Redaksia ACQJ
Kurrë më parë nuk kishte ndodhur që një ligj apo reformë të merrte të gjitha votat e nevojshme për miratim. Kjo ngjarje historike e parlamentarizmit shqiptar u shënua në korrikun e viti 2016. Reforma në Drejtësi, një nga më të rëndësishmet që prej periudhës post-komuniste. 140 kartonat jeshil u ngritën në senacën e posaçme pas një konsensusi të rrallë mes forcave politike. Pavarësisht mendimeve dhe reagimeve të shumta në arenën politike, presioni i faktorëve ndërkombëtar që u ushtrua ndaj tyre ishte më i madh se vullneti që kishin partitë politike të majta dhe të djathta.
Në opinionin publik ende besimi për frytet e kësaj reforme ishte në nivele të ulëta. Politika dhe aktorët e saj ishin elita e shoqërisë shqiptare që nuk hasnin probleme me drejtësinë, nuk “shkelnin” ligjin dhe nuk i ndëshkonte askush. Ata që besonin në këtë reformë ishin në minorancë. Ishte krijuar miti i pandëshkueshmërisë jo vetëm për politikanët, por edhe për zyrtarë të lartë apo funksionarë shtetëror.
Pandëshkueshmëria tashmë kishte marrë statusin e normalitetit dhe skepticizmi kishte zënë rrënjë të thella. Përballja me drejtësinë e një politikani të fuqishëm, ministri në detyrë, deputeti, kryebashkiaku apo edhe e një gjyqtari ishte mision i vështirë dhe thuajse i pamundur.

Juristi Alban Duraj, e përkufizon reformën si një proces të “imponuar”, por të domosdoshëm. Ishte presioni i ushtruar nga faktorët ndërkombëtar, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe jo vullneti politik për ti dhënë jetë një epoke të re të drejtësisë shqiptare. Juristi shkon më tej dhe thotë se, pothuajse të gjitha partitë politike që e mbështetën publikisht dhe e votuan këtë reformë, e kontestuan menjëherë kur eksponentë të lartë të politikës u prekën dhe u vunë nën hetim.
Për vite me radhë, drejtësia shqiptare kishte funksionuar si një zgjatim i politikës dhe i politikanëve me ndikim të madh, me gjyqtarë dhe prokurorë të lidhur ngushtë me ta, të komanduar apo të ndikuar nga pushteti i tyre. Sistemi i drejtësisë ka qënë gjithnjë nën hijen e politikës. Një realitet ky që e kishte bërë të pamundur ndëshkimin e zyrtarëve të lartë, pavarësisht akuzave të përsëritura për korrupsion. Duraj thotë se politika kishte ngritur një sistem që nuk ishte në funskion të qytetarit dhe shërbimet që ofronte nuk bazoheshin në ligj. Barrierat e ngritura nxisnin korrupsionin dhe e orientonin qytetarin drejt të vetmes zgjidhje, ryshfetin.
Epoka e re e drejtësisë
Reforma në Drejtësi, ndër të tjera, prodhoi Strukturën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Gjykatën e Posaçme, SPAK dhe GJKKO. Një realitet i ri sapo kishte lindur në Shqipëri, vështirësi dhe sfida të shumta për SPAK, që duhet të vinte drejtësinë e munguar në vend, me një mungesë të theksuar prokurorësh, me një staf të reduktuar, me teknologji të shekullit të kaluar dhe pa një metodologji të qartë hetimi. Sfida të cilat u kapërcyen falë përkushtimit të brendshëm dhe mbështetjes së ndërkombëtarëve.
Tashmë radhën e kishte SPAK, sfida e parë përballë një denocimi që erdhi dy ditë pas krijimit të kësaj strukture e cila ende nuk kishte krijuar zyrën e protokollit për të pritur ankesa dhe denoncimet e qytetarëve apo shoqërisë civile. “Nisam Thurje, ngriti publikisht çështjen e sterilizimit, një aferë e madhe korrupsioni që arrinte deri në nivelet më të larta ministrore. Endri Shabani thotë se kjo reformë dhe këto struktura të ngritura kanë prodhuar një metodologji të re të hetimit dhe një standard që po rritet çdo ditë e më shumë në luftën kundër korrupsionit.
