Tirana Kryeqyteti Evropian i Rinisë: Pa shkolla dhe mësim me dy turne

Ida Ismalaj

Tirana, e kurorëzuar si Kryeqyteti Evropian i Rinisë, për 2024 përballet me një paradoks: ndërsa qyteti vjen duke u rritur, infrastruktura arsimore nuk plotëson nevojat.

Me mbi 70,000 banorë dhe me zona në rritje si Astir dhe Kashar, që janë pa shkolla publike, prindërit janë të detyruar të përballen me sfida të përditshme për të shkolluar fëmijët. Ndërkohë, klasat e mbipopulluara dhe oraret me dy turne e bëjnë edhe më urgjente nevojën për investime në arsim, një premtim që ende nuk është realizuar.

“Fëmijën e çoj në shkollën “Dhora Leka”, te ish fusha e Aviacionit, pasi në Astir nuk kemi shkollë”, thotë një banor i kryeqytetit. Veç vështirësive të tjera, ai shprehte mungesën e theksuar të institucioneve arsimore publike në bllokun e ri të pallatave ndërtuar së fundmi. 

40 shkolla të reja ishte premtimi i kryebashkiakut Erion Veliaj për mandatin e tretë dhe shmangia e mësimit me dy turne, që do të lehtësonte klasat nga mbingarkesa me nxënës.

Zonat në zhvillim në Tiranë, pa shkolla

Njësia administrative 14, ku përfshihen lagjet Astir, Yzberisht, Kashar nuk ka shkolla publike, ndonëse sipas të dhënave zyrtare, në këtë njësi  banojnë mbi 70 mijë banorë.

Kosto për prindërit dhe trafik i rënduar në kryeqytet

Pasojat e mungesës së shkollave publike në disa zona të Tiranës i vuajnë mijëra nxënës dhe prindër, të cilët detyrohen të paguajnë për transportin, të sfidojnë mësimin me turne dhe një pakicë që i ka mundësitë, të paguajë shkolla jopublike.

Një tjetër prind ankohet se i duhet çdo ditë që fëmijën ta dërgojë te shkolla “Dora D’istria” në Myslym Shyri, 40 minuta në këmbë.

Ndërsa, dy djem në klasën e 7 shprehen se në mungesë të shkollës në Astir, janë detyruar që mësimin ta zhvillojnë në shkollën “Vasil Shanto”.

Veliaj premtoi 5 shkolla publike në Astir

“Ne do të bëjmë 5 shkolla në Astir që ti ketë zili e gjithë dynjaja”, ishte premtimi i kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, gjatë një takimi me banorët në prill të vitit 2023, pak para zgjedhjeve lokale.

23 SHKURT 2024

10 muaj më vonë, Veliaj foli sërish për ndërtimin e shkollave të reja në Astir, gjatë takimit me të rinjtë në shpërndarjen e kartave të reja të anëtarësimit. Kryebashkiaku  tha: Do të ndërtojë dy shkolla në rrugën “Tre Dëshmorët” në Kombinat, dy shkolla në zonën e Kasharit dhe një tjetër shkollë në vijën e parë të Astirit.

Për mosndërtimin e shkollave, Veliaj u justifikua me luftën në Ukrainë

“Kur ne u përgatitëm për të hedhur lotin, pasi kishim zgjidhur të gjithë konfliktet e pronësisë u rrit jashtëzakonisht çmimi i çelikut dhe betonit. Nuk erdhi askush të bënte shkollat”- tha Veliaj në atë kohe.

Mungesa e shkollave publike te Liqeni i Thatë dhe Sauk

Zona e liqenit të Thatë me rreth 23 mijë banorë dhe ndër më të shtrenjtat si pasojë e bumit të ndërtimeve të reja nuk ka një shkollë publike. Në mars të vitit 2023, Veliaj sërish premtoi se krahas ndërtimit të shkollave në Astir, do të ndërtojë edhe 2 shkolla, 1 tek “Kopshti Botanik” dhe 1 tek parku Olimpik.

