Artan Rama raporton nga Shqipëria
Rike Uhlenkamp raporton nga Tiroli i Jugut, Provinca e Bolzanos, Itali
Çelja e shtegut
Shqipëria udhëheq në Evropë për prodhimin e energjisë elektrike nga burime të rinovueshme, kryesisht nga shfrytëzimi i ujit. Vitin e shkuar arriti të prodhojë 99.3% të energjisë prej këtyre burimeve, duke lënë pas Norvegjinë, Danimarkën dhe Luksemburgun, ndërkohë që mesatarja e vendeve evropiane nuk e kalon as gjysmën e kësaj vlere.
Për të mbajtur lart këtë flamur të gjebër, Shqipërisë së vogël i është dashur t’i qëndrojë besnike energjisë së rinovueshme, kapaciteti i së cilës u dyfishua gjatë dekadës së fundit. Në dhjetor të 2024, kapaciteti total i prodhuesve privatë të energjisë tejkaloi, për herë të parë, kapacitetin total prodhues të kompanisë publike KESH. Kaskada e Drinit, krenaria energjitike e hidrocentraleve të shkuara socialiste ka mbetur prapa, krahasuar me zhvillimin e pandalshëm të burimeve të reja të rinovueshme, përfshirë të fundit: diellin dhe erën.
Kjo arritje e dyfishtë, jo vetëm energjitike, por edhe në përputhje me tranzicionin evropian drejt një energjie të pastër, e ka shndërruar devizën e Kryeministrit Rama: “Shqipëria, lider rajonal në eksportin e energjisë së rinovueshme”, në një objektiv strategjik zhvillimi për vendin. Shfrytëzimi i burimeve të reja (dielli dhe era) po shton kapacitetet, duke transformuar më tej sistemin kombëtar energjitik.
Vitin e shkuar, njëzet e gjashtë impiante të reja të prodhimit të energjisë nga burime të rinovueshme shtuan 270 MW fuqi të instaluar. Vetëm 14 MW ishin nga burime hidrike. Të tjerat, rreth 95%, i përkisnin asaj diellore. Kapaciteti instaluar prej paneleve fotovoltaike, deri tani, ka arritur në 449 MW. Në dy vitet e ardhshme pritet të katërfishohet.
Të ndërtosh mbi ujë
Në korrik të këtij viti, në ndërtesën historike të Zhapios, në zemër të Athinës, u përurua 20-vjetori i Traktatit të Energjisë, në të njëjtën sallë, ku njëzet vite të shkuara Komisioni Evropian dhe vendet e Evropës Lindore dhe Evropës Juglindore nënshkruan marrëveshjen për integrimin e tregjeve të energjisë në një treg të madh e të përbashkët. Ishte ky traktat që udhëhoqi dhe transformoi përgjithmonë edhe sistemin energjitik postkomunist shqiptar.
Zbatimi filloi me hartimin e ligjit për koncensionet në vitin 2006 dhe me reformimin e koorporatës energjitike shtetërore (KESH), drejt decentralizimit dhe krijimit të departamenteve të pavarura. Më pas vazhdoi me shtrirjen e linjave të reja të interkonjeksionit me vendet fqinje, me hartimin e një kornize ligjore tërësisht të re e cila do të mbështeste nismat për ndërtimin e burimeve të reja gjeneruese, me diversifikimin e tyre e deri në liberalizimin e produktit drejt një tregu të lirë.
Ndonëse të nxituara, të sforcuara dhe shpesh herë “të dhunshme”, përgjatë dy dekadave, reforma, e cila bazohej, kryesisht, në ndërtimin e impianteve të reja të energjisë nga burime të rinovueshme (uji) u përkrah nga të gjitha qeveritë.
Në fakt, projekti kombëtar i hidrifikimit kishte nisur qysh në vitet ’60 të shekullit të shkuar me ndërtimin e hidrocentraleve të mëdha të Kaskadës së Drinit, e më pas me vepra më të vogla, por njësoj të rëndësishme për ekonominë e planifikuar socialiste. Ato synonin të mbështetnin industrializimin, duke ushqyer me energji veprat e 5-vjeçarit dhe mbanin emrat e udhëheqësve të revolucionit botëror.
Por Shqipëria ndoqi të njëjtën traditë, e imponuar edhe nga relievi i pjerrët dhe ujshmëria e lartë e vendit. Me të njëjtën mbështetje shtetërore si dukur, ajo rizgjoi projektet e hidrifikimit, nëpërmjet një boom-i licencash të reja që u lëshuan për ndërtimin e hidrocentraleve të tjera. Ndonëse, tashmë nën emra të rinj të propagandës për energjinë e gjelbër, agresioni i beftë i impianteve provokoi një shqetësim të madh publik për dëmet reale të shkaktuara, të tilla si “burgosja” nëpër tuba e rrjedhave ujore dhe presioni i lartë ndaj ekosistemeve lumore. Por, sipas ekspertëve, energjia që gjenerohet nga hidrocentralet varet nga sasia e ujit dhe nga qëndrueshmëria e saj përgjatë periudhës vjetore në rrjedhë.
“Për shkak të ndryshimeve të klimës dhe të konsumit në rritje, prodhimi i energjisë elektrike nga burimet hidro është i kompromentuar”, vëren, eksperti i energjisë, Agim Bregasi. Bregasi ka mbajtur pozicionin e Drejtorit të Politikave të Energjitikës në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) dhe për shumë kohë ka qënë pika fokale e qeverisë shqiptare në Traktatin e Energjisë. Ai thekson domosdoshmërinë dhe avantazhet e diversifikimit të burimeve. “Diversifikimi rrit sigurinë e furnizimit dhe eficencën e shfrytëzimit të burimeve energjitike”, sqaron ai më tej, duke shpjeguar se realizimi i projektit të Gazsjellësit Trans-Adriatik (TAP), i kombinuar me burimet e shumta ujore dhe ngritjen e rrjetit 400 kV të sistemit, ka krijuar kushte ideale për shfrytëzimin e gazit për të prodhuar energji.
Duke vlerësuar kontratat koncensionare të impianteve të prodhimit të energjisë elektrike nga burime hidrike, të cilat kanë filluar operimin dhe janë pjesë e rrjetit kombëtar të shpërndarjes, rezulton se në secilin prej pesë viteve të fundit, prodhimi i përgjithshëm nuk e kalon pritshmërinë e prodhimit të planifikuar nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN), e cila monitoron kapacitetet, ndërtimin dhe operimin e këtyre impianteve. Por ky prodhim do të ishte akoma më i ulët, nëse do të krahasohej me prodhimin, siç pritej nga kontratat e nënshkruara me MIE. Megjithatë, edhe duke iu referuar prodhimit të planifikuar nga AKBN, mesatarja e pesë viteve të fundit (2020; 2021; 2022; 2023; 2024) rezultoi 25% më e ulët se kjo pritshmëri, ose për çdo 4 kWh energji të planifikuar për t’u prodhuar, në pesë vitet e fundit u prodhuan vetëm 3 kWh. Viti 2020 shënoi vitin me prodhimin më të ulët të pesë viteve të fundit, duke prodhuar 60% të planifikimit, ose për çdo 5 kWh energji të planifikuar, në vitin 2020 u prodhuan vetëm 3 kWh. Prodhimi rezultoi më i ulët (krahasuar me planifikimin) edhe në vitin 2023, i cili u konsiderua vit i mirë hidrologjik, ku prodhimi total neto vendas i energjisë ishte më i larti i pesë viteve të fundit, madje 30% më i lartë sesa mesatarja e 15 viteve të fundit. Kjo tregon se energjia e paqëndrueshme e rinovueshme e prodhuar nga kontratat koncensionare në fjalë nuk përbën garanci për qëndrueshmërinë e sistemit energjitik kombëtar, aq më tepër kur ekonomia në rritje do të kërkojë shtimin e kapaciteteve të reja.