Shabani, i cili ka bërë dhe kallzimin e parë, në ditën e dytë të hapjes së këtij institucioni rrëfen se, ata ende nuk kishin bërë zyrën e protokollit, kur arriti për denoncimin e parë, çështjen e sterilizimit.
Denoncimi për këtë skandal në Shqipëri lidhej me kontratën koncesionare për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale në spitale publike, kontratë e firmosur në vitin 2015, gjatë qeverisjes së Partisë Socialiste. Ky koncesion u cilësua i dëmshëm për buxhetin e shtetit dhe me indicie të forta për korrupsion, duke çuar më pas në hetime penale dhe dënime të zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Shëndetësisë dhe ministrit Ilir Beqaj.
Besimi dhe qasja ndaj institucioneve të reja të drejtësisë shihet njësoj nga avokatët Alban Duraj dhe Jordan Daci. Komponent i rëndësishëm i reformës ishte edhe Veting-u, proces që do të kalonte në sitë, integritetin, profesionalizmin dhe pasuritë e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ky proces i shumë përfolur largoi nga sistemi drejtësisë më shumë se 60% të magjistratëve, pas një vlerësimi të imtësishëm mbi vendimet e marra dhe pasuritë e pajustifikuara. Pavarësisht punës së madhe dhe të vështirë, Veting-u, sipas juristit Alban Duraj, ka patur mangësi serioze dhe largime të padrejta.

“Ata që duhet të përjashtoheshin, e kaluan vetingun. Ndërsa ata që vendosën për fatin e të tjerëve, sot janë të dënuar apo kanë marrë funksione politike”- nënvizon Duraj.
Avokati nuk ndalet me kaq, por thekson se kjo shkakton një kosto të madhe në buxhetin e shtetit që do të rëndojë mbi qytetarët shqiptarë. Shumë çështje janë fituar në Gjykatën Ndërkombëtare në Strasburg.
Fillesat e SPAK
Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, në mëngjesin e 10 shkurtit të këtij viti, befas, zbarkuan në godinën hijerëndë të Bashkisë së Tiranës, me një mandat në dorë, firmosur nga prokurori Olsi Dado dhe kreu i SPAK, Altin Dumani. Nuk ishte një arrestim i thjeshtë, por rrëzimi i një miti që shoqëroi politikanët për 35 vjet tranzicion. Njeriu më i rëndësishëm dhe qytetari i parë i Tiranës, kryebashkiaku Erion Veliaj u përball me akuza të rënda. Akuzat që e çuan pas hekurave erdhën pas një hetimi të gjatë ku u përfshinë biznesmenë, familjarë dhe bashkëshortja e tij Ajola Xoxa.
Akuza
- Korrupsion Pasiv
- Pastrim i Produkteve të Veprës Penale
- Deklarim i Rremë i Pasurisë
Në pesë vitet e para të punës së SPAK, sulmet dhe akuzat që shigjetoheshin ndaj institucionit të ri të drejtësisë nuk munguan asnjëherë edhe pse në kaq pak vite ky institucion ka nisur dhe pasur sukses në një numër çështjesh korrupsioni me pushtetarë të lartë, si Erion Veliaj, Lefter Koka, Ilir Beqja, Alqi Bllako, Vangjush Dako, Arben Ahmetaj, Ilir Meta, Sali Berisha, e një listë e gjatë emrash që kanë dominuar politikën shqiptare që tashmë janë të dënuar ose në përballje me drejtësinë e re. Emra që dikur drejtonin institucione të niveleve më të larta, ligjeronin në tavolinat më të rëndësishme të vendimmarrjes politike apo që shfaqeshin si mbrojtës të ligjit. Ajo që dikur dukej si e pa imagjinueshme, nisi me arrestimin dhe dënimin e ish-Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, dhe kulmoi me arrestimin e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Në pak vite, një listë e gjatë zyrtarësh të nivelit të lartë u hetua, akuzua apo dënua për çështje që lidhen me korrupsionin, shpërdorimin e detyrës dhe abuzimin me fondet publike. Shumë prej tyre ishin figura kyçe në radhët e tre kabineteve të kryeministrit Rama që prej vitit 2013, figura të Parlamentit, administratës lokale, administratës qendrore apo e funksionimit teknik, që përfaqësonin shtetin shqiptar.

