Denada Jushi
Në qendër të kryeqytetit, në bulevardin kryesor ngrihet një nga objektet më të debatuara të historisë urbane shqiptare, Piramida.
Në historinë e saj gjen rrëfime të mbushura me ideologji, transformime dhe polemika publike, por edhe një dëshmi se si objektet urbane mund të ruajnë kujtesën e një shoqërie që ndryshon me kohën.
Xhemali, sot në të 60-tat, kujton kohën kur ishte gjimnazist dhe hapja e Piramidës ishte një moment ku të gjithë duhet të njiheshin me ndërtesën që ngrihej në nder të Enver Hoxhës.
“Na çonin të gjithëve, ekspeditë, nga klasa e parë e deri në shkollë të mesme, hynim brenda, për ne atëherë ishte një gjë kaq e madhe, e tani që jetoj në kohë tjetër, ishte krejt jashtë realitetit ku jetonim, ishim shumë të varfër.”
Teksa ngjisim shkallët e rikonstruktuara të Piramidës për të zhvilluar këtë shkrim, hasemi me një turmë turistësh spanjollë, janë të rinj afër të 30-tave, të cilët e shohin si një objekt të bukur e plot ngjyra.
“Na pëlqen, morëm disa gjëra poshtë tek kafenetë dhe do ulemi të shikojmë perëndimin.”
Por asnjëri prej tyre nuk kishte asnjë njohuri sa i takon të kaluarës, çfarë përfaqësonte Piramida si objekt e histori.
Ndërtimi dhe konteksti urbanistik i viteve ’80
Piramida u ndërtua mes viteve 1986–1988 nga një grup arkitektësh të drejtuar nga Pirro Vaso dhe bashkëshortja e tij, e bija e Enver Hoxhës. Qëllimi ishte i qartë, të shërbente si muze kushtuar udhëheqësit komunist pas vdekjes së tij, duke glorifikuar figurën dhe trashëgiminë e tij. Forma piramidale nuk ishte rastësore. Siç shpjegon urbanisti Gentian Kaprata, ajo mishëronte “simbolikën e përjetësisë dhe kultin e liderit, duke u lexuar si një ‘tempull’ i personalizuar i pushtetit”.
Edhe në rastet e tjera në histori, Piramidat ndërtoheshin si varre për faraonë, sa më i madh objekti aq më madhështor ishte kulti ndaj individit. Por edhe dëshmi e pushtetit që përfaqësonte.
Vendosja e Piramidës në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ishte një akt simbolik. Kaprata thekson se nuk ishte një zgjedhje urbanistike në kuptimin e integrimit me qytetin, por një vendosje politike, që i jepte figurës së diktatorit peshën e pandashme nga shteti dhe pushteti. Arkitektura e saj, ndryshe nga ndërtesat e kohës, ofronte një thyerje vizuale, duke krijuar iluzionin e modernitetit në një shoqëri të izoluar.
Megjithatë, krahasuar me objektet e ngjashme në Europën Lindore, Piramida mbeti e izoluar. Në Pragë apo Bukuresht, arkitektura socialiste ishte pjesë e rrymave të njohura si brutalizmi apo realizmi socialist, ndërsa në Shqipëri, siç e quan Kaprata, Piramida “mbeti një objekt i palidhur as me traditën shqiptare, as me një stil ndërkombëtar”.
Debatet publike, ta shembim apo ta ruajmë?
Me rënien e diktaturës në vitin 1991, Piramida humbi funksionin e saj monumental. Duke nisur një kalvar të gjatë tranzitor i ngjashëm me shoqërinë shqiptare. Së pari u kthye në qendër konferencash, më pas strehë për televizion privat, dhe gjatë luftës së Kosovës u përdor nga NATO si zyrë e bazës operacionale.
Në fund të viteve 2000, Piramida u bë qendër debatesh të nxehta politike dhe publike. Një pjesë e opinionit publik kërkonte shembjen e saj, në atë kohë e njohur si Qendra Ndërkombetëre e Kulturës “Pjeter Arbnori”, si një simbol i mbetur i komunizmit, ndërsa të tjerë mbronin ruajtjen si dëshmi historike. Politologu Ermal Hasimja kujton se “debati nxitej edhe nga qëndrime politike”, ndërsa ndarjet shoqërore pasqyronin edhe qasjet e ndryshme ndaj së kaluarës.
Në vitet që pasuan, ndërtesa u shndërrua në hapësirë ekspozitash dhe qendër rinore, por gjithnjë me përdorim të përkohshëm dhe pa një identitet të qartë.
Një tjetër perpjekje e kohës ishte kthimi i ketij objekti në Teatër. Më 1 nëntor 2006, qeveria e atëhershme doli me një vendim të ri për realizimin me tender të hapur ndërkombëtar të studim-projektit dhe kthimin e saj në Teatër dhe Galeri Kombëtare. Projekti nuk u realizua kurrë, u harxhuan disa milionë euro dhe gjatë fazave të para të rikonstruksionit, shumica dërrmuese e pllakave të mermerit të fasadës së ndërtesë “u vodhën” nga firma zbatuese.
Asokohe për qytetarët, Piramida u perceptua si një objekt i lënë pas dore. Fëmijët e përdornin për të rrëshqitur në fasadat e saj, ndërsa të rinjtë e konsideronin një pikë takimi. E ndërsa për disa, ajo vijonte ende plagë e një historie të dhimbshme.