“Ka koncensione të cilat nuk arrijnë as gjysmën e prodhimit të parashikuar në kontratë”, zbulon Kristi Thodhorjani, një ish-punonjëse, inxhiniere hidroteknike e spikatur, në AKBN. “Ka fryrje nëpër kontrata, të cilat nuk janë mbështetur në matje, apo në studime hidrologjike të mirëfillta”, shpjegon më tej inxhinierja.
Aktualisht, Thodhorjani jep mësim, si pedagoge e jashtme për burimet e energjisë në Fakultetin e Gjeologjisë dhe të Minierave në Universitetin Politeknik të Tiranës. “Shqipëria ka mungesë hidrologësh”, thekson ajo, “por edhe mangësi formimi të studentëve të rinj. Ndaj dhe fakulteti i ndërtimit duhet të thellojë programin dhe studimet drejt matematikës dhe fizikës, në degën e hidrologjisë”, këshillon.
Ajo sugjeron rishikimin e kontratave koncensionare të deritanishme, pavarësisht nga statusi i tyre operativ, madje, edhe kontrollin e cilësisë së ndërtimit të objekteve gjeneruese të energjisë, me qëllim optimizimin e prodhimit.
“Në shumë prej hidrocentraleve, cilësia e punimeve është e dobët. Kësisoj, uji nuk transportohet siç duhet nga vepra e marrjes te ndërtesa e centralit, gjë që shkakton uljen e prodhimit”, përfundon.
Por një tjetër pasojë që shkakton paqëndrueshmëria e prodhimit prej burimeve të rinovueshme është rënia e vlerës së tarifës koncensionare, e cila është një vlerë e vogël e prodhimit total të energjisë të prodhuar nga objekti gjenerues. Tarifa koncensionare, e cila varion nga 2% dhe arrin në 8% në kontrata të ndryshme, i kalon buxhetit, si pjesë e detyrimit që kompania private ka ndaj autoritetit kontraktual. Kështu, bazuar vetëm mbi kontratat me tarifë koncensionare 2%, të cilat përbëjnë rreth 75% të totalit, rezulton se për vitin 2020, i cili ka qënë një vit jo i mirë energjitik, krahasuar me pesë vitet e fundit, humbja financiare nga rënia e e tarifës koncensionare është mbi 1 ml. euro. Kjo për shkak se prodhimi i përgjithshëm i kontratave i realizuar gjatë këtij viti, ishte më i ulët sesa vlera e pritshme për të njëjtat kontrata.
Ministria e Infrastrikturës dhe Energjisë ka bërë shumë pak në drejtim të diversifikimit të burimeve dhe infrastrukturës mbështetëse të saj. Por ajo ka shkëlqyer në letra. Enti Rregullator i Energjisë (ERE) përsërit prej kohësh domosdoshmërinë e diversifikimit, ndonëse synon të favorizojë një bilanc energjitik pozitiv, e jo të zbusë pasojat ekosociale që shkakton përdorimi i njëanshëm e i drejtpërdrejtë i burimeve primare të energjisë.
Ritmi i hidrocentrale ka rënë, por jo euforia për energjinë e rinovueshme. Qeveria po incentivon ndërtimin e impianteve të diellit me kapacitet 2 MW dhe ato të erës, deri në 3 MW. Një legjislacion i ri ka hapur rrugën për shfrytëzimin e tokave bujqësore me bonitet të lartë, kryesisht përgjatë vijës bregore të vendit, çka mundëson krijimin e hapësirës për shtrirjen e paneleve diellore. Ngritja po lejohet edhe brenda territoreve të mbrojtura, dikur e ndaluar. Ambicjet duken të mëdha. Njësoj si në agim të hidrocentraleve, ndërtimi i menjëhershëm i kapaciteteve fotovoltaike po shpërfill vlerësimin mjedisor.
Në vitin 2021, në një studim mbi përshtatshmërinë e territoreve të mundshme për vendosjen e paneleve diellore dhe turbinave të erës në Shqipëri, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) konkludoi se vetëm 20% e territorit, të vendit, rreth 350,000 ha, rezulton e qëndrueshme. Ishte dimensioni mjedisor që u mor në konsideratë për këtë kufizim, duke përjashtuar vendosjen e paneleve brenda territoreve të mbrojtura me ndjeshmëri të theksuar mjedisore.
Por vitin e shkuar, qeveria lejoi instalimin e impianteve të energjisë së rinovueshme brenda “Peizazheve të Mbrojtura”. Bëhet fjalë për ekosistemet ligatinore që shtrihen përgjatë bregdetit të Adriatikut, pranë grykëderdhjeve të lumenjve, aty ku flora dhe fauna, janë jo vetëm të larmishme, por nën presionin e klimës, integriteti ekologjik i tyre garanton përballimin e katastrofave të ardhshme mjedisore. Pikërisht këto territore kanë rezultuar me rrezatim diellor të lartë, kësisoj, me potencial energjitik. Në vitin 2024 kapaciteti instaluar i impianteve fotovoltaike u ngrit menjëherë në 449 MW. Me dhjetëra leje të reja për ndërtimin e parqeve fotovoltaike janë lëshuar në këto zona.
Objektiva të reja në planin e sapondryshuar kombëtar për energjinë dhe klimën (2020-2030) kanë shtuar presionin për zhvillimin e burimeve të rinovueshme. Shqipëria ka premtuar se deri në vitin 2030, më shumë se gjysma e konsumit total të energjisë do të jetë nga burime të rinovueshme; pjesa tjetër do të konsumohet nga nafta, sistemet e ngrohjes e të ftohjes dhe nga transporti. Në Kuvend, sapo është miratuar ligji për biokarburantet, duke premtuar futjen në tregun e karburanteve të një sasie të bimasës prej 7% të konsumit përfundimtar të lëndëve djegëse deri në vitin 2030.
Gazifikimi i vendit dhe premtimet për përdorimin e gazit të lëngët janë bërë prej kohësh pjesë e dokumentit të strategjisë kombëtare të energjisë, por termocentrali i Vlorës me kapacitet, afro 100 MW, i ndërtuar në vitin 2012, ende nuk është vënë në punë. Kalimi në afërsi të TAP krijon mundësinë për vënien në punë, nëpërmjet gazit natyror të lëngshëm (LGN). Kjo do të kontribuonte, veçanërisht në periudhës e thatësirës në pjesën jugore të vendit.