Paraqitja e tyre në dyert e këtij institucioni, fillimisht, i ngjante një pasarele apo shakaje me gazetarët prezent, dhe nuk i jepej serioziteti i duhur. Shumëkush e përkufizonte si një takim mes kolegësh apo një kafe shplodhëse. Detaje të rëndësishme që nuk i kanë shpëtuar as gazetares Anila Hoxha.
“Shumë zyrtarë të lartë dhe politikanë e kanë kaluar pragun e asaj godine të qelqtë shumë herë me pozitivitet duke prodhuar batuta. Jam këtu për një kafe, jam thirrur kot, por pasi kanë dalë nga Prokuroria, nuk ishin aq sportiv por e kuptonin se llogatitë e tyre janë hapur dhe janë pyetur për ato që ata dinë.”- thekson gazetarja Hoxha.
Në sfondin e një klime të ngarkuar politike, prokurorët dhe gjyqtarët ushtronin detyrën e tyre në një terren delikat, ku ndjeshmëria politike ishte gjithmonë e pranishme. Megjithëse ata deklaronin se vendimet e tyre nuk ndikoheshin nga politika, realiteti ishte se konteksti politik i ditës e bënte të pamundur izolimin e plotë nga ndikimet e jashtme.
Partitë politike shpesh krijonin një atmosferë agresive dhe të tensionuar, me qëndrime të forta kundërshtuese që shpesh vendosnin drejtësinë në qendër të betejave publike. Kjo klimë e polarizuar nuk ndihmonte aspak performancën e sistemit gjyqësor. Madje, edhe në aspektin psikologjik, ngarkesa ishte e lartë për shkak të zhurmës publike, por edhe për shkak të vëmendjes ndërkombëtare.
Megjithatë, paradat dhe pasarelat fillestare përqeshëse dhe gazmore, me kalimin e kohës filluan të merrnin një ton më të ngrysur, më serioz, më mbytës. Njëri pas tjetrit, të gjithë pushtetarët të cilët vizitonin SPAK për një “takim me kolegët” dilnin nga dyert e këtij institucioni jo më të buzëqeshur, por seriozë dhe shpesh herë të zymtë.

Në krye të kësaj epoke të re të drejtësisë, qendron arrestimi i ish-ministrit Saimir Tahiri. Emri i Ministrit të Brendshëm përmendej në një raport të Prokurorisë së Katanias. Drejtësisa italiane kishte vënë nën hetim një grup të strukturuar kriminal të trafikut të dorgës, hetim që tronditi opinion publik. Njeriu më i fuqishëm dhe më i afërt i Kryeministrit Rama, akuzohej për lidhje me grupin Habilaj. Saimir Tahiri, i njohur asokohe për retorikën e tij të ashpër ndaj krimit përfundoi në burg. Edhe pse akuzat direkte për trafik u rrëzuan, ai u dënua për “shpërdorim detyre”. Çështja e ish ministrit nisi fillimisht të hetohej nga ish Prokuroria e Krimeve të Rënda por ishte Gjykata Speciale e cila e dënoi atë.
Rasti i tij shënoi precedentin e parë: një ish-ministër i Brendshëm u hetua, u gjykua dhe u dënua. Ajo që dikur dukej e pamundur, tani ishte realitet. Pavarësisht kësaj, opinioni publik ende nuk besonte për vijueshmërinë e rasteve të tjetra të rëndësishme.
Një tjetër çështje e rëndësishme sipas gazetares Luljeta Progni, ishte padyshim ajo e inceratorëve. Skandal që bëri bashkë politikanë në një skemë korruptive që nuk ka parë ndonjëherë vendi.
