Lumi Gjanica dhe “fasadat” që nuk e fshehin dot ndotjen

Autor: Joel Cela

Lumi i ndotur Gjanica prej vitesh kërcënon banorët e zonës së Fierit dhe mjedisin, aq sa vitin e kaluar u dërgua si çështje në gjykatë. Nisma nuk ndryshoi gjë në thelb, pasi lumi, edhe pse me një fasadë të kuruar në qendër të qytetit, vijon të jetë i ndotur. Një verifikim në terren dhe në bashki tregoi dy probleme madhore. Së pari, premtimi i kryebashkiakut për projektin pilot të pajisjes me filtra pastrues në Gjanicë rezulton të ketë qenë një spektakël mediatik dhe së dyti, autoriteti vendor mjedisor mohon së fundi që ndotësit e lumit të jenë mbetje hidrokarbure. Por pamja dhe era që shpërndahet nga lumi janë të pangatërrueshme.

Pastrimi i lumit Gjanica në Fier është një premtim që përsëritet prej vitesh, sidomos në fushatat për zgjedhjet vendore. Prej vitit 2015 deri në vitin 2019, pati premtime të njëpasnjëshme për rehabilitimin e këtij lumi, të publikuara edhe në faqen zyrtare të Facebook-ut të Bashkisë së Fierit, e cila ndërkohë pranon se ndotësit janë operatorët e përpunimit të hidrokarbureve.

Në postimet e njëpasnjëshme të punës së Bashkisë së Fierit për lumin Gjanica në rrjetet sociale tërheq vëmendjen fakti se njëherë i referohet si pastrim i lumit Gjanica dhe herë të tjera si rehabilitim i lumit. Por çfarë logjike do të kishte projekti i rehabilitimit të lumit pa përfshirë edhe pastrimin e tij?

Kryetari i Bashkisë së Fierit, zoti Armando Subashi, më 20 janar të vitit 2018 lajmëroi fillimin e filtrimit të ujërave përmes projektit Recovered Earth Gjanica.

“Me pak fjalë i gjithë ky projekt konsiston në pastrimin e gjithë ujërave të lumit Gjanica.

Sipas kompanisë, në të gjithë gjatësinë e lumit Gjanica, duke filluar nga Mallakastra e deri në grykëderdhje të lumit Seman, pra aty ku bashkohen me lumin Seman, janë identifikuar rreth 21 pika, të cilat janë problematike dhe ndotin lumin.

Në qoftë se ne do të arrijmë që të shmangim nga Gjanica gjithë këto mbetje, gjithë këto derdhje hidrokarburesh, të heqim atë erën e keqe, që nuk është vetëm erë e keqe, por që në fund të fundit është një problem mjaft i madh dhe serioz për shëndetin e të gjithë qytetarëve, besojmë se kemi bërë një punë fantastike dhe kemi hedhur hapa të sigurt për të nesërmen”, – tha Subashi.

Nëntë muaj pas kësaj deklarate, më 3 tetor 2018, Komiteti Shqiptar i Helsinkit publikoi raportin e tretë të monitorimit për ndotjen në lumin Gjanica pas shqetësimeve të publikuara edhe në media gjatë viteve 2017-2018. Vëzhguesit e KShH konstatuan se niveli i ndotjes së lumit Gjanica vijonte të ishte i lartë dhe shfaqej tepër problematik për banorët e zonave që përshkon ky lumë.

“Në kushtet kur kjo zonë është shndërruar në një zonë të nxehtë të ndotjes mjedisore, pasi mbizotëron era e rëndë e hidrokarbureve, lumi Gjanica është i ndotur dhe reflekton ngjyrë të errët (duke vijuar nga ura mbi uzinën në Ballsh dhe duke arritur pikun e ndotjes në fshatin Ofiçinë), Inspektorati Shtetëror i Mjedisit, Pyjeve, Ujërave dhe Turizmit duhet të ndërmarrë inspektime të vazhdueshme, duke mos u mjaftuar vetëm me vendosjen e masave administrative ndaj subjekteve ndotëse, por duke detyruar marrjen e masave për rehabilitimin e zonës në respektim të parimit “Ndotësi paguan” dhe duke i propozuar AKM-së pezullimin apo revokimin e lejes përkatëse të mjedisit për të gjithë veprimtarinë apo pjesë të saj”, – thuhet në raportin e KShH-së.

Foto e realizuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit
Foto e realizuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit

Në muajin janar të vitit 2019, KShH iu drejtua Gjykatës Administrative në Tiranë për të përfaqësuar interesat e 3 qytetarëve, banorë të fshatit Patos në Fier, si dhe interesin publik përballë ndotjes së evidentuar mjedisore.

