Sonte në pjesën e parë të emisionit “31 Minuta” do të flasim për një realitet që të gjithë e ndeshim, por që pak e njohim. Përkundrazi, e paragjykojmë sepse nuk e njohim. Komunitetin Rom.
Romët janë një komunitet i veçantë, shpesh herë i diskriminuar, gjithmonë i stigmatizuar për varferinë dhe mënyrën e tyre të jetesës. Por romët janë njerëz plot ngjyra, të gjallë, me shumë talent, njësoj si të gjithë të tjerët, ndonjëherë edhe më shumë se të tjerët, që nuk i përkasin këtij komuniteti. Mjafton që të kenë një mundësi për të shprehur botën e tyre dhe mund ti shohim ndryshe nga sa i paragjykojmë. Por jo pak herë kjo mundësi u mohohet, institucionet harrojnë që këta njerëz jetojnë bashkë me ne, ngjitur me ne. Në vend janë me qindra, në mos me mijëra pjesëtarë të komunitetit rom që nuk figurojnë në regjistrin themeltar të shtetit. Për autoritetet ata janë njerëz pa shtetësi, të cilët për këtë shkak nuk marrin asnjë shërbim, nuk përfitojnë as arsimim, as kujdes shëndetësor, për vete dhe foshnjat e tyre. Sepse për shtetin shqiptar ata nuk ekzistojnë. Edhe pse ata janë të gjallë, janë aty, përpara syve të kujtdo, të gatshëm të shfaqin të gjithë talentin dhe ëndrrat e tyre. Ndiqni gazetarin Brejdon Xhavara.
You may also like



