“Kur shkova të intervistoj Kryetaren e Komisionit Hetimor, Jorida Tabakun për aferën e inceneratorëve, ajo më pyeti: “Je e sigurtë që do ta transmetosh? Asnjë mikrofon nuk afrohej.” Ajo fjali më goditi. Ishte një tregues i qartë se kjo ishte një aferë shumë e madhe. Aty e kuptova se nuk bëhej fjalë vetëm për korrupsion, por për diçka që shumëkush kishte frikë ta prekte.”- shprehet gazetarja Progni për rastin që ka publikuar në media.
Hetimi mbi aferën e inceneratorëve nisi që në vitin 2017 me kontratën në Elbasan, ku të dhënat ishin të paqarta. Më pas protestat e banorëve në Fier nxitën hetime mbi kompanitë që fitonin kontratat, të cilat rezultuan të lidhura me njëra-tjetrën dhe pa asnjë përvojë në fushën e mbetjeve. Këto kompani përpiqeshin të krijonin legjitimitet përmes figurave të huaja. Me zbardhjen e kontratës së Tiranës në 2020, skema u shfaq më e gjerë dhe lidhjet politike u bënë më të dukshme. Pas një pune të gjatë hetimore, në qendër të gjithçkaje u shfaq një emër i panjohur: Mirel Mërtiri.
Çështja e inceneratorëve u denoncua për herë të parë në mënyrë të thelluar dhe të dokumentuar nga BIRN Albania (Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese). Që në vitin 2017, gazetarët e BIRN nisën të hetonin fillimisht kontratën e inceneratorit të Elbasanit, e cila ngriti pikëpyetje serioze mbi transparencën dhe ligjshmërinë e procedurës. Më tej, investigimet e tyre zbuluan një skemë të ngjashme edhe në Fier dhe më vonë në Tiranë, me të njëjtët persona dhe kompani pa përvojë, por që fitonin kontrata të mëdha publike.
Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese ishte i pari që identifikoi emrat kyç si Stela Gugallja, Klodian Zoto dhe personin në hije Mirel Mërtiri, duke ndërtuar një hartë të qartë të lidhjeve mes tyre dhe zyrtarëve shtetërorë.
Gazetarja e Aleksandra Bogdani, thotë për ACQJ se “hetimi për këtë çështje mbeti i kufizuar dhe tek disa nivele, që ishin shumë të qarta të implikuara, por shumë persona të tjerë nuk janë hetuar apo dërguar deri më sot në gjyq edhe pse kanë lidhje të qarta.” Bogdani shkon më tej dhe thekson se, çështja u bë publike dhe trysnia ndaj institucioneve të drejtësisë u rrit, çka çoi më vonë në nisjen e hetimeve nga SPAK dhe në procedimin penal të disa zyrtarëve të lartë.
Megjithatë, sipas vetë Bogdanit drejtësia ka dështuar të shkojë deri në fund, duke mos përfshirë të gjithë personat me përgjegjësi reale në këtë aferë masive financiare dhe institucionale.
Përgjegjësia kryesore e kësaj afere ra mbi ish ministrin e mjedisit Lefter Koka duke u etiketuar si “ministri i inceneratorëve”.
Lefter Koka, figura e heshtur në kabinetin “Rama 1”, u arrestua nga SPAK për korrupsion pasiv, shpërdorim detyre dhe pastrim parash. Sipas prokurorisë, Koka kishte marrë miliona lekë rryshfet nga kompanitë që përfituan kontratat e inceneratorëve të Elbasanit dhe Fierit.
Hetimi u mbështet në dokumente zyrtare, lëvizje të dyshimta financiare dhe deklarime të bashkëpunëtorëve të drejtësisë. Arrestimi i tij u bë simboli i një drejtësie që nuk kursen më askënd. Kjo ngjarje shënoi edhe rastin e parë kur një ish-ministër arrestohet për shkak të detyrës për një aferë që kishte lidhje direkte me një politikë qeveritare të promovuar publikisht.
