Ligji i vitit ‘96, dhimbje e vitit 2025; jetimët në Shqipëri nuk jetojnë me dinjitet!

Në Shqipëri, të jesh jetim nuk është vetëm një fatkeqësi personale, është një dënim i heshtur nga një ligj i vjetruar që nuk njeh as realitetin e sotëm, as dinjitetin njerëzor. Ligji i vitit 1996 për statusin e jetimit ka mbetur i pandryshuar prej gati 30 vitesh, duke i lënë mijëra fëmijë dhe të rinj në mëshirën e fatit. Ky është rrëfimi i Eldës, Mateos dhe shumë të tjerëve që jetojnë në harresën e shtetit.

Deanda Jushi

Elda, ishte 36 vjeç, kur humbi bashkëshortin dhe mbeti e vetme me dy fëmijet e saj.

Banuese në Tiranë, dhjetë vjet më pas tregon  për sfidat e dy fëmijeve të saj të mbetur jetim nga babai.. E vetme në këtë sfidë me njërin fëmijë 15 vjeç, e tjetri vetëm 6,  rrefen me lot në sy se u ndje dy herë e braktisur, nga fati dhe nga shteti.

Dhimbja ishte e madhe, por procedurat me të cilat u ndesh me pas e bën edhe më të rëndë atë.

“Na thanë se shteti do të na ndihmonte,” tregon Elda. “Më kërkuan certifikatën e vdekjes, kartat e fëmijëve, dokumente të tjera, dhe më thanë: ke të drejtë të përfitosh 70% pension nga sigurimet e burrit. Kur mora pagesën e parë, nuk e dija a të qeshja, a të qaja. Ishin 8 mijë lekë të reja në muaj në atë kohë, sot shkon 99 mije leke të reja. As një thes mielli e dy kuti qumështi nuk blen me to.”

Elda punoi dy punë për vite me radhë. “Kam sakrifikuar çdo ditë që të mos u mungonte e domosdoshmja. Por ama, s’mund të them kurrë që shteti më ka mbështetur. Shuma ishte minimale. Fëmijët i rrita vetë… Me shumë vështirësi. Sot djali po përfundon shkollën e lartë ndërsa vajza përgatitet të hyjë vitin tjetër, por vetëm falë këmbënguljes sonë, jo sistemit.”

Historia e Eldës nuk është përjashtim.

Ligji i vitit 1996 për Statusin e Jetimit, një ligj që nuk është ndryshuar për gati 30 vite, pavarësisht sesi dhe sa  ka ndryshuar jeta, çmimet, shoqëria.

Ligj i vjetër, realitet i ri

Ligji i vitit 1996 dhe vendimet që e shoqërojnë përcaktojnë se kush konsiderohet “jetim” dhe çfarë mbështetje financiare i takon. Problemi i parë fillon pikërisht aty: kriteret janë të padrejta dhe absurde për të fituar këtë status!

Një fëmijë që ka humbur njërin prind nuk konsiderohet jetim , pra nuk përfiton status, përveçse nëse prindi i mbetur i gjallë është në vështirësi ekstreme dhe arrin të aplikojë për ndihmë ekonomike, ose përfiton një pension të reduktuar nga sigurimet e prindit të ndërron jetë.

Ndërkohë, një fëmijë i lindur jashtë martese mund të marrë statusin e jetimit edhe sikur të dy prindërit të jenë gjallë, nëse babai nuk është i regjistruar ligjërisht.

Suela Koçibellinj, aktiviste për të drejtat e fëmijëve, e quan këtë paradoks ligjor.

“Ky ligj njeh si jetim një fëmijë të lindur jashtë martese ndërkohë që të dy prindërit jetojnë, por përjashton nga statusi një fëmijë që i ka ndërruar jetë njëri prind.”

Ndërsa bazuar në ligjin shqiptar, statusi i jetimit jepet nga Shërbimi Social Shtetëror (SHSSH), nga një komision specialistësh në nivel drejtorie në përbërje të të cilit është dhe një përfaqësues i Shoqatës së Jetimëve të Shqipërisë në rastet kur nuk jetojnë dy prinderit apo gjykata heq të drejtat të dy prinderve edhe nëse janë gjallë.

Kjo ka bërë që një numër i konsiderueshem jetimesh nga njeri prind të mos perfitojnë ndihmë reale nga shteti. Një jetim “zyrtarisht” përfiton plot 9.900 lekë në muaj.

ACQJ ju drejtua, Sherbimit social, për të kuptuar trajtimin financiar që vjen nga shteti. Sipas përgjigjes zyrtare të Shërbimit Social, për muajin Shtator 2025 në të gjithë Shqipërinë janë vetëm 1254 përfitues aktivë të statusit të jetimit, nga të cilët 567 vetëm në Tiranë.

“Masa e ndihmës ekonomike për çdo jetim është 9900 lekë në muaj. Kjo ndihmë përfitohet nga jetimët që nuk janë në institucione deri në çastin e punësimit të tyre.”

9.900 lekë në muaj. 330 lekë në ditë!

Ky përfitim vjen kur nuk ke as strehim e as punësim të siguruar. Çfarë ndodh pas moshës 18 vjeç? Asgjë. Thjesht je i rritur, pra i harruar. Nga ai çast çdo i “rritur” i duhet të sigurojë jetesën e tij.

Por kjo problematikë nuk ndalet me kaq. Shërbimi Social raporton se në Tiranë, në vitin 2024 janë integruar në punë vetëm 2 të rinj me status jetimi. Në 2025, vetëm 4.