“Tipoligjikisht, ekonomia shqiptare nuk ka profil industrial, çka do të thotë se shkarkimet e CO2nuk marrin ndonjë peshë serioze”, sqaron Bregasi.
Për më tepër, tipari i prodhimit të energjisë në vend nuk përputhet me natyrën e konsumit të energjisë, i cili bazohet në begatinë hidrike, kësisoj Shqipëria, “modeli i gjelbër evropian”, mund t’i lejojë vetes komoditetin e diversifikimit të burimeve, për aq kohë sa zvogëlon varësinë nga uji (mbron ekosistemet natyrore) dhe forcon qëndrueshmërinë e furnizimit me energji përgjatë gjithë vitit.
Por ndonëse dekarbonizimi krijon mbështetje dhe entuziazëm, mundësitë praktike në një vend të vogël si Shqipëria nënkuptojnë një zbatim të sforcuar në terren. Historia na ka treguar se autoritetet dhe kompanitë tentojnë, gjithmonë, zgjidhje të lehta, duke ia kaluar barrën mjedisit dhe komuniteteve lokale.
Zhvillimi i pakontrolluar i HEC-eve
Në 2015, qeveria miratoi procedura të reja për ndërtimin e kapaciteteve prodhuese të energjisë elektrike. Koncensionet u lanë, por u kalua drejt partneritetit publik privat (PPP). Kjo reflektonte të njëjtin vullnet politik, por pa qënë nevoja për të ndjekur procedurat e gjata koncensionare. Në një farë mënyre kuadri i ri ligjor ishte një variant remix i ligjit të mëparshëm të koncensioneve. Ajo synonte reformimin e sistemit energjitik, përmes tërheqjes së kapitaleve private. Një tjetër mbështetje ishte parablerja e prodhimit për 15 vjet nga Operatori Publik i Shpërndarjes (OSHEE), duke filluar nga dita e parë e operimit të impiantit. Blerja do të aplikohej për hidrocentralet nën dy megavat dhe deri në tre për turbinat e erës. Falë masave, shkurtohej koha e shlyerjes së investimit, ndërkohë që periudha e fitimit rritej. Për kontrata, shumica e të cilave shkonte deri në 35 vjet, kjo mundësi ishte një parajsë fitimi.
Por ndërkohë, për natyrën u hapën portat e ferrit. Ndërsa sektori hidroenergjitik mbështetej në dokumente strategjike, me objektiva të qarta për energjinë e rinovueshme, strategjia e menaxhimit të burimeve ujore mungonte; planet e administrimit të Baseneve nuk ishin miratuar ende, ndërkohë që institucionet e sapokrijuara, si Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura (AKZM) ishin tepër të brishta për të imponuar planet e veprimit për mbrojtjen e biodiversitetit.
“Disbalanca mes përparimit të kuadrit ligjor energjetik dhe ngecjes së atij mjedisor nuk lidhet thjesht me cilësinë e legjislacionit, por me mënyrën se si u përcaktuan prioritetet politike dhe ekonomike të vendit”, shpjegon ekspertja e mjedisit, Ornela Shoshi. “Energjia u konsiderua motor zhvillimi, i lidhur ngushtë me tërheqjen e investimeve të huaja, ndërkohë, legjislacioni mjedisor, megjithëse i avancuar në letër dhe shpesh i hartuar kryesisht për të përmbushur kërkesat e partnerëve ndërkombëtarë, nuk u mbështet nga mekanizma të fortë monitorimi, kapacitete të mjaftueshme institucionale dhe nga një vullnet politik i njëjtë, sikurse energjia”, përfundon me keqardhje Shoshi.
Në përfundim, në kohën e transformimit të madh hidroenergjitik të vendit, kur volumi dhe shpejtësia e transpozimit të legjislacionit mjedisor ishte më i lartë sesa procesimi i tij prej një numri jashtëzakonisht të vogël ekspertësh e institucionesh ende të pakonsoliduara, licencimi i hidrocentraleve të vogla, pikërisht, i atyre që shkaktonin edhe dëmin më të madh në mjedis, arriti pikun. Brenda një dekadë, qysh prej shpërthimit të revolucionit të dytë energjitik në historinë e vendit, ishin licencuar me qindra hidrocentrale, një pjesë e të cilave kishin penetruan edhe brenda territoreve të mbrojtura.
Numri i përgjithshëm i hidrocentraleve që kanë hyrë në prodhim, deri në dhjetor të 2024 (në fakt, miratimi i HEC-eve vazhdon edhe në 2025, por me ritme të ulura, ndërkohë me dhjetëra të tjera nuk kanë filluar ende ndërtimin), ka shënuar afro 255. Sipas llojit të kontratës, mund t’i grupojmë në dy grupe: koncensionare dhe jokoncensionare. Shumica e kontratave koncensionare janë nënshkruar gjatë viteve elektorale (2009; 2013; 2017), çka sugjeron se reforma në energji u përdor edhe për mbështetje politike.
Trendi i kontratave koncensionare bie pas vitit 2013, por miratimi hidrocentraleve të tjera vijoi me kontratat jokoncensionare, falë VKM 822 (7 tetor, 2015, “Për miratimin e rregullave dhe procedurave të ndërtimit të kapaciteteve të reja prodhuese të energjisë elektrike, që nuk janë objekt koncensioni”), çka përshpejtoi dhe eliminoi pengesat e shkaktuara nga rregullat e rënda të kontratave të mëparshme koncensionare.

Në pak muaj, kontratat jokoncensionare arritën në qindra. Aktualisht, kanë arritur që të futen në prodhim 215. Vlen të theksohet një fakt i rëndësishëm, nëse e shohim zhvillimin nën perspektivën e ndikimit të tyre në mjedis. Për veprat e energjitike që janë objekt koncensioni, në çdo katër HEC-e, njëri prej tyre ka, të paktën dy vepra marrjeje uji. Nga vetë fjala, me vepër marrje nënkuptojmë atë pjesë të lumit ku merret uji dhe, sa më i lartë numri i marrjeve, aq më i lartë edhe dëmi ndaj natyrës. Por ky raport ndryshon dukshëm tek kontratat jokoncensionare, ku në çdo dy HEC-e, njëri prej tyre ka të paktën, dy vepra marrjeje. Në këtë mënyrë, miratimi i objekteve gjeneruese përmes VKM 822, ka përshpejtuar, jo vetëm licencimin e tyre, por ka shtuar edhe dëmet mjedisore. Marrja e ujit nga shumë pika rrit efektin kumulativ të fragmentimit të habitatit, gjatë ndërtimit të infrastrukturës mbështetëse për objektet gjeneruese. Pakësimi i ujit dhe devijimi i tyre në tuba shkakton thatësirë dhe në kushtet e ndryshimit të klimës pasojat mbi tokë janë edhe më të mëdha. Në total, numri i përgjithshëm i veprave të marrjeve të hidrocentraleve në operim (private), koncensionare dhe jokoncensionare, ka arritur në 864. Raporti mes HEC-eve të mëdha dhe të vogla është ngushtuar në katër me pesë. Pra, për çdo pesë megavat fuqi elektrike të instaluar në rrjedhat e lumenjve nga HEC-et e mëdha, në HEC-et e vogla janë instaluar katër. Trendi i barazimit, mes HEC-eve me kapacitete kaq të ndryshme, i dedikohet disproporcionaliteti në numër, mes HEC-eve të mëdha dhe atyre të vogla, në favor të këtyre të fundit.