Në këtë skemë përfitimi në hetimet e SPAK-ut rezultoi edhe një tjetër emër në Parlamentin shqiptar, deputeti Alqi Bllako. Një figurë e re por premtuese në skenën politike me një profil të thjeshtë, arsim të mirë dhe me një karrierë në ngritje të shpejtë, Bllako zuri vend në radhët e të rinjve socialist që aspironin të ishin ndryshe, me më pak lidhje me emrat klasikë.
Por rruga e tij drejt majës së administratës u përplas me një nga skandalet më të mëdha të korrupsionit në vend: çështja e inceneratorëve. Në këtë çështje, emri i tij u lakua pas hetimeve të kryera. Ai nuk kishte qenë pjesë e tryezave publike ku projekti i inceneratorëve mbrohej me zë të lartë si “zgjidhje për menaxhimin e mbetjeve”. I veshur me kostumin e drejtorit të Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve dhe më pas atë të Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit, sipas SPAK, ai firmosi dokumentin që i hapi rrugë koncesionit të inceneratorit të Fierit. Në dosjen e SPAK rezulton se Bllako kishte ndërhyrë personalisht për të favorizuar kontratën duke mundësuar realizimin e një marrëveshje fiktive në interes të kompanisë përfituese. Ky skandal nuk u konsiderua thjeshtë si një çështje korruptive por si një histori ku digjen paratë publike për shërbime që paguhen dhe nuk ofrohen.
Inceneratori i Fierit nuk funksionoi asnjë ditë edhe pse buxheti i shtetit kishte vijuar të paguante miliona euro për një shërbim të munguar.
Për një pjesë të opinionit publik, rasti i inceneratorëve ishte dëshmi se SPAK po lëvizte, por për të tjerë, ishte edhe një kujtesë se korrupsioni në Shqipëri nuk vjen vetëm nga figurat e vjetra, por edhe nga zyrtarë të rinj, që kanë zgjedhur të përshtaten me sistemin, jo ta sfidojnë atë.
Nga majat e pushtetit në qeli apo arrati
Pavarësisht arritjeve të bujshme të SPAK ndër vite, deri në ato momente, personazhi më i bujshëm nën akuzë nga institucionet e drejtësisë ishte numri dy i qeverisë, ish zëvendëskryeministri, Arben Ahmetaj. Sot ai ndodhet në arrati dhe në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia. Një nga njerëzit më të besuar dhe të afërt me kryeministrin Rama, u hetua fillimisht për çështjen e inceneratorëve, por më pas hetimi u zgjerua në disa pista: korrupsion, pastrim parash, fshehje pasurie dhe ndikim të paligjshëm në vendimmarrje. Në dosjen hetimore janë përfshirë prova mbi udhëtime luksoze, apartamente të paguara nga biznesmenë, pagesa të dyshimta në emër të të afërmve të tij dhe kontrata të lidhura në mënyrë të fshehur.
Hetimi ndaj tij u shtri deri të të afërm dhe familjarë, ish bashkëshortja dhe bashkëjetuesja e Ahmetajt. Ish numri dy i qeverisë refuzoi të paraqitej në strukturën e posaçme për të cilën kishte ngritur kartonin jeshil, për ti hapur rrugën drejtësisë së re. Ndonëse në kërkim, Ahmetaj është shfaqur në studio televizive vendase dhe të huaja duke adresuar akuza të forta ndaj qeverisë Rama, ku ai bëntë pjesë përpara se drejtësia të vepronte mbi të.

Po ashtu, për sa i përket akuzave të ngritura për figura të larta publike, në ditët e para të punës së SPAK, erdhi dhe një lumë denoncimesh nga Endri Shabani, drejtues i Nismës Thurje, në adresë të ish Ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj. Ky i fundit thotë se levizja e tij ka dërguar 6 çështje në SPAK, e para, në fakt lidhet pikërisht me dosjen e sterilizimit.