Edhe zona e Saukut ka mungesë të shkollave publike, krahasuar me numrin e popullsisë. Për këtë fakt, Veliaj premtoi ndërtimin e 2 shkollave të reja.

Veliaj vendosi edhe bast për 40 shkollat e parealizuara

Në një intervistë televizive, në maj të vitit 2023, kryebashkiaku  tha: Është pa dyshim një kënaqësi e jashtëzakonshme që kemi bërë 40 shkolla. Unë i kuptoj këta, unë jam gati të jap llogari. Pse 40 dhe jo 50? 40 me zero është prapë një rezultat mbresëlënës.

Shkolla të rikonstruktuara dhe të ndërtuara të reja në Tiranë 2020-2024

Bashkia e Tiranës i përgjigjet pjesërisht kërkesës për informacion, dërguar nga “Sinjalizo”. Bashkia na vendos në dispozicion të dhëna për shkolla të rikonstruktuara dhe të ndërtuara të reja, gjatë 4 viteve të fundit.

Nga të dhënat, janë rikonstruktuar 13 shkolla gjatë 4 viteve, 9 shkolla me fonde të bashkisë së Tiranës dhe 4 të tjera me fonde të donatorëve të huaj.

             Faximile: Të dhëna nga bashkia e Tiranës

Në 2024, 2 shkolla në proces rikonstruksioni dhe 4 për t’u ndërtuar

2 shkolla janë në proces rikonstruksioni, ndërsa 4 të tjera janë në proces për t’u ndërtuar, me fonde të bashkisë së Tiranës.

Për rikonstruksion është shkolla 9-vjeçare “Shyqyri Peza” dhe ndërtimi i terreneve sportive dhe muri rrethues për shkollat “Mustafa Greblleshi” dhe “Sandër Prosi”

Në proces ndërtimi është shkolla 9-vjeçare “Ibrahim Hima”, shkolla e Mesme e Bashkuar

Krrabë, shkolla 9-vjeçare “Edit Durham” dhe shkolla 9-vjeçare “Pjetër Budi”.

            Faximile: Të dhëna nga bashkia e Tiranës

Shkollat në proces ndërtimi, i pazgjidhur mësimi me dy turne

Teksa 4 shkolla priten të ndërtohen të reja, ajo që mbetet pa zgjidhur është mësimi me dy turne. Nxënësit e shkollës “Edith Durham”, duke qenë se do të ndërtohet nga e para, u zhvendosen tek shkolla “Emin Duraku” për të bërë mësim pasdite. Një njoftim që erdhi prindërve, 1 muaj pasi kishte nisur viti i ri akademik.

Problemet e mësimit me dy trune

Në kërkesën për informacion, Zyra Vendore Arsimore Parauniversitare bën të ditur se mësimi me dy turne zhvillohet në 26 institucione arsimore publike

1.    Numri i institucioneve arsimore publike për arsimin e mesëm të ulët është 105.
2.    Numri i institucioneve arsimore publike për arsimin e mesëm të lartë është 41.
3.    Mësimi zhvillohet me dy turne në 26 institucione arsimore publike.
4.    Për shkak të rikonstruksionit të disa shkollave, mësimi zhvillohet pasdite në pesë institucione arsimore publike:
-     Sheqyri Peza, Mersin Duqi, Ibrahim Hima, Pjetër Budi dhe Edith Durham.
•           Numri i nxënësve për klasë është sipas përcaktimeve të Udhëzimit Nr. 14, datë 10.07.2023 “Për numrin e nxënësve për klasë dhe ngarkesën mësimore të punonjësve arsimorë në institucionet e arsimit parauniversitar.” Shkollat përmbushin kërkesat për numrin e nxënësve për klasë sipas këtij udhëzimi.
 Faximile: Të dhëna nga Ministria e Arsimit

Sa efektive është për fëmijët mësimi me dy turne

Mësuese Tereza Marku, që jep lëndën e Biokimisë në shkollën “Edith Durham” flet për vështirësitë që hasën fëmijët në kalimin e shkollës pasdite tek “Emin Duraku”.