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit nuk ka publikuar asnjë studim mbi dëmet dhe peshën e tyre që disa qindra hidrocentrale u kanë shkaktuar ekosistemeve lumore. Një zhvlerësim i ngjashëm vihet re edhe nga administrata e zonave të mbrojtura, brenda territorreve të cilat administrohen prej saj kanë penetruar me dhjetëra hidrocentrale, ndërkohë që ndërtimi i tyre brenda parqeve kombëtare është një aktivitet i paligjshëm. Por në Parkun Kombëtar Shebenik-Jabllanicë, ndodhen me dhjetëra të tilla.
“Ajo çka dominoi ishte përfitimi afatshkurtër ekonomik mbi qëndrueshmërinë afatgjatë të burimeve”, konstaton Shoshi. “Për pasojë, biodiversiteti nuk u vlerësua në detaje dhe ekosistemet lumore u fragmentarizuan”, përfundon ekspertja.
Mund të themi se plani për reformën në energji ishte gjithpërfshirës dhe se përafrimi i legjislacionit të posaçëm nuk e la pas atë mjedisor. Ligje të reja, të shoqëruara nga krijimi i agjencive ligjzbatuese, u miratuan në mbrojtje të mjedisit dhe të burimeve natyrore.
“Por në praktikë këto mbetën të vështira për t’u zbatuar, për shkak të mungesës së fondeve, koordinimit mes agjencive dhe për shkak të mungesës së monitorimit të vazhdueshëm dhe cilësor”, analizon Shoshi. “Shkurt, Shqipëria përparoi në nivelin normativ, por ajo nuk kishte një bazë të qëndrueshme për t’i shndërruar në instrumente efektive për mbrojtjen e mjedisit”.
Raporti vjetor mbi gjendjen e mjedisit në Shqipëri (RGjM), i cili hartohet nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit (AKM), nuk ka asnjë të dhënë mbi monitorimin e rrjedhave ekologjike ujore të lumenjve të vendit. Rrjedha ekologjike (Qek), sasia e natyrale e nevojshme që kërkohet për të ushqyer një trup ujor, nuk lejohet që të prodhojë energji. Kjo sasi e nevojshme për mbijetesën e biotës lumore, veçanërisht gjatë stinës së ngrohtë, i kalon, tërësisht, shtratit dhe nuk mund të përdoret nga impianti.
Por në terren, paaftësia për të monitoruar rrjedhën ekologjike justifikohet nga gjoja përplasja e kompetencave mes agjencive, ku secila përpiqet t’ia kalojë tjetrës përgjegjësinë e monitorimit.
Në një kërkesë për informacion drejtuar AKM, agjencia nuk ofroi asnjë dokument që të provonte monitorimin e rrjedhës ekologjike të hidrocentraleve, ndonëse monitorimi përbën një kusht për dhënien e lejes mjedisore. Përsa i përket një tjetër përgjegjësie, rehabilitimit dhe kujdesit të brigjeve lumore, AKM ia kaloi barrën AKBN. Edhe AKBN nuk ofroi asnjë të dhënë. Por u justifikua, duke thënë se monitorimi në terren ishte vonuar për shkak të ndryshimeve ligjore të ndodhura qysh një vit më parë. Sidoqoftë, bëhet fjalë për përgjegjësi që kanë të bëjnë me performancën e prodhimit të energjisë dhe jo ato mjedisore, të cilat, shpesh, janë konfliktuale. Të njëjtën kërkesë ia dërguan edhe Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), i cili ushtron disa përgjegjësi për mbrojtjen e burimeve ujore të vendit. Por as Inspektorati nuk ofroi ndonjë dokument. Ai u përgjigj, duke thënë se me kalimin e informacionit online arkiva e mëparshme nuk ishte e aksesueshme. Pasi u këmbëngul me një kërkesë të dytë, më në fund Inspektorati dërgoi një listë me tridhjetë HEC-e, “të inspektuara”, madje disa prej të cilave të raportuara si të gjobitura, por Inspektorati nuk ofroi asnjë dokument mbi shkakun, apo masën e gjobës. Ato nuk u shoqëruan me asnjë dokument tjetër administrativ që të provonte procedimin në fjalë.
“Kemi patur shpesh raste të kontrolleve të AKBN për parametrat teknike, pastaj shkon e i kontrollon AKM, e cila thotë tjetër gjë; pastaj shkon IKMT dhe thotë tjetër gjë dhe në të gjitha këto kontrolle vlerësimi të hidrocentraleve kemi të bëjmë me njerëz që kanë mbaruar për gjeografi, histori, ose juridik, të cilët marrin koordinatat, shënojnë kuotat, masin prurjen ekologjike, që në gjykimin tim, as nuk e kanë idenë se çfarë janë, jo më që t’i konstatojnë në terren, tregon inxhinierja hidroteknike Thodhorjani.
Përplasjen mes agjencive e konfirmon edhe Enis Tela, ish përgjegjës i inspektimeve në Inspektoratin Shtetëror të Mjedisit, Pyjeve, Ujërave dhe Turizmit, në vitin 2019.
“Ligji ka caktuar inspektoratin e mjedisit dhe AKM-në, si institucionet përgjegjëse për monitorimin e gjendjes së ujërave. Por njëkohësisht, shton Telaj, ligji ka caktuar edhe Inspektoratin Kombëtar të Mjedisit dhe Territorit (IKMT) për të kontrolluar autorizimet e lëshuara nga Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore (AMBU) dhe Këshilli Kombëtar i Ujit (KBU). Sipas Telajt, “kjo mbivendosje është shfrytëzuar nga agjencitë për shmangur përgjegjësinë e monitorimeve”. Sipas tij, krijimi inspektoratit të përgjithshëm, nën parimin: një ministri-një inspektorat, dhe konkretisht, një inspektorat edhe në varësi të ministrit të Mjedisit, ekskluzivisht për çështje mjedisore, do të ishte një fillim i mbarë, drejt një monitorimi të qëndrueshëm.
Në përfundim, mund të themi se rrjedhat ekologjike të qindra hidrocentraleve të shpërndara anekënd vendit, nuk monitorohen. Nuk ka asnjë të dhënë që tregon këtë fakt, përfshirë të gjitha agjensitë së bashku, ose veç e veç.
Barra e papërballueshme e bashkive të vogla
Raporti vjetor i fundit mbi gjendjen e energjisë, tregon se, më shumë se gjysma e fuqisë së përgjithshme e heceve private që kanë hyrë në prodhim deri në dhjetor 2024, janë përqëndruar në vetëm pesë bashki.