“Kjo çështje përfaqësonte vjedhjen e parave të ilaçeve dhe spitaleve, për tu bërë vila për pushtetarët. Pra shumë shqiptarë humbin jetën nëpër spitale që një ministër, një drejtor, një biznesmen i lidhur me ta, të ndërtojë vila në kurriz të shqiptarëve të zakonshëm. – shprehet Shabani për denoncimet e para.
Fillimisht, Beqaj u promovua si një nga njerëzit e rinj të Partisë Socialiste që do të sillnin modernizim dhe eficiencë të shërbimeve publike. Ilir Beqaj nuk ishte figurë tipike politike por vinte nga një profil teknik, me përvojë në menaxhimin e fondeve publike, dhe mori në dorë një prej sektorëve më të ndjeshëm e të rëndësishëm në vend, shëndetësinë.
Por pas një dekade në skenën publike, ai nuk është më ministër, por i pandehur nga SPAK. Nga viti 2013 deri në 2017, gjatë qeverisë së parë të Edi Ramës, ai u shfaq si një figurë me ide të qarta për modernizimin e sistemit shëndetësor, por u shoqërua shumë shpejt me polemika për mënyrën si u menaxhuan fondet publike, sidomos në lidhje me koncesionet në sektorin e analizave laboratorike dhe sterilizimit.
Megjithatë, aktakuza që sot e vë atë përballë drejtësisë nuk ka lidhje drejtpërdrejt me kohën kur ishte ministër, por me një post që kaloi gati pa u vënë re në publik: drejtues i Agjencisë Shtetërore për Programin e Bashkëqeverisjes Europiane dhe Zhvillimit Rajonal (SAPHEZ).
SPAK e akuzon Beqajn për shkelje të barazisë në tendera dhe për korrupsion pasiv, në lidhje me dhënien e kontratave publike për projekte zhvillimi rajonal në vlerë miliona euro.
Shpresat e reja që nuk u materializuan
Ishin vitet e para të një shekulli të ri, kur në Shqipëri po lulëzonin zërat e shoqërisë civile, një lëvizje revolucionare në mbrojtje të interesave qytetare, në krye të saj qendronte një djalë i ri, intelektual dhe shpresëdhënës. Karriera e Erion Veliajt filloi si aktivist me lëvizjen MJAFT!. Organizata që denonconte korrupsionin, klientelizmin dhe mungesën e transparencës në qeverisje. Ironike kur mendon se sot, si kryetar i Bashkisë së Tiranës, ky i fundit po përballet pikërisht me të njëjtat akuza si: favorizime klienteliste, mungesë transparence dhe shpërdorim fondesh publike.
Sot, thuajse pas çerek shekulli, kundërshtarët e tij politike brenda dhe jashtë partisë, prisnin që Veliaj të rezultonte pjesë e inceneratorit të Tiranës si një nga veprat më korruptive apo skema e ndërtuar nga drejtorët dhe bashkëpunëtorët e ngushtë të kryebashkiakut, drejtësia e ka dërguar në bankën e të akuzuarve për akuza të tjera.
Për gazetaren Luljeta Progni, arrestimi i kryebashkiakut Veliaj ishte i pritshëm, por i pabesueshëm, deri sa ndodhi për shkak të ndikimit të lartë që ai kishte krijuar në çdo instancë shtetërore.
Politikanë të vjetër me akuza të vjetra
Veç kastës së politikanëve në qeverisje, përballjes me SPAK nuk i shpëtuan edhe liderët e opozitës. Sali Berisha dhe Ilir Meta, figura që kanë mbajtur postet më të larta të shtetit shqiptar, njëri nën masën e detyrim paraqitje dhe tjetri në qeli.
I diplomuar për ekonomi, Ministër, Kryeministër, Kryetar Kuvendi, President dhe themelues i forcës së tretë politike në një kohë në vend, Ilir Meta, është një nga katër figurat që ka dominuar politikën shqipëtare në më shumë se tre dekada.
