Ida Ismalaj
Çdo mëngjes në Tiranë trafikut të rënduar, biçikletave dhe këmbësorëve i janë shtuar edhe monopatinat. Njerëz që nxitojnë për në punë, djem dhe vajza që vrapojnë në kafene apo shkolla, adoleshentë që ndihen si superheronj mbi dy rrota, të gjithë duke sfiduar trafikun dhe fatkeqësisht, edhe rrezikun.
Andi, 25 vjeç, është një prej tyre. Menaxhon një faqe online dhe çdo ditë shpërndan vetë porositë me monopatinë. “Më ndihmon shumë”, thotë ai. Shmang trafikun, nuk harxhoj karburant dhe jam më i shpejtë se makina. Por, si shumë të tjerë, Andi nuk ndjehet i sigurt. Nuk ka korsira të dedikuara, nuk ka mbrojtje dhe shpesh detyrohet të kalojë mes makinave, trotuareve apo kudo që mund të rrëshkasë.
Ligji mungon, këshilla nuk mjafton
Në Shqipëri, monopatinat janë mes dy botësh: As biçikleta, as motora. Kjo zonë gri i ka lënë përdoruesit të pambrojtur dhe policinë të pafuqishme.
Në mungesë të një statusi të qartë, ndëshkimet janë thjesht këshilla verbale, edhe pse rreziku është i prekshëm, real dhe në rritje.
Eksperti i sigurisë rrugore, Fadil Likaj është i drejtpërdrejtë:
Kur ke një mjet që shkon 25 deri në 50 km/orë, e drejtohet nga të mitur pa kaskë, pa përvojë dhe pa rregulla, je duke ftuar aksidentin. Likaj tha: “Shqipëria nuk ka një ligj specifik që të rregullojë qartë përdorimin e monopatinave elektrike. Nuk ka një moshë të përcaktuar për përdorim, nuk kërkohet patentë, regjistrim apo kontroll teknik dhe as nuk janë përcaktuara korsitë ku lejohet përdorimi i tyre”.
Aksidentet shifra që tregojnë drama njerëzore
35 aksidente me pasoja nga monopatinat u regjistruan në të gjithë vendin nga 1 janari 2024 deri më 31 maj 2025, 18 prej të cilave në Tiranë. Trendi shihet në rritje në 5 muajt e parë të këtij viti. Sipas Policisë së Shtetit, gjatë vitit 2024 u regjistruan 20 aksidente me monopatina, 13 prej tyre në Tiranë. Por, vetëm nga janari deri në fund të majit 2025, janë regjistruar 15 aksidente, duke sinjalizuar një rritje drastike. Mosha e të aksidentuarve është kryesisht 16-25 vjeç.

Shifrat e personave të lënduar nga aksidentet janë më të larta, pasi për ndihmë mjekësore paraqiten jo vetëm përdorues të monopatinave të aksidentuar me makina, por edhe ata që rrëzohen gjatë lëvizjes. Në 5 muajt e parë të vitit 2025 janë trajtuar 212 raste aksidentesh me monopatina, shumica të rinj nga 15 deri në 30 vjeç. Në spitalin e Traumës, mjekët si dr. Ilir Hasmuça përballen çdo ditë me 2 deri në 4 pacientë të dëmtuar me fraktura, trauma koke, brinjë të thyera, mushkëri të dëmtuara. Disa prej tyre përballen me pasoja të përhershme.
Rasti më i rëndë ndodhi më 25 qershor 2025: Tre fëmijë, dy monopatina, një makinë që vinte me shpejtësi dhe një jetë që ndodhet sot në intubim. Megjithëse fëmijët kaluan me semafor të kuq dhe drejtuesi i makinës u arrestua për tejkalim shpejtësie dhe më pas u la në “arrest shtëpie”, reagimi institucional ishte… heshtje.

Rregulla ka. Zbatim? Jo aq.
Që nga gushti 2023, ekziston një rregullore që kërkon mbajtjen e kaskës, respektimin e sinjalistikës dhe qarkullimin vetëm në korsitë e dedikuara të cilat, për ironi, nuk ekzistojnë në shumicën e qyteteve. Edhe pse parashikohen gjoba, në praktikë ato nuk zbatohen. Në terren, policia nuk ka vendosur asnjë gjobë për mungesë të kaskës apo përdorim të gabuar të monopatinave.
Eksperti i sigurisë rrugore Fadil Likaj sugjeron vendosjen e kamerave inteligjente për monitorimin e lëvizjes së monopatinave në zonat urbane. Këto pajisje sipas ekspertit, ndihmojnë në identifikimin e shkelësve të rregullave, por edhe shërbejnë si një mjet parandalues për sjellje të rrezikshme.
Çfarë bëjnë vendet e tjera? Shembuj që Shqipëria po injoron
Në Paris, qytetarët votuan për ndalimin e monopatinave me qira. Në Itali kërkohet targa dhe kaska. Në Kosovë janë ndaluar në sheshe dhe në trotuare që nga viti 2022. Në Maltë dhe Finlandë janë vendosur kufizime të forta. Shqipëria, ndërkohë, vazhdon të eksperimentojë me jetët e qytetarëve të vet.
Në fund, nuk është faji i monopatinës.
Vetë monopatina është një shpikje fantastike për qytete të mbushura me trafik dhe ndotje. Por, kur përdoret pa rregulla, pa edukim, pa infrastrukturë dhe pa kontroll kthehet në burim frike dhe aksidenti.