Pra, për çdo dhjetë megavat të instaluar, pesë prej tyre janë instaluar vetëm në bashkinë e Gramshit, Elbasanit, Tropojës, Korçës dhe Mirditës. Në fakt, bashkia e Gramshit e fiton renditjen vetëm për shkak të zhvillimit të projektit hidroenergjitik të Devollit, me dy hidrocentrale të mëdha: Banja dhe Moglica. Kjo vihet re nga numri i ulët i objekteve të tjera gjeneruese dhe të veprave të marrjeve të kësaj bashkie, të cilat ndodhen nën mesataren e përgjithshme. Ndërkohë, Elbasani dhe Korça, renditen me numrin më të madh të hidrocentraleve dhe të veprave të marrjeve. Pjesë e pesë bashkive të para, me numrin më të madh të hidrocentraleve, përveç Elbasanit dhe Korçës është edhe Bulqiza, Kukësi dhe Dibra. Kryesisht janë bashkitë lindore ato që mbajnë peshën e veprave hidroenergjitike, kësisoj edhe pasojat ekosociale të pësuara. Pothuajse gjysma e bashkive të vendit nuk kanë fare hidrocentrale, ose prezenca e tyre është e papërfillshme.

Në përpjekje për të grumbulluar më shumë të dhëna, përpiluam një kërkesë, e cila iu dërgua të gjashtëdhjetë e një bashkive të vendit. Por në vijim, situata mbeti e paqartë, pasi shumë prej bashkive refuzuan të përgjigjeshin. Një tjetër grup prej tyre u përgjigj me vonesë. Shumë pak bashki u përgjigjën në kohë, por edhe ato, jo plotësisht.
Kërkesa mbështetej në tri fusha: lista dhe vendndodhja e HEC-eve, zjarret dhe dëmet e shkaktuara, si dhe të ardhurat prej HEC-eve.
Asnjë prej pesë bashkive të para, që përbëjnë më shumë se gjysmën e kapaciteti total të instaluar, nuk u tregua korrekte në përgjigje. Lidhur me listën e HEC-eve dhe shpërndarjen e tyre nëpër lumenj apo nëpër degë, bashkitë refuzuan ta ofronin të dhëna të sakta, ose e shpërfillën kërkesën.
Kukësi tentoi të ofronte një listë të ardhurash prej HEC-eve që operojnë në territorin e tij, duke renditur disa prej tyre, por ajo ishte shumë më e vogël, krahasuar me gjendjen faktike në terren. Edhe Tropoja demonstroi të njëjtën mangësi me të dhënat e dërguara. Madje nga lista u përjashtuan dy hidrocentralet e mëdha të Lumit Valbona, aq shumë të diskutuara, për të cilat komuniteti vendas protestoi disa vite. Por pati edhe bashki, si Shkodra, e cila deklaroi se në territorin e saj nuk kishte hidrocentrale, ndërkohë që të dhënat e AKBN-së tregojnë për 20 HEC-e; madje fuqia e përgjithshme e instaluar në këtë bashki është mbi fuqinë mesatare të instaluar të bashkive të tjera. Bashkitë refuzuan të jepnin të dhëna për hidrocentralet në zonat e mbrojtura, por që ndodheshin brenda territoreve të bashkive respektive, me pretendimin se ato administroheshin nga AKZM. AKZM nga ana e saj, refuzoi, por më pas ofroi një listë të këtyre hidrocentraleve, rreth 50. Por ekspertët mendojnë se ndodhen më shumë.

Foto: Artan Rama
Përsa i përket detyrimeve sociale dhe mjedisore, asnjë prej bashkive në fjalë nuk ka një marrëveshje me kompanitë e hidrocentraleve për zbutjen e efekteve negative në mjedis që mund të shkaktohen gjatë prodhimit të energjisë, sikurse nuk ekziston ende asnjë marrëveshje, mes banorëve dhe kompanive për lënien e sasisë së nevojshme të ujit për kryerjen e shërbimeve komunitare, në stinën e verës, vlerësim i cili merret në konsideratë nga autoriteti kontraktual, gjatë dhënies së lejes së ujit në fillim të procesit.
Sami Curri raporton prej vitesh protestat dhe përplasjet e komunitetit të Bulqizës me disa prej koncensionareve të hidrocentraleve të ndërtuara atje. Por ndonëse numri i hidrocentraleve në Bulqizë është mbi 40, për Currin, kjo përparësi nuk përbën një mundësi zhvillimi në shërbim të komunitetit.
“Pushteti vendor nuk bën ndryshe, as më shumë e as më pak, nga çfarë bën pushteti qëndror. Një kryetar bashkie e shfrytëzon një situatë të tillë për të marrë vetë një pjesë nga korrupsioni në formë piramidale”, dëshmon gazetari.
Ndërkaq, të dhënat e ofruara nga ana e bashkive për zjarret ishin, pothuajse të papërdorshme, për shkak të paqartësive, por dhe të mangësive. U vu re se asnjë prej bashkive nuk i tarifon kompanitë koncensionare dhe jokoncensionare të impianteve të prodhimit të energjisë për ofrimin e shërbimit të mbrojtjes nga zjarri.
Për të marrë një vlerësim plotësues, le t’i hedhim një sy raportit mbi menaxhimin e financave vendore, për vitin 2024, të përgatitur nga ministria e financave.

Foto: Artan Rama
Në listën e shpenzimeve të gjashtëdhjetë e një bashkive të vendit, mesatarja e shpenzimeve të shërbimeve të përgjithshme publike, zuri vendin e parë. Ndërkohë që mesatarja e shpenzimeve për mbrojtjen e mjedisit dhe për mbrojtjen sociale renditen të fundit. Nëse shohin më në detaj, në secilën prej pesë bashkive, të cilat kanë edhe numrin më të madh të hidrocentraleve në operim (Elbasani, Dibra, Kukësi, Bulqiza dhe Tropoja) ato ruajnë të njëjtin trend “diskriminues” ndaj mbrojtjes së mjedisit. Secila nga pesë bashkitë shpenzoi fare pak për mbrojtjen e mjedisit. Çështje si strehimi dhe komoditetet komunitare morën më shumë para nga buxhetet e pushtetit vendor. Madje edhe shpenzimet për argëtim dhe kulturë janë më të larta se shpenzimet për mjedisin. Dibra dhe Bulqiza nuk shpenzuan asgjë, megjithëse Bulqiza është bashkia e tretë në vend me numrin më të madh të hidrocentraleve private në operim (koncensionare dhe jokoncensionare) deri në dhjetor 2024, kurse Dibra është bashkia e katërt me numrin më të lartë të veprave të marrjeve (të ujit). Rezulton se, përveç Elbasanit, katër të tjerat klasifikohen si bashki me të ardhura të ulëta për banorë. Ato mbeten të tilla edhe pas transfertave të pushtetit qëndror, që kryen në kuadër të autonomisë financiare vendore. Pra, mund të themi se janë bashki të varfëra. Ndërkaq, Censusi i 2023 tregoi edhe një tjetër gjë: rënien e popullsisë! Më shumë se një e katërta e banorëve të këtyre bashkive janë larguar gjatë dekadës së fundit, pikërisht gjatë shpërthimit të hidrocentraleve në këto territore.

Foto: Artan Rama
“Braktisja nga banorët ka ndihmuar investitorët e zonës për të marrë dakortësinë për të ndërtuar hidrocentralet”, shpreh keqardhjen gazetari Curri.
