gazetarët, një “dhuratë” e paraqitur si lehtësim, por që në thelb zhvendos vëmendjen nga problemi real: mungesa e informacionit publik dhe presioni institucional. Integriteti i gazetarisë nuk garantohet nga heqja e një neni penal, por nga aksesi real në informacion dhe nga një shtet që e kupton se transparenca nuk është favor, por detyrim kushtetues.
Pavarësisht përpjekjeve për ta paraqitur realitetin si “një gotë gjysmë plot”, faktet, raportet ndërkombëtare, statistikat zyrtare dhe përvoja e përditshme e qytetarëve tregojnë të kundërtën. Jo një gotë që po mbushet, por një skenografi transparence, e ndërtuar për konferenca, jo për qytetarë. Për sa kohë transparenca mbetet dekor, e drejta për informim do të vazhdojë të jetë një lojë gotash dhe fjalësh./acqj.al