Më tej shifrat e siguruara tregojnë se në rang kombëtar, në 2024 janë integruar 31 të rinj. Në 2025, vetëm 17.

Kjo do të thotë se nga 1254 jetimë që marrin pagesë, vetëm rreth 20-30 në vit arrijnë të punësohen zyrtarisht.

Asnjë të dhënë se çfarë behet me ta, çfarë rruge ndjekin, me çfarë sfidat përballen, e mbi të gjitha sa nga ata në kushte pamundesish ekonomike perfundojnë në rrugë të gabuara!

Suela Koçibellinj shprehet se “Sistemi dështon që në përkufizim. Mbështetja financiare prej 10.000 lekësh në muaj është trefishuar prej tre vitesh, por sërish nuk është e mjaftueshme për të përmbushur nevojat bazike. Kostoja e jetesës është rritur shumëfish.”

Strehimi, drama që nuk përfundon në 18 vjeç!

Në Tiranë apo në qytete të tjera, strehimi është bërë i veshtirë e gati i përballueshëm në kushte normale, me të punësuar dy prindër, ndaj strehimi për ata që nuk kanë prindërit është drama më e madhe me të cilën përballën jetimet në vendin tonë.

“Kostot e qirasë në Shqipëri janë të papërballueshme edhe për ata me punë të rregullt, e jo më për jetimët që dalin nga institucionet pa asnjë mbështetje familjare.”-thekson Koçibellinj.

Pasiguria e strehimit, kosto e ushqimit, veshmbathja dhe puna jo e sigurt thotë ajo, i bëjnë shumë nga këta të rinj të përfundojnë në rrugë ose të bien pre e trafikimit, shfrytëzimit, varësive.

Në Lezhë,  ACQJ ka evidentuar shembulli që funksionon, por nuk është shtetëror.

Në Shënkoll dy priftër katolikë kanë hapur një shtëpi për 20 djem të braktisur ose pa prindër.

Duke kthyer shpresën dhe një oaz të ngrohtë për jetimet e kësaj zone.

“Para se të vija këtu, isha ndaluar nga policia. Nuk shkoja në shkollë, rrija gjithë ditën rrugëve. Tani jam në shkollë, pader Alessandro më ka mësuar italisht dhe i ndihmoj të tjerët. Këtu jam njeri, jo barrë.” tregon Mateo, 17 vjeç.

Rasti Mateos tregon se kur ka kujdes real, jetimët nuk bëhen problem social, por potencial njerëzor.

Me kalimin e kohës dhe marrjes së disa fondeve At Alessandro tregon që bashkëpunon me psikologen e shkollës, në moshën delikate të adoleshencës, përpiqet të mbulojë shpenzimet, dhe po ashtu kushtet e jetëses dinjitoze në shtepinë e tyre.

Mbi të gjitha, kalimi i kohës së lirë dhe aktiviteteve në grup zënë merakun kryesor për dy priftërinjte Fati nuk ka qenë i drejtë me ta, ndaj është detyra jonë të kompesojmë dhimbjen dhe sfiden e tyre-thotë At Alessandro

Institucionet publike, zgjodhën heshtjen.

ACQJ i është drejtuar Shoqatës së Jetimëve, e cila premtoi që do të përgjigjej për këtë shkrim ku në qëndër ka ngritjen e shqetësimeve për jetimet, por deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi nuk ka kthyer  përgjigje.

Nga ana tjetër edhe Ministria  e Shëndetësisë dhe Punës Sociale zgjodhi të heshtë me tre pyetje direkte për këtë çështje:

  1. Cili është buxheti vjetor që shteti ndan specifikisht për jetimët?
  2. A ka indeksim të pagesës së jetimit me koston e jetesës?
  3. Cilat bashki nuk po zbatojnë ligjin për strehimin dhe punësimin e tyre?

Këto pyetjet do të ndihmonim për të kuptuar qasjen që shteti do të ketë se paku për të ardhmen dhe rakordimin pushtet qëndror- pushtet  lokal për të siguruar punë, strehim dhe punësim.

Por deri në momentin e publikimit, institucioni kryesor për këtë çështje nuk ka dhënë asnjë përgjigje.

Kur Partia Socialiste  erdhi në pushtet më  2013x një nga premtimet kryesore ishte pikerisht ndihma e shtresave të margjinalizuara.

Erion Veliaj kur u zgjodh në Bashkinë e Tiranës që në ditën e parë të punës së tij u shfaq duke treguar kujdes për një fëmijë nga shtresat e margjinalizuara. Po realiteti është krejt larg asaj që premtohet në fushata elektorale.

Në Shqipëri, fëmijët jetim nuk trajtohen si fëmijë në nevojë për mbështetje, por si numra në një listë pagesash minimale.

Ligji nuk është përditësuar prej 29 vitesh. Ndihma ekonomike është më e vogël se çmimi i një abonimi urban. Strehimi është i paarritshëm. Punësimi më shumë mit se realitet. Dhe mbi të gjitha, fëmijët që humbasin vetëm një prind trajtohen thuajse si të padukshëm për shtetin shqiptar

Elda i rriti fëmijët e saj jo se shteti e ndihmoi, por se nuk kishte rrugë tjetër. Mateo u shpëtua jo nga politikat sociale, por nga dy priftërinj të përkushtuar.

Aktivistja Kiçibellinj paralajmëron se nëse nuk ndryshojnë kriteret, dhimbja do të vazhdojë të përpunohet në formula burokratike.

Prandaj pyetja që lind është – A do të vazhdojë Shqipëria të llogarisë jetën e një fëmije me 9.900 lekë në muaj?