Nga “progresi” në protestë
Por ndonëse në zona të varfra dhe të vogla, protestat për mbrojtjen e burimeve nuk kanë munguar nga ana e komuniteteve të prekura, veçanërisht atyre rurale, jetesa e të cilave është e lidhur, drejtpërdrejt, me rrjedhjen e ujit. Në fakt, reagimet kanë qënë të vonuara për shkak se lajmi për marrjen e ujit ka mbërritur me vonesë. Banorët janë njoftuar vetëm pasi kanë mbërritur makineritë për ndërtimin e digave, çka i ka bërë protestat, në shumicën e rasteve, joefektive. Mungesa e informacionit dhe e konsultimeve publike ka favorizuar avancimin e shumë projekteve të kundërshtuara.
Në vitin 2017, për herë të parë, një gjykatë në Tiranë pranoi kërkesën e disa banorëve të fshatit Kutë dhe rrëzoi kontratën koncensionare të hidrocentralit të Pocemit në Lumin Vjosë. Por rasti shërbeu edhe për të zbuluar mangësitë që kishin procedurat e miratimi të deriatëhershëm të hidrocentraleve.
Përmbajtja e dokumentacionit për vlerësimin mjedisor ishte e dobët dhe e pafuqishme për të garantuar mbrojtjen e biodiversitetit. Shumica e ekspertëve që kishin përpiluar dokumentacionin në fjalë, kishin mangësi në trajtimin dhe vlerësimin e çështjeve, çka kishte rezultuar se vlerësimet ishin copy/paste të njëra-tjetrës, kësisoj, ato ishin të varfëra në argumente dhe në të dhëna.
Por dëmi më i madh ishte “në shpërfilljen” ndaj impakteve kumulative të ndërtimit të disa veprave njëherësh mbi të njëjtën rrjedhë. Dokumentet e vlerësimit nuk merrnin parasysh efektin shkatërrues që kaskadat e hidrocentraleve i shkaktonin ekosistemeve lumore. Madje “shpërfillja” fillonte qysh në dhënien e lejes për shfrytëzimin e ujit.
Një tjetër “shpërfillje” ishte shmangia e pushtetit vendor në të cilin ishte vendosur projekti. Bashkitë nuk konsultoheshin nga MIE gjatë vlerësimit të propozimit. Mungesa e rregullimeve të detyrueshme në fazën fillestare të zhvillimit të projektit hidroenergjitik e shndërroi rritjen e kapaciteteve prodhuese të energjisë në një vendimmarrje imponuese nga lart-poshtë, duke përjashtuar përfaqësuesit lokalë dhe komunitetin e prekur. Sipas VKM 822 (Tetor 2015), mbi miratimin e procedurave të ndërtimit të kapaciteteve të reja prodhuese, Ministria (MIE) vlerësonte propozimet e paraqitura nga investitorët privatë, në të cilat përfshihej edhe informacioni mbi impaktin mjedisor dhe social të projektit të propozuar. Por përfaqësuesit e komisionit nuk e kishin aftësinë për të vlerësuar këtë ndikim; as dëshirën për ta bërë një gjë të tillë. Akoma më shumë, detyrimi për ta publikuar online në faqen e ministrisë, përpara marrjes së vendimit, nuk respektohej. Kjo solli degradimin e mjedisit natyror gjatë fazës së ndërtimit, me hedhjen e mbeturinave dhe të inerteve të ndërtimit në lumë, me prishjen e peizazhit të egër, me shpyllëzimin e shpateve dhe gërxheve të rrjedhave, por edhe me shpyllëzime më të gjera, për shkak të hapjes së rrugëve të reja.
Transpozimi i Direktivës për vlerësimin e ndikimit në mjedis në 2020, e përmirësoi ligjin vendas, duke e zgjeruar konceptin e zhvilluesit dhe komunikimin mes palëve të interesuara gjatë procesit të miratimit të një projekti. Por sipas Elvana Tivarit, një eksperte ligjore për çështjet mjedisore, as këto nuk mjaftojnë për të garantuar transparencën e procesit dhe gjithpërfshirjen e palëve.
“Mund të saktësohet më shumë në ligj se zhvilluesit mund të jetë edhe autoriteti publik; të saktësohet, gjithashtu, gjerësia dhe shtrirja e procesit të pjesëmarrjes së publikut, gjatë dëgjesave, qysh në fazat e hershme të propozimit, në mënyrë që të mos ngushtohet vetëm me dëgjesën në fund të procesit”, argumenton Tivari. “Nuk duhet lënë pas dore as edukimi i administratës me frymën e re të ndryshimeve”, këshillon ajo. “Disa zakone të krijuara vite më parë, nuk i përgjigjen realiteti të ri”.
Protestat ndaj HEC-eve shpërthyen në të gjithë vendin. Nuk pati aspekt më përfaqësues të lëvizjes për mbrojtjen e mjedisit në terren, gjatë dy dekadave të fundit, sesa protestat kundër kantiereve për mbrojtjen e rrjedhave ujore nga hidrocentralet. Shpesh, mbulimi mediatik mungoi ose vonoi, për shkak se protestat zhvilloheshin pranë burimeve të ujit, në zona të thella e të egra. Dëgjesat rezultonin, ose të pavlefshme, pasi refuzimi nga ana e banorëve nuk mund ta ndryshonte kontratën koncensionare, apo vendimmarrjen, ose ato ishin të vonuara, pasi vetë AKM nuk zbatonte procedura të pastra dhe transparente publikimi për njoftimin e komuniteteve në kohë. Kjo bëri që konfliktet dhe përplasjet sociale të zgjateshin e të thelloheshin.
Dhe megjithëse ritmi i HEC-e ka rënë, vijon ende të protestohet. Protestohet në Mat, në Martanesh, në Pukë, në Mirditë; përsëri bashki të vogla, të varfëra, por tashmë edhe më të zbrazura nga banorët që largohen drejt qendrave më të mëdha.
Për çfarë mund të shërbejë në të ardhmen kjo eksperiencë? Ndoshta asgjë më shumë nga çfarë fitoi dhe nga çfarë humbi vendi në dy dekada. Por në të ardhmen, ndërkohë që kushtet e klimës vështirësohen, rreziqet mund të shtohen. Dhe burimet primare janë gjithmonë të fundme. Ndaj duhet reflektuar, përpara se të shkojmë më tej.
Zgjidhjet, bashkë me përvojën, janë aty…
Uji na përket ne
Në Tirolin e Jugut, kooperativat e energjisë kanë siguruar furnizimin me energji elektrike dhe mirëqenie për më shumë se 100 vjet. Të themeluara nga fermerët e maleve, ato vazhdojnë të ofrojnë energji të përballueshme edhe sot, dhe i reinvestojnë fitimet e tyre drejtpërdrejt në jetën e fshatit. Një kundërmodel ndaj fitimeve të korporatave të mëdha energjetike, i cili, në kohë krize energjetike dhe ndryshimesh klimatike, duket pothuajse utopik.