“Për prindërit, ishte problem në fillim kalimi i mësimit pasdite. Kjo për shkak të orareve të punës, mungesa e kohës me fëmijët. Ndërsa nxënësit e patën pak të vështirë përshtatjen, janë ndonjëherë edhe të përgjumur, pasi efektiviteti në mësime bie pasdite”-thotë mësuese Tereza.

A përmbushin standardet shkollat me dy turne?

Sipas Ministrisë së Arsimit, shkollat përmbushin kërkesat për numrin e nxënësve për klasë dhe ngarkesën e stafit në institucionet e arsimit parauniversitar.

Por, ndryshe pretendon Presidenti i Sindikatës së Arsimit

Isa Halilaj, president i Sindikatës së Arsimit shprehet se në Udhëzim parashikohet se 31 është numri maksimal i nxënësve në një klasë. Por, sipas tij ndryshe veprohet, pasi numri i nxënësve shkon në 36 në klasë, duke sjellë edhe rënie të cilësisë së mësimdhënies.

“Po shkojmë drejt arsimit me dy standard. Ndryshe janë kushtet në shkollat në qendër, për të cilat investohet më shumë sesa në periferi. Një përqindje e lartë e mësuesve punon në disa shkolla dhe kjo mbingarkesë sjell rënie të cilësisë”-shprehet Halilaj.

MASR: Shkollat janë të pajisura me të gjitha mjetet didaktike

Sipas Ministrisë së Arsimit, shkollat kanë të gjitha materialet e nevojshme për zhvillimin e procesit mësimor, ku përfshihen librat, pajisjet teknologjike dhe mjetet e tjera mbështetëse për mësimin në çdo nivel arsimore.

Shkolla “Petro Nini Luarasi” e amortizuar dhe pa laboratorë

Mësuesja e shkollës “Petro Nini Luarasi” Etleva Doka, e cila ka 32 vite në arsim flet për nevojën për rikonstruksion në këtë gjimnaz dhe për investim në mjete për mësimdhënie cilësore.

“Marrim laptopin e lidhim me internetin e telefonit tonë, pasi në shkollë është një linjë interneti, por nuk punon. Nuk kanë bërë asnjë investim. Laboratorë 0. Ka vite që laboratori i kimisë nuk funksionon dhe ato solucione të thjeshta i bëjmë vetë. Mësimi me tableta nuk ka funksionuar asnjëherë, sot janë të mbyllura në sirtar, jashtë funksioni”-thotë mësuese Etleva.

Ajo ndan shqetësimin se si iu kërkohet ora e mësimit dixhitale, ndërsa mësuesit nuk kanë pajisjet e duhura për ta ushtruar.

Përtej premtimeve elektorale të bëra ndër vite, Tirana vijon të vuajë mungesën e shkollave, por edhe të mësimit me dy turne. Krahas kësaj, problematike mbetet edhe shkollat jashtë standardeve, ku një pjesë e tyre janë të amortizuara dhe nuk kanë pajisjet e duhura për të zhvilluar siç duhet procesin mësimor.

Ndërsa premtimet për shkolla të reja dhe ulje të mbipopullimit të klasave përsëriten, banorët vazhdojnë të përballen me pasojat e mosveprimit. Nëse Tirana do të mbetet qendër për fuqizimin e të rinjve, premtimet për infrastrukturën arsimore duhet të kapërcejnë sloganet e fushatës dhe të bëhet një realitet i prekshëm.

Ky artikull u krijua bazuar në të dhëna të siguruara nga individë që kanë zgjedhur të ngrenë zërin. Ndani historinë tuaj, fuqizojini të tjerët dhe bëhuni faktor për ndryshim. Vizitoni faqen: www.acqj.al/sinjalizo-dhe-ti/