Faktoje kontaktoi me znj. Ardita Kolmarku, juriste pranë Komitetit Shqiptar të Helsinkit, për ta pyetur se çfarë ndodhi me padinë që depozituan në Gjykatën Administrative palët e interesuara.

“Gjykata vendosi pranimin pjesërisht të kërkesë-padisë, duke hedhur poshtë 3 pretendime të KShH-së, respektivisht detyrimin e AKM-së për t’i propozuar ministrit përgjegjës pezullimin apo revokimin e lejes përkatëse të mjedisit të operatorëve që veprojnë në zonat afër lumit Gjanicë dhe që shkelin kushtet e kësaj lejeje për të gjithë veprimtarinë apo pjesë të saj.

Sipas argumentimit të Gjykatës, nëpërmjet të cilit ajo ka stimuluar AKM-në për të ushtruar detyrën dhe mundësinë që ligji i njeh për t’i propozuar ministrit përgjegjës pezullimin apo revokimin e lejes mjedisore të operatorëve ndotës, kjo është një mundësi ligjore dhe jo një detyrim në kuptim të ligjit, çka për Gjykatën do të thotë se AKM nuk mund të detyrohet ta ushtrojë këtë funksion si detyrim, përderisa ligji nuk e ka parashikuar si të tillë.”

Në vendimin e saj Gjykata pranoi kërkesën për identifikimin e të gjithë operatorëve që paraqesin kërcënimin e drejtpërdrejtë ose potenical për dëmin mjedisor në lumin Gjanicë, si dhe përcaktimin e masave rehabilituese për ta kthyer në gjendjen e mëparshme apo minimizuar sa më shumë efektet ndotëse të këtij lumi.

Por, pavarësisht se Shërbimi Përmbarimor Shtetëror inicioi procedurën e ekzekutimit të vendimit, që mori formë të prerë, KShH bën me dije se deri më tani nuk rezulton të jetë bërë gjë në lidhje me detyrimet e përcaktuara ndaj palëve të paditura për nxjerrjen e akteve të nevojshme administrative, të cilat do t’i jepnin një zgjidhje të përshtatshme dhe në përputhje me ligjin situatës së krijuar në lumin Gjanica. Edhe për ekspertët e mjedisit gjendja e lumit Gjanica sot është alarmuese.

“Gjanica është një nga lumenjtë, madje mund ta quajmë një nga kanalet më vdekjeprurëse që mund të ekzistojë në Shqipëri dhe këtë mund ta vërejë çdo vizitor që mund të kalojë në anët e këtij lumi. Ne kemi parë shpesh gjatë kohës që kemi bërë edhe disa filmime, dokumentarë në këtë zonë, që ka kafshë të ngordhura”, – tha eksperti i mjedisit Xhemal Mato, njëkohësisht edhe drejtor ekzekutiv i Ekolëvizjes.

Faktoje shkoi në Fier për të parë nga afër gjendjen e lumit Gjanica, në muajin maj të vitit 2020, ku konstatoi, jo vetëm ndotje të shoqëruara me erën e rëndë të naftës përgjatë tij, por edhe mungesën e filtrave.

Foto e realizuar nga Faktoje, maj 2020
Foto e realizuar nga Faktoje, maj 2020

Para se t’i drejtoheshim bashkisë, ne kërkuam mendimin e ekspertit të çështjeve të mjedisit, zotit Xhemal Mato, se çfarë mund të zgjidhte vendosja e filtrave.

Foto e realizuar nga Faktoje, maj 2020

“Është një ushtri e tërë që punon për ta ndotur lumin dhe me një filtër aty në dalje të Fierit apo në hyrje të Fierit mundohet të zbukurohet një çikë uji aty. Është një zgjidhje thjesht për aparencë, por jo për të shpëtuar vërtet jetën e këtij ekosistemi, i cili bashkëjeton me vetë banorët, njerëzit në të dy anët e tyre. Këto ekosisteme, në qoftë se i shkatërrojmë që nga fillimi e deri në fund dhe i vëmë një filtër diku, kjo është një zgjidhje shumë e vogël që s’është as zgjidhje, por d.m.th., është një show vetëm për ta bërë një çikë lumin aty pak më të pastër”, – tha ai.

Faktoje iu drejtua Bashkisë së Fierit me një kërkesë për informacion më 1 qershor për ta pyetur se çfarë ndodhi me projektin e promovuar nga kryebashkiaku në vitin 2018 për vendosjen e filtrave për pastrimin e lumit Gjanica, kur do të përfundojë rehabilitimi dhe pastrimi i plotë i tij dhe sa ka kushtuar projekti. Më 23 qershor Bashkia e Fierit bëri me dije se filtrat e ujit ishin vendosur vetëm sa për demonstrim dhe nuk ka pasur asnjë projekt të përbashkët me kompaninë zbatuese.