Re të zeza rëndojnë mbi Moos në Luginën Passeier. Të ngjeshura mes shpatieve të pjerrëta malore, ato kanë derdhur shi të pandërprerë që nga mëngjesi. Vetëm pak turistë shëtitës dhe motoristë guxojnë të dalin me xhupa të ngjyrave të ndezura, ndërsa fermerët vendas ulen në han, luajnë letra, pinë birrë Pilsner ose verë Vernatsch.
Por shiu nuk është vetëm një pushim i mirëpritur nga puna e fermës, është gjithashtu një lajm i mirë për banorët e kësaj komune veriore të Tirolit të Jugut. “Sa më shumë shi, aq më shumë para,” thotë Theo Lanthaler, teksa drejton makinën e tij në një rrugë të ngushtë malore. “Sepse sa më shumë ujë, aq më shumë energji elektrike mund të prodhojmë.” Prej dhjetë vitesh, 61-vjeçari drejton “Energie und Umweltbetriebe Moos” (EUM), një kooperativë që i përket të gjithë banorëve.

Foto: Rainer Kwiotek
E shpërndarë nëpër lagjet e fshatit, kooperativa zotëron pjesë në tre hidrocentrale në luginë. Me to, EUM gjeneron shumë më tepër energji se sa i nevojitet: nga 45 milionë kilovat-orë të prodhuara çdo vit, vetëm një e treta konsumohet lokalisht. Pjesa tjetër shitet në tregun kombëtar të energjisë me çmime standarde. Ndërkohë që faturat e energjisë elektrike në gjithë Evropën u rritën ndjeshëm pas pushtimit rus të Ukrainës, rreth 2,000 banorët e Moos nuk kanë paguar kurrë më shumë se dymbëdhjetë cent për kilovat-orë, një nga tarifat më të lira në Itali.
Në mbarë Tirolin e Jugut, rreth 1,000 hidrocentrale të vogla dhe të mëdha qëndrojnë përgjatë lumenjve dhe përrenjve, dhe shumë rezervuarë përcaktojnë tërë lugina malore. Së bashku ata gjenerojnë rreth 7,000 gigavat-orë në vit, afërsisht 90 për qind të prodhimit total të energjisë elektrike të provincës autonome. Sidomos gjatë verës, kur shkrirja e dëborës ushqen lumenjtë, më shumë se gjysma e kësaj energjie eksportohet në rajone të tjera italiane. Megjithatë, prodhimi i energjisë në komunitet, si në Moos, ka rrënjë të thella në Tirolin e Jugut. Ndërsa investitorët dhe kompanitë ndërkombëtare gjetkë fusin në xhep miliarda nga hidroenergjetika, këtu janë qytetarët ata që përfitojnë. Kooperativa të organizuara në mënyrë demokratike që reinvestojnë lokalisht tregojnë se furnizimi me energji mund të funksionojë ndryshe.
Një nga vendlindjet e këtij modeli është Prad am Stilfserjoch, rreth 80 kilometra nga kryeqyteti i Tirolit të Jugut, Bolzano. Për një kohë të gjatë, autoritetet nuk panë ndonjë urgjencë për të sjellë energjinë elektrike këtu. Në ferma dhe stanet alpine, gatimi dhe ngrohja bëheshin me zjarr, ndërsa qirinjtë dhe llambat me vaj shërbenin si burime drite. Në vitin 1913, energjia elektrike mbërriti nga qyteti i afërt i Mals. Por kur tarifat filluan të rriteshin gjithnjë e më shumë, banorët e Prad vendosën t’i ndihmojnë vetes. Në vitin 1923, një grup banorësh ndërtuan hidrocentralin e tyre të parë në përruan Tschrinbach. Ata investuan 375,000 lira, atëherë ekuivalente me 375 lopë. Tre vite më vonë, për të shpërndarë rrezikun, ata themeluan një kooperativë me rreth 50 anëtarë.

Foto: Rainer Kwiotek
Një nga pionierët ishte Alois Wunderer. Djali i tij, dhe më pas nipi i tij, Georg Wunderer, e drejtuan kooperativën përgjatë shekullit të kaluar. Hidrocentrali i vjetër u zëvendësua, u ndërtuan edhe tre të tjerë. Kooperativa shtriu linja elektrike, fibër optike dhe ngrohjeje. Ajo furnizon gjithashtu me ngrohje në bllok me biomasë dhe operon një impiant diellor. Anëtarët në Prad paguajnë tarifa të ulëta energjie, rreth 15 deri 17 cent për kilovat-orë, falë edhe lehtësimeve tatimore dhe përjashtimeve të dhëna për kooperativat historike.
Ndryshe nga komunitetet e tjera rurale që janë tkurrur, Prad është rritur gjatë dekadave. Aty janë vendosur kompani. Sot, gati 3,900 banorë jetojnë dhe punojnë në qytet. “Një nga arsyet për këtë rritje është padyshim kostoja e ulët e energjisë,” thotë Michael Wunderer. Në vitin 2018, pas vdekjes së xhaxhait të tij Georg, 43-vjeçari mori drejtimin e kooperativës. Ai nuk ka ndërmend të pushojë mbi lavditë e paraardhësve. Një nga projektet e tij të para madhore ishte modernizimi i hidrocentralit mbi lumin Suldenbach. “Ai vjen prej andej, nga Alpet Ortler,” thërret Wunderer mbi gjëmimin e ujërave gjatë një vizite në impiant. Në verë ai rrjedh i turbullt me ujë shkrirjeje akullnajore. Kooperativa e Prad ka gjeneruar energji elektrike këtu që nga vitet 1980. Ajo investoi 11 milionë euro në rinovim. “Që nga përfundimi tre vite më parë, kemi qenë në gjendje të furnizohemi vetë gjatë gjithë vitit,” thotë Wunderer.

Foto: Rainer Kwiotek
Kantieri i madhe e ndërtimit i dha gjithashtu Prad-it dhe distriktit Vinschgau një mundësi për të investuar në infrastrukturë. Gjatë zëvendësimit të tubacioneve të vjetra të presionit nga marrja e ujit deri në hidrocentral, u shtruan edhe linja të reja vaditjeje për arat, si dhe një linjë uji të pijshëm për komunitetin. Të gjitha tubat tani kalojnë mes përroit dhe rrugës Stelvio, një magnet turistik ku çdo ditë ngjiten me qindra makina, motorë dhe çiklistë 1,800 metra lartësi mbi 25 kilometra nga Prad deri në qafë. “Aspak e sigurt për çiklistët në një rrugë kaq të ngushtë,” thotë Wunderer, vetë një ngjitës i rregullt. “Prandaj propozova ndërtimin e një shtegu të veçantë biçikletash.” Kostot u mbuluan nga provinca e Tirolit të Jugut.