Sipas Hasimes zgjidhjet e ndërmarra nuk kanë qenë gjithnjë të qëlluara. As në rikonstruksionin e fundit bërë një vit më parë.
“Shkallët që ngjiten në majë të saj janë një zgjidhje e mirë, por mbytja e saj me objektet kuboide më duket e papërshtatshme”, shprehet Hasimja.
Ai thekson se Piramida do të duhej të kishte një funksion më të thellë shoqëror, si muze i krimeve të diktaturës: “Ndryshe nga bunkeret që e paraqesin diktaturën pothuajse si një film argëtues, ky muze do të duhej të paraqiste thelbin e komunizmit me parimet teorike e praktike të tij.”
Ndërsa urbanisti Kaprata thekson se paradoksi mbetet i pranishëm: “Një pjesë e shoqërisë e sheh ende si simbol të memories kolektive të së kaluarës totalitare, ndërsa të tjerë e konsiderojnë thjesht si një ndërtesë pa vlera arkitektonike”.
Piramida sot nga monument ideologjik në ambient konsumator
Në vitet e fundit, Bashkia e Tiranës, Bashkimi Evropian dhe Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) nisën një projekt për rikonstruksionin e Piramidës, duke e shndërruar atë në qendër kulturore dhe edukative për të rinjtë. Transformimi i Piramidës kushtoi 22 milionë dollarë, ndërhyrje që u kryen në strukturën e brendshme dhe të jashtme pa e prekur arkitekturën e jashtme origjinale. Në zemër të këtij transformimi qëndron TUMO Tirana, një qendër inovacioni që ofron programe falas për fëmijët dhe adoleshentët në fushat e teknologjisë dhe artit.
Sinjalizo iu drejtua AADF për koment se si e kanë parë zhvillimin pergjatë këtyre muajve të projektit që investuan, e se si parashikojnë se do të ketë ndikim TUMO Tirana në vitet që pasojnë, por deri më tani nuk kemi marrë një pergjigje.
Drejtoresha ekzekutive e qendrës thekson se TUMO ka kapacitet për 3,000 studentë çdo vit, të cilët ndjekin 10 disiplina, nga programimi dhe robotika, te dizajni grafik dhe filmi. “Programi është plotësisht falas, i mbështetur nga bursa të plota të ofruara nga Bashkia e Tiranës”
Por krahas qendrës inovative, sot 11 ambiente janë vënë në funksion të subjekteve private, si bare, restorante apo dyqane suvenirësh. Ndërtimi i këtyre objekteve “kubike” në rrethinat e gjelbra të hershme të Piramidës erdhi si një kërkesë e Bashkisë Tiranë për të pasur hapsira më të shumta për të dhënë me qera bizneseve private, kjo në kurriz të hapsirave të gjelbëra dhe planeve fillestare të kompanisë projektuese MVRDV dhe premtimeve fillestare të ish-Kryetarit të Bashkisë Veliaj, se pjesa dërrmuese e “kubave” do ti dedikohej hapsirave për start-up-e ku studentët, përtej klasave të kenë mundësinv dhe të praktikojnv aftësitë e marra, dhe një pjesë tjetër do ti dedikohej bizneseve të shërbimeve.
Piramida është një trinom midis historisë së kaluar, TUMO-s teknologjike, dhe kulturës së kafeneve që dominojnë në kryeqytet. Dhe në këtë mes, identiteti historik duket se është tretur.
Piramida e Tiranës është më shumë sesa një ndërtesë. Ajo është një pasqyrë e udhëtimit të shoqërisë shqiptare nga totalitarizmi drejt demokracisë dhe modernitetit.
Nisi me glorifikimin e një figure politike, te rrëzimi i saj si monument i ideologjisë, dhe deri në rikthimin si hapësirë e rinisë dhe “kulturës së kafenesë” , ajo përfaqëson tranzicioni dhe transformimet e qytetit në këto afro 4 dekada.
Kaprata dhe Hasimja njëzëri theksojnë se një qasje më e balancuar do të kishte qenë ruajtja e autenticitetit historik, duke e shndërruar në muze të kujtesës së diktaturës, siç kanë bërë vende të tjera ish-komuniste. Ermal Hasimja nënvizon se rikonstruksioni aktual ka sjellë elemente pozitive, por ende mungon dimensioni kritik i reflektimit mbi komunizmin. Ndërkohë, drejtuesit e TUMO e shohin Piramidën si një ekosistem unik, ku rinia shqiptare ka mundësi të zhvillojë aftësi krijuese dhe dixhitale.
Historia e Piramidës së Tiranës është një rrëfim i trefishtë: një dëshmi e arkitekturës monumentale të socializmit shqiptar, një hapësirë e lëkundur mes funksioneve të ndryshme pas viteve ’90, dhe sot një qendër inovacioni e konsumerizmi.
Për disa, vijon të mbetet një plagë që kujton diktaturën; për të tjerë, një hapësirë publike ku rinia argetohet.
Por mbi të gjitha, sot është një objekt ku më shumë se teknologjia, bien në sy kafenetë, lokalet, dhe herë pas here humbja e pllakave të fasadës sue ndërtesës, një herë pasi u vodhën dhe një herë pas punimeve të dobëta të firmës zbatuese, duke e zhveshur nga kujtesa historike dhe duke e kthyer në një monument pa identitet