“Në vitin 2018 kompania Recovered Earth Albania është vetofruar në Bashkinë e Fierit me pretendimin se dispononte teknologjinë e nevojshme për pastrimin e ujërave të lumit Gjanica. Kompania me iniciativën dhe kontributin e saj evidentoi pikat më të ndotura përgjatë lumit Gjanica dhe instaloi me konsensusin e Bashkisë së Fierit aparaturat e filtrimit në zonën pranë ish-Azotikut, ku u bë edhe demonstrimi. Nga ana e bashkisë dhe kryetarit të saj ky demonstrim u pa me shumë interes, pasi është një shqetësim evident. Gjithçka e kryer ishte një kërkesë e kompanisë Recovered Earth Albania për të prezantuar aparaturat dhe rezultatin e tyre në pastrimin e ujit të lumit dhe nuk ka patur asnjë investim apo projekt të përbashkët në lidhje me të. Pas përfundimit të këtij demonstrimi kompania i tërhoqi përsëri aparaturat. Pas këtij momenti Bashkia e Fierit nuk ka asnjë informacion në lidhje me to”, – thuhet në përgjigjen zyrtare të këtij institucioni.

Më 26 maj Faktoje u interesua të kishte edhe qëndrimin e kreut të Inspektoratit Mjedisor Fier, Hadër Cako, për të mësuar hollësi mbi atë se çfarë është bërë për të shkurajuar ndotësit e lumit dhe çfarë rezultatesh ka pasur.

Deri në momentin e botimit të këtij artikulli nuk morëm një përgjigje nga zoti Hadëri, ndaj vendosëm t’iu referohemi dy deklaratave të tij lidhur me ndotjen e lumit Gjanica.

Në nëntor të vitit 2018, në një interviste për Report TV kreu i Inspektoratit Mjedisor të Fierit, fliste për identifikimin e të paktën dy subjekteve që dyshoheshin si ndotëse me hidrokarbure të Gjanicës dhe garantoi se çështja po ndiqej në rrugë ligjore me bashkëpunimin e policisë.

Por, në prill të vitit 2020, në një intervistë për ABC News kryeinspektori Hadëri garantonte se ndotja e lumit nuk vinte më nga ndotjet hidrokarbure, pasi aktiviteti i operatorëve të këtij profili ishte ndalur.

“Nga të gjitha kompanitë që punojnë në fushën e hidrokarbureve, pothuaj të gjitha janë të ndalura. Nuk ka aktivitet që ta krijojë këtë ndotje. Mund të jetë edhe ndonjë përpunim kimik që mund të ndodhë në ndonjë fasoneri a ndonjë ngjyrosje, sepse, kur ka hidrokarbure, të gjitha ato lënë shenja ose kanë erën karakteristike të hidrokarbureve. Ajo ishte pa erë, pra do të thotë që nuk kemi të bëjmë me ndotje nga fusha e hidrokarbureve. Mund të jetë diçka tjetër.. Po e monitorojmë edhe sot që flasim”, – tha ai për ABC News, më 23 prill.

Pamja e një lumi me shtrat të rregulluar, por jo në të gjithë gjatësinë e tij (më pak se 1 kilometër nga 42 kilometra që është gjatësia e Gjanicës), nuk e fsheh ndotjen që mund të shihet me sy të lirë dhe ndihet në ajër. Ndërkohë, era e rëndë e naftës është e pangatërrueshme, madje edhe në qendër të qytetit, zonë e planifikuar të ishte hapësirë çlodhëse kushtuar qytetarëve.

Sot, lumi Gjanica vijon të përbëjë një kërcënim në rritje për shëndetin e banorëve dhe një dëm të pariparueshëm për mjedisin.

*Foto në krye të shkrimit marrë nga MAU Architecture, projektuesi i rikualifikimit urban të Qytetit Fier

Ky artikull botohet në kuadër të projektit “Faktet dhe Mjedisi” zbatuar nga Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore dhe Organizata “Faktoje”, në kuadër të projektit “Drejt Përmirësimit të Marrëdhënieve të Punës dhe Profesionalizmit në Median Shqiptare” mbështetur nga Bashkimi Europian, zbatuar nga Instituti Shqiptar i Medias dhe Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve (IFJ).Përgjegjësia e vetme për përmbajtjen e këtij artikulli është e autorit dhe në asnjë rrethanë nuk mund të konsiderohet se pasqyron pozicionin e Bashkimit Europian.

What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry
Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Newsletter