Wunderer do të donte të ndërtonte edhe një hidrocentral tjetër. “Të fundit,” siguron ai. Ai pret që Prad dhe fshati fqinj Stilfs të vazhdojnë të rriten, dhe bashkë me ta edhe kërkesa për energji. “Me një impiant tjetër, mund të mbetemi ende të vetë-mjaftueshëm dhe të sigurt për dekadat e ardhshme.” Nëse mund t’i realizojë planet, megjithatë, mbetet e pasigurt. Disa vite më parë, Tirolli i Jugut ashpërsoi planet e tij për përdorimin e ujit dhe mbrojtjen e lumenjve dhe Prad ndodhet brenda Parkut Kombëtar të Stilfserjoch. “Ne përpiqemi të ndërhyjmë sa më pak që të jetë e mundur në natyrë,” thotë Wunderer. Nga Suldenbach, për shembull, ata devijojnë vetëm 10 për qind të ujit.
Michael Wunderer nuk është vetëm drejtues i kooperativës në Prad, e cila punëson 12 persona në komunitet. Ai është gjithashtu aktiv në Shoqatën e Energjisë së Tirolit të Jugut (SEV). Ajo bashkon mbi 200 kooperativa energjetike, si dhe kompani të vogla private dhe shërbime komunale. Shoqata ofron këshillim ligjor, organizon sigurime dhe përfaqëson interesat e anëtarëve përpara tregut të energjisë, politikanëve dhe industrisë. “Na duhet një zë i fortë,” thotë Wunderer, “për t’u dëgjuar gjithashtu përballë gjigantit të energjisë Alperia.”
Alperia, kompania provinciale e energjisë e Tirolit të Jugut, u themelua në vitin 2016 dhe është një nga furnizuesit më të mëdhenj të energjisë në Itali. Aksionarët e saj janë Provinca e Tirolit të Jugut, qytetet Bolzano dhe Merano, dhe, në një masë më të vogël, SELFIN, një konsorcium i më shumë se 100 komunave më të vogla të Tirolit të Jugut. Në letër, edhe ky model duket shembullor: fitimet nga 35 hidrocentrale dhe shtatë impiante ngrohjeje në bllok kthehen në duar publike, dhe komunat përfitojnë përmes taksave për përdorimin e brigjeve të lumenjve ose tarifave për mbrojtjen e mjedisit.
Në realitet, kjo është e debatueshme. Kritikët thonë se Alperia drejtohet kryesisht nga logjika e biznesit, ndërsa interesat e qytetarëve lihen pas dore. Përtej kooperativave energjetike, banorët e Tirolit të Jugut vetëm mund të ëndërrojnë energji elektrike të përballueshme. Së fundmi, veprimtaria e Alperia tërhoqi vëmendjen në luginën Ultental, ku planifikon të ndërtojë një hidrocentral akumulues me pompim. Shumë banorë të luginës, tashmë të mbuluar me hidrocentrale, rezervuarë dhe tubacione që nga vitet 1950 dhe 1960, ndihen të anashkaluar nga planet, duke akuzuar kompaninë për mungesë transparence dhe pjesëmarrjeje qytetare. Konflikti është intensifikuar.
“Kjo do të ishte e paimagjinueshme për ne,” thotë Michael Wunderer. Në kooperativën e tij zhvillohet një asamble e përgjithshme çdo vit, raportet financiare bëhen publike dhe Wunderer me bordin japin rekomandime për kursime ose investime, por në fund janë anëtarët ata që vendosin.
E njëjta gjë vlen edhe në Moos. “Nuk ka të bëjë vetëm me fitimin, por me sigurinë e furnizimit me energji dhe afërsinë,” thotë Theo Lanthaler. Arritja e kësaj është shumë më e lehtë në një fshat malor. “Nëse dikujt i duhet energji ndërtimi, ai vjen në zyrë në mëngjes dhe pasdite mund të fillojë punën. Me Alperia, kjo zgjat me javë.” Njerëzit ndihen të përfshirë, duan të kenë të drejtë fjale dhe mendojnë se energjia nga malet e tyre duhet të menaxhohet lokalisht.
Kjo u bë e qartë së fundmi gjatë ndërtimit të hidrocentralit të ri me rrjedhje të lirë në Moos, i përfunduar në vitin 2022. Fillimisht, EUM nuk kishte plane për një impiant tjetër. Por kur dy investitorë privatë nga Bolzano aplikuan për një të tillë në luginë, kooperativa dorëzoi shpejt një kundërpropozim, dhe fitoi. “Për banorët e Moos ishte e vetëkuptueshme: uji na përket neve dhe nuk duhet të bjerë në duar të huaja,” thotë Lanthaler, i cili për projektin prej 13 milionë eurosh kontraktoi kryesisht kompani lokale.
Kooperativa në Luginën Passeier kujdeset për shumë më tepër sesa energjinë elektrike: kur stacioni i karburantit të fshatit humbi qiramarrësin disa vite më parë, EUM e mori në administrim. Banorët dhe vizitorët furnizohen tani aty me çmimet më të lira të karburantit në Tirolin e Jugut. Kooperativa gjithashtu shpëtoi nga mbyllja tre dyqane ushqimore, duke punësuar aty nëntë persona. EUM dhe nën-kooperativat e saj hapën një servis makinash, operojnë një impiant ngrohjeje me shpërndarje në bllok dhe shtruan rrjet fibër optik deri në çdo shtëpi – madje edhe deri në stanet alpine në 3,000 metra lartësi. Ata mbështesin shoqatat dhe klubet sportive lokale përmes donacioneve.

Foto: Rainer Kwiotek
Fatura të lira energjie dhe karburanti, internet i shpejtë dhe vende pune, në Prad dhe Moos, utopia është reale.
Nëse ka një mësim nga dy dekadat e fundit, ai është ky: tranzicioni i gjelbër nuk matet me megavatë të instaluar, por me qëndrueshmërinë e ujit, me besimin e qytetarëve dhe me përfitimin e ndarë drejtësisht. Shqipëria ka kapital të bollshëm natyror dhe njerëzor për ta bërë këtë tranzicion të mençur: diversifikim i matur (diell/erë/gaz rezervë), vlerësim mjedisor real dhe jo formal, rrjedhë ekologjike e monitoruar në kohë reale, si dhe kontrata që e lidhin prodhimin me kontributin social në vend. Modeli i kooperativave të Tirolit të Jugut, energji e përballueshme, menaxhim demokratik, reinvestim lokal, tregon se “uji na përket ne” mund të kthehet në politikë publike, jo vetëm slogan. Kjo nënkupton transparencë të plotë në licencime, pjesëmarrje të detyrueshme të bashkive dhe komuniteteve, fonde kompensuese për lumenjtë dhe pyjet, dhe auditime të pavarura të performancës dhe të ndikimit. Nëse e përkthejmë ambicien në rregulla të qarta, teknologji matjeje dhe bashkëpronësi qytetare, Shqipëria jo vetëm do të mbetet eksportuese e energjisë së rinovueshme, por do të jetë edhe eksportuese e një filozofie të re: energji që u shërben njerëzve dhe ruan natyrën. Ky është revolucioni i gjelbër që ia vlen të fitohet, i matur, i drejtë dhe i përbashkët.
Ky artikull u realizua në bashkëpunim mes gazetarëve Artan Rama nga Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore dhe Rike Uhlenkamp nga Zeitenspiegel Reportagen. Fotografitë e artikullit janë zhvilluar nga Artan Rama dhe Rainer Kwiotek
Ky artikull u zhvillua me mbështetjen e Journalismfund Europe.