Në vitin 2023, një realitet i ri nisi ta zhbëntë këtë figurë kyçe të politikës shqiptare. SPAK hapi dosjen mbi marrëveshjen e famshme të arritur mes kompanisë çeke CEZ dhe qeverisë shqiptare në vitet kur Ilir Meta ishte zevendës Kryeministër dhe Ministër i Ekonomisë. Një marrëveshje që i kushtoi shtetit shqiptar rreth 500 milionë euro humbje dhe që përfundoi me pagesën e 95 milionë eurove nga qeveria shqiptare për të shmangur arbitrazhin ndërkombëtar.
Në këtë skemë, sipas hetimeve, ndërmjetësues rezultoi kompania DIA e biznesmenit Kastriot Ismailaj, i konsideruar si një nga njerëzit më të afërt të Ilir Metës, e që sot, mund të jetë çelësi i artë që ka SPAK në dorë për të hapur dosjet e nxehta të ish Presidentit të Shqipërisë. Po ashtu media ka raportuar për një numër të lartë pagesash të pa audituara, dokumente të zhdukura dhe lidhje të tërthorta përmes njerëzve të afërt të Metës. Vetë Meta i ka mohuar akuzat dhe ka përshkruar gjithçka si një “gjyq politik” i udhëhequr nga qeveria.
Një tjetër pistë ku drejtësia ka shtrirë hetimin është pasuria personale e Ilir Metës dhe ish bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi. SPAK ka deklaruar se është duke bashkëpunuar me autoritetet zvicerane dhe austriake për të hetuar lëvizje të dyshimta parash. Gjatë hetimeve në SPAK janë paraqitur edhe fëmijët e dy politikanëve. Pas zgjedhjeve të 11 majit, Ilir Meta nuk është më në asnjë pozicion që i jep imunitet. Ai është një lider opozitar, me pak kontroll real mbi institucionet.
Një tjetër emër mjaft i lakuar në mjedisin mediatik është edhe ai ish kryeministrit Sali Berisha. Lideri i opozitës, nuk po përballet vetëm me kundërshtarët e tij politik por është në qendër të akuzave të drejtësisë.
Më 30 dhjetor 2023, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi masën e arrestit shtëpiak për Sali Berishën, në kuadër të hetimeve për çështjen e njohur si Dosja Partizani një aferë që lidhet me tjetërsimin e pronës publike në ish-kompleksin sportiv të Partizanit, ku përfitus rezultoi dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi. SPAK e akuzoi Berishën për korrupsion pasiv të funksionarit të lartë publik, me pretendimin se ai ka përdorur pozitën e tij si kryeministër në vitet 2008–2012 për të ndikuar në privatizimin e truallit, duke përfituar në mënyrë indirekte përmes familjarëve të tij.
Kjo betejë e ashpër me drejtësinë, nuk e ndali liderin e opozitës të vijojë politikën aktive dhe të garojë në zgjedhjet e 11 majit. Sali Berisha ka qënë një nga zërat më kritik ndaj drejtësisë së re, dhe shumë herë ka artikuluar akuza të rënda ndaj prokurorëve dhe gjyqtareve të organeve të reja të ndërtuara.
Për vite me radhë, Berisha ishte i paprekshëm. Por hetimi i SPAK, arrestimi i dhëndrit të tij dhe vendimi për arrestit shtëpiak më pas detyrim paraqitje, e kanë vendosur Berishën në një terren të ri atë të perballjes me drejtësinë dhe llogaridhënien.
SPAK në 2024
Raporti i fundit i Qendrës për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes (CSDG) evidenton se korrupsioni vijon të mbetet një fenomen i përhapur në institucionet shqiptare, me një theks të qartë mbi pushtetin lokal dhe forma të thjeshta por domethënëse në zbatimin e skemave korruptive. Gjatë vitit 2024, shumica dërrmuese e rasteve të korrupsionit të ndjekura nga SPAK dhe të dënuara nga Gjykata e Posaçme lidhen me veprat penale të shpërdorimit të detyrës dhe përfitimit të paligjshëm të interesave.

Në mënyrë të veçantë, analiza tregon se zyrtarët e nivelit të lartë të dënuar gjatë vitit 2024 janë kryesisht kryetarë bashkish. Nga tetë raste korrupsioni që u gjykuan gjatë këtij viti, shtatë prej tyre lidhen me pushtetin vendor, ndërsa vetëm një rast përfshin zyrtarë nga sistemi i drejtësisë, ndryshe nga vitet paraardhëse, ku pjesë e statistikave ishin dhe pushtetarë qendrorë.
Gjatë vitit 2024 nuk u regjistrua asnjë vendim për korrupsion që përfshinte zyrtarë të nivelit të lartë nga pushteti ekzekutiv apo legjislativ, duke reflektuar një boshllëk të rëndësishëm në ndëshkueshmërinë e korrupsionit në nivelet më të larta të vendimmarrjes politike në Shqipëri.
Një tjetër aspekt domethënës i analizës është lidhja e korrupsionit me dëme relativisht të vogla ekonomike. Përveç disa rasteve të izoluara, shumica e veprimeve korruptive të gjykuara në 2024, ndryshe nga gjetjet e viteve paraardhëse, kishin pasoja të vogla financiare, me mekanizma të thjeshtë të zbatimit dhe pa përdorim të gjerë të skemave të sofistikuara për fshehjen e aktiviteteve. Këto përfshijnë kryesisht pagesa të drejtpërdrejta, manipulime të vogla në tendera dhe prokurime, si dhe ndikim në proceset zgjedhore në nivel vendor.
Raporti gjithashtu nënvizon mungesën e vendimeve që lidhen me korrupsionin në sistemin e drejtësisë, pavarësisht referimit të 19 rasteve nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në prokurori për ndjekje penale.
Për herë të parë në më shumë se tre dekada tranzicion, emra të fuqishëm të politikës shqiptare u thirrën për të dhënë llogari përpara ligjit. Jo në sallat dhe konferencave apo në studiot televizive, por përballë prokurorëve të SPAK-ut dhe gjyqtarëve të GJKKO-së.

Ngjarjet e viteve të fundit dhe puna e SPAK, sollën një mjedis të egër dhe armiqësor shoqëruar me sulme personale dhe gjuhë denigruese edhe ndaj medias. Sulme dhe lincime publike në të gjitha drejtimet. Gazetari Eni Ferhati thotë se edhe presionet ndaj medias kanë qenë nga më të thjeshtat deri tek më të sofistikuarat. Ferhati shkon më tej dhe thotë se edhe vetë SPAK-u ka qenë në qendër të sulmeve madje është vënë në diskutim edhe vetë ekzistenca e kësaj strukture. Shpesh herë, në qendër të sulmeve të Berishës, Metës, Veliajt dhe Ahmetajt ishte kreu i SPAK, Altin Dumani.
Juristët Alban Duraj e Jordan Daci thonë që hetimet duhet të jenë të drejta, të pavarura dhe të respektojnë të drejtat e njeriut. Hetimi i zyrtarëve të lartë duhet të shërbejë si paralajmërim për të gjithë ata që synojnë poste publike. Këta njerëz duhet të ndihen të frikësuar nga përgjegjësia penale, jo të mbrojtur nga pushteti.
Lufta kundër korrupsionit nuk është një maratonë me finish, por një betejë e përhershme me strukturat e vjetra të pushtetit, interesat klienteliste dhe kompromiset politike. Drejtësia e re është konsideruar si një nga momentet më vendimtare të ecurisë se Shqipërisë ndaj aspiratave intergruese apo mirefunksionimit të shtetit. Për qytetarin e zakonshëm, këto raste janë shpresë dhe zhgënjim njëkohësisht. Nga njëra anë, arrestimi i një ish-ministri apo kryebashkiaku sjell ndjesinë se më në fund po jepet një lloj llogarie pas më shumë së tri dekada e gjysmë. Nga ana tjetër, zvarritja e proceseve dhe mungesa e dënimeve të formës së prerë sjellin dyshimin se gjithçka mund të mbetet në